”Shihemi më 8 maj”, Berisha: Atë që ka bërë Rama në kadastër nëpërmjet Ergys Agasit, s’e ka bërë asnjë pushtues
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorit të tij Ergys Agasi, duke i lidhur me një skemë të gjerë tjetërsimi pronash përmes sistemit të kadastrës. Berisha pretendon se në kadastrën e Tiranës janë zhdukur rreth 13 mijë faqe regjistrash dhe se gjatë procesit të digjitalizimit janë manipuluar mijëra tituj pronësie. Sipas tij, këto veprime kanë çuar në zhvendosje arbitrare të pronave të qytetarëve, duke ua ndryshuar vendndodhjen dhe duke i kaluar ato tek persona të tjerë. Ai e cilësoi situatën si një nga ndërhyrjet më të rënda në të drejtën e pronës në historinë e vendit, duke e krahasuar me veprime që, sipas tij, nuk janë kryer as nga regjime apo pushtues të mëparshëm. Për të këto çështje ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke pretenduar se janë ndër arsyet pse vendi diskutohet vazhdimisht në Bruksel dhe përballet me kushte të shtuara. Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në një protestë të paralajmëruar më 8 maj në Tiranë, duke e cilësuar atë si reagim ndaj asaj që ai e quan “plaçkitje të pronave dhe interesave publike”.
FJALA E PLOTË
Jam sot për të informuar shqiptarët se me datën 8 maj, një ditë e rëndësishme, shqiptarët do të mblidhen në rrugët dhe sheshet e Tiranës në kryengritjen e tyre më të fuqishme paqësore që ka njohur vendi kundër kreut të organizatës kriminale dhe regjimit të tij, qeverisë së tij. Pra, kundër Edi Ramës dhe narkoministrave. Ju jeni dëshmitarë të dashur qytetarë dhe qytetare se pasi bllokoi arrestimin e Lubi Ballukut për afera të përbashkëta me Ramën, për të cilat në një vlerësim paraprak, prokurori përcaktoi 36 vite burg në kërkesën e tij.
Dhe natyrisht nuk ishin më pak për Ramën në atë mes. Pasi me mandatet e tij të krimit mbylli, bllokoi arrestimin e saj për të mbrojtur veten e vet. Pasi afera të tjera të mëdha korruptive kanë dalë në dritë dhe drejtësia është tërësisht e paralizuar. Pasi në Bruksel, fantazma e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, të pranishme në një seri mbledhjesh nga fillimi i marsit gjer më 18 prill, në të cilat është diskutuar raporti i ndërmjetëm për standardet dhe kriteret themelore për Shqipërinë dhe ka mbetur në klasë. Por, theksoj këtu se shpresa e vetme në këtë situatë dramatike është reagimi dhe përgjigja e fuqishme qytetare.
Edi Rama bllokoi drejtësinë. Edi Rama de facto për të shpëtuar lëkurën e tij, iu tha plaç partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë absolutisht me të drejtë, funksionimin e shtetit ligjor, funksionimin e luftës kundër korrupsionit dhe respektimin e vendimeve të drejtësisë, u deklaroi shqiptarëve se çështja Balluku është e mbyllur. Unë ftoj çdo shqiptar të mos pranojmë të mbyllim kurrë atë çështje. Vendi po shkatërrohet çdo ditë e më shumë. Shqiptarët po largohen çdo ditë e më shumë. Gjithçka bëhet e pashpresë në qoftë se ne nuk ngrihemi fuqishëm me zërin tonë. Të dashur qytetarë dhe qytetare, u bëj thirrje edhe ju që heshtni, por që shpirtërisht nuk aprovoni kurrë këto vjedhje monstruoze dhe këto qëndrime çnjerëzore ndaj kombit që mban Edi Rama.
Të lëmë mënjanë çdo pakënaqësi. Të lëmë mënjanë çdo mosmarrëveshje dhe të bashkohemi në këtë kryengritje të fuqishme si shpresa e vetme e shqiptarëve. Kryengritja e cila synon të bashkojë të gjithë shqiptarët pavarësisht nga moshat, pavarësisht se mund të jenë të bindjeve të ndryshme politike, por që gjykojnë se vjedhjet e tmerrshme të qeveritarëve po shkatërrojnë financat e tyre, po shkatërrojnë vendin e tyre. 8 maji duhet të jetë dita e shqiptarëve. E protestës së tyre më të fuqishme. Unë kam besim se do japim me 8 maj mesazhin më të fuqishëm ndaj këtij regjimi bandit dhe hajdut.
Tani, qytetarët kanë dëgjuar në mënyrë të përsëritur se afera e AKSHI-t është njëra nga aferat më të zeza, më të mëdha në historikun e regjimit të hajdutëve të Edi Ramës. Kjo aferë, të cilën Edi Rama mburrej me AKSHI-n, e quante atë histori suksesi, rezulton të jetë historia më mafioze në historinë e një shteti. Edhe njëherë, dhe një mijë herë për çdo shqiptar, strumbullari i të gjithë aferës së AKSHI-t është çifti Rama, Edi dhe Linda Rama sepse përfituesi i qindra tenderave, për të cilët janë marrë peng biznesmenë, për të cilët AKSHI është shndërruar në pishinën e peshkaqenit, siç thotë peshkaqeni Ermal Beqiri, strumbullari është Armand Frangu, është baxhanaku i Edi Ramës, është Linda Rama dhe Edi Rama.
Shpreh vlerësimin tim maksimal për të gjithë gazetarët investigativë dhe jo investigativë, të cilët po zbërthejnë dosjen e AKSHI-t. Por njerëzisht u kërkoj, mos injoroni dhe mos u trembni t’u thoni shqiptarëve të vërtetën se Armand Frangu është krye-peshkaqeni i AKSHI-t. Se Ergys Agasi, Ermal Beqiri, kanë vepruar që të gjithë në funksion dhe në bashkëpunim me Armand Frangun. Se Sali Berisha, në vitin 2024, ka paraqitur para publikut regjistrimin ambiental të bërë bisedës së Gerond Meçes me një person tjetër që do merrte pjesë në tendera. Dhe se në atë bisedë, Gerond Meçe i thotë: kompania ABS është e Frangut, e baxhanakut, pavarësisht se është e regjistruar në emër të Gerondit. Dhe se fituesit e tenderave, natyrisht i përcakton patronazhistja Linda Rama. Çfarë ka treguar dosja? Ka treguar një gjë shumë interesante. Biznesmenët që donin të marrin pjesë në tendera, i priste Mirlinda e gjorë e AKSHI-t, të cilin avokati Edi Rama, për të shpëtuar Lindën e Surrelit, për t’ia mbyllur gojën për Lindën e Surrelit, e paraqet si të varfër që ka gjetur një apartament okazion me qira. Apartamenti o miqtë e mi, 210 metra, një vrap kali. Apartamenti i Lindës që banon bashkë me djalin, 210 metra.
Por kur biznesmenët paraqiteshin tek kjo, Linda e AKSHI-t i dërgonte ata tek Ermal Beqiri në hotele luksoze. Dhe Ermal Beqiri u deklaronte atyre se AKSHI është një pishinë peshkaqenësh. Imagjinoni ju se çfarë suksesi është AKSHI i Edi Ramës. Je futur në pishinë peshkaqenësh dhe tani duhet të takosh Ergys Agasin. Ergys Agasi në çdo hap përfaqësonte Ramën dhe ishte vetë Rama. Në një rast, një shtetase shqiptaro-gjermane, e cila paraqet ofertë pikërisht në fushën ku ishte absolut Armand Frangu, në fushën e pajisjeve kompjuterike për shkollat, dhe kjo kalon një proces kafkian. Kjo zonja. Dhe në fund për të shpëtuar, për të dalë nga ai proces, paguan edhe 1 milion dollarë ryshfet. Kurse Rama i AKSHI-t ose Ergys Agasi, pasi rregullonte tenderat, merrte për to minimumi 1 milion euro gjobë dhe bëri në një vit 11 milionë euro. Historia e suksesit, thotë Rama, sepse paratë janë të Ramës, ndahen me Ramën. Përveç sa vidhte Armandi, që mori për inteligjencën artificiale 75 milionë euro dhe ajo nuk ekziston. Inteligjenca artificiale e Armand Frangut është identik me djegësin e Tiranës, as nam as nishan nuk ekziston. Por nuk mjaftonin këto, por edhe të tjerë duhet të paguanin ryshfete të majme, milionëshe. Pse kjo dhe si ka mundësi? Po, tenderat në fushën e high tech janë tenderat në të cilat mund të spekulohet në mënyrën më të jashtëzakonshme.
Në këtë fushë, mund të luhet me çmimet në mënyrë të paimagjinueshme. Urdhëroni, tenderi 75 milionë euro për përmirësimin e inteligjencës artificiale që nuk ekziston. Arben Ahmetaj ka paraqitur dokumente zyrtarë se si krye-peshkaqeni Armand Frangu, dhe u them medieve mos u trembni dhe damkosni Ramën, Lindën dhe kunatin e tyre, me fatura ka sjellë kompjutera për shkollat në Shqipëri dhjetëfishi i çmimit me të cilin ato shiten në dyqanin e shitjes me pakicë në Vjenë. E kuptoni se çfarë ndodh në këtë fushë? Fitimet në këtë fushë janë më të mëdha se me kokainë. Në AKSHI është fjala. AKSHI është agjenci shtetërore. Si erdhëm këtu? Dora vetë Edi Rama.
Në vitin 2017, Edi Rama me një vendim të shkruar nga kunati i të shoqes, vendos që të gjitha tenderat në fushën e IT në Shqipëri të bëhen nga AKSHI. Pra, Linda e Surrelit dhe kunati i saj, të bëheshin padronë të çdo prokurimi në fushën e IT, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Dhe kjo solli pastaj pishinën e peshkaqenëve apo kopshtin privat të Edi Ramës. Ju e patë se si Linda e gjorë në një apartament me qira, edhe atë të gjetur me okazion sipas asaj dhe Ramës, kishte gjashtë prona. Gjashtë prona që shkojnë miliona euro. Ishte personi që në shishe futeshin 200 mijë euro. E patë arkën ju si ishte. Vendosej shishja 36 mijë euro në mes, sepse Aurela Koromani thoshte se e dua për nivelet më të larta, dhe shishja pastaj, pjesa tjetër e arkës mbushej me 500-she, prerje euro 500-she. Kjo është.
Kurse prestanome i Edi Ramës, famëziu Ergys Agasi, edhe sot është i paprekshëm. Ka blerë toka me 6 euro aty ku janë të paktën 100 euro metri katror, dhe ky e deklaron se janë me 6 euro. Ka regjistruar në çdo pyll ka ndërtuar vila dhe resorte, dhe po vazhdon ndërtimet gjatë gjithë kësaj kohe se gjoja është në kërkim, në një kohë që ai mbrohet nga policia me urdhër të Edi Ramës. Mbrohet nga policia sepse Edi Rama dhe Linda Rama janë peng të tij. Megjithëse zbërthimin e tij të plotë, shqiptarët duhet t’ia njohin për meritë Gerond Meçes. Pasi nxorën Gerondin jashtë loje, frenat në dorë… Ergys Agasi ndërton me Elvis Doçin, me Pojën e Troplinëve, të cilin e mbrojti Altin Troplini.
Pra, të pafundme janë pronat e tij dhe ky vazhdon sot e kësaj dite të ndërtojë. Ndërtimet nuk janë ndërprerë dhe nuk ka inspektorat që i afrohet prestanomes së Edi Ramës për t’i ndaluar ndërtimet dhe sekuestruar resortet. Ermal Beqiri, prona të pafundme. Një kriminel i fushës, i cili meriton të pakën 30 vite burg për vjedhjen dhe nxjerrjen në treg të 20 milionë deklarata tatimore konfidenciale të qytetarëve shqiptarë me urdhër të Edi Ramës. Edhe Ermal Beqiri jeton i lirë. As për njërin dhe as për tjetrin nuk ka mandat ndërkombëtar arresti. Jo. Pse? Sepse janë të sigurt brenda vendit. Për një kohë ky Agasi ka qëndruar në Manzë, e dinin të gjithë se ku qëndronte. Tani, më vonë ca kohë ndejti në Surrel, ndejti te Edi Rama apo ka marrë një shtëpi me qira afër tij, këtë nuk mund ta them.
Qëndron në resortin e tij. Nga kjo organizatë mafioze janë bërë tjetërsimet më të jashtëzakonshme të pronave në Shqipëri. Qytetarët duhet ta dinë se janë mijëra, mijëra e mijëra prej tyre që këta mafiozë kanë lëvizur vendndodhjen ne pronës së tyre. E ka pasur ngjitur me shtëpinë truallin, ia kanë ngjitur në majë të malit dhe këtu i kanë sjellë ata që kanë dashur. Ia kanë marrë. Atë që kanë bërë me kadastrën, nuk e ka bërë kurrë asnjë regjim gjer sot. Asnjë regjim, asnjë pushtues, as diktatura, atë që ka bërë Edi Rama nëpërmjet Ergys Agasit. Vetëm në regjistra janë zhdukur 13 mijë faqe në kadastrën e Tiranës dhe pastaj në dixhitalizim janë transfuzuar mijëra e mijëra tituj. Ergys Agasi është pronari i dhjetëra mijëra metër katrorë pyje, ara, duke tjetërsuar pronësi dhe duke i plaçkitur ato.
Pra, këto janë aferat për të cilat shqiptarët nuk do pajtohen kurrë. Këto janë shkaqet e vërteta pse në Bruksel çdo javë diskutohet për Shqipërinë dhe çdo javë janë shtuar kushtet për Shqipërinë. Opozita, të dashur qytetarë dhe qytetare, është zëdhënësja juaj, është zëdhënësja e e interesave jetike tuaja. Opozita iu thotë ju të vërtetën, por thotë të vërtetën kudo, në Shqipëri dhe në botë. Sulmet që bëhen ndaj opozitës, nga mafiozë në krye të qeverisë, nga lobistë të korruptuar nga qeveria, kanë vetëm një synim, mbrojtjen e plaçkitjeve që u bëhet qytetarëve shqiptarë, vjedhjen e pasurive tuaja nga qeveritarët dhe në fakt largimin tuaj nga Shqipëria. Ndaj dhe njëherë, ditën e premte, në datën 8 maj, e gjithë Shqipëria në Tiranë.
KOHA JONË SONDAZH

