Shijaksbourg – në rrjedhjen e lumit Erzenhausen…

 

 

Nga Nikolla Sudar

  … Shijaku im i dashur, ky qytet i vogël por me histori të madhe (mjafton të kujtojmë thënien-lapidar të kreshnikut të maleve Bajram Curri: “Shijaku me të drejtë mund të quhet “Malësia e Madhe e Shqypnisë së Mesme”), njihet qysh në lashtësi. I ndodhur në pastokën e Durrësit, vetëm 11 kilometra larg kësaj qendre të famshme në të gjithë Mesdheun, ai përmendet edhe në regjistrin kadastral turk të vitit 1431-32. Qyteti është ndërtuar mbi një kodrinë të butë me lartësi 30 metra mbi nivelin e detit, ku dikur ka ekzistuar kisha e Shën Jakovit, prej nga e ka burimin vetë emërtimi Shijak, i këtij vendbanimi, të cilin e mban edhe sot.

      Lumi Erzen, 91 kilometra i gjatë, e ndan qytetin në dy pjesë, duke i dhënë një bukuri të veçantë. Jo më kot Shijaku i tërhoqi vëmendjen mjeshtrit të madh evropian të fotografisë, Marubit, i cili, në vitet 30 të shekullit të kaluar, atë do ta quante: “… qytet provincial perëndimor”. Kartolinat e bukura me pamje të qytetit për dekada me rradhë do të qarkullonin si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

     Fiset më të vjetra të Shijakut janë Kërtajt, Deliallisët dhe Keçtë. Pas Kongresit të Berlinit me dhjetra familje boshnjake, për t’i shpëtuar sundimit të ri austro-hungarez, u larguan nga vendlindja dhe u vendosën afër qytetit, duke krijuar fshatrat e përmendura Koxhas dhe Borake. Këtu ata gjetën mikpritjen e vërtetë dhe u bënë banorë të denjë të kësaj treve.

     Me ferman të veçantë, në vitin 1880, Shijaku u shpall kaza (nënprefekturë), duke pasur në varësi rreth 68 fshatra, ku përfshiheshin Ndroqi, Peza e Vogël, Sauqeti, Rromanati, vetë Shijaku, Sukthi, Maminasi, Marikaj, Ishmi dhe Preza (në vitin 1949 Shijakut iu hoqën arbitrarisht fshatrat e Ndroqit, Prezës dhe Marikaj e iu bashkangjitën Tiranës).        

      E tërë kjo trevë historikisht është e përmendur për atdhetarizëm, trimëri e bujari. Populli i saj ka dhënë kontributin e vet në të gjitha ngjarjet madhore të vendit. Me dhjetra banorë të kësaj treve janë rreshtuar në Ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa mjaft të tjerë kanë marrë pjesë në luftimet për mbrojtjen e Ulqinit, në vitin 1880. Çetat atdhetare të komanduara nga patriotët Ibrahim Kërtusha, Mak Troplini, Osman Picari etj., mbajtën gjallë frymën patriotike dhe u bënë tmerr për pushtuesit turq gjer në Shpalljen e Pavarësisë.

     Në mesin e Nëntorit 1912 populli i Shijakut zgjodhi përfaqësuesit e vet për në Kuvendin e madh të Shpalljes së Pavarësisë. Ata ishin patriotët: Ymer Deliallisi, Ali Shahini dhe Xhemal Deliallisi. Në pamundësinë për të ngritur flamurin në Durrës, karvani i patriotëve më në krye plakun e urtë Ismail Qemali, mori drejtimin për në Vlorë. Me dhjetra shijakas, të komanduar nga togeri patriot Masar Deliallisi bashkë me vullnetarë të tjerë, morën në mbrojtje karvanin e përfaqësuesve nga të gjitha trevat e vendit. Në mëngjesin e datës 27 nëntor 1912 delegatët e Shijakut i nisën një telegram qytetit të vet, ku theksohej:    

                                                                                                   Parësisë – Shijak

                    Durrësi, Tirana e Elbasani e shpallën indipendencën. Ju, në mos e paçi shpall, shpallnie sa ma parë dhe na lajmëroni.

                                                                                                 Delegatët.                                                                                

                                                                               

     Në mes të një entuziazmi të paparë popullor, me datën 27 nëntor mbasdite, në ballkonin e nënprefekturës u ngrit flamuri kombëtar, kurse në procesverbalin e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor të vitit 1912, përjetësisht ka mbetur edhe firma e patriotëve shijakas Ymer bej Deliallisi, Xhemali bej Deliallisi dhe Ali Efendi Shahini

     Ndërkohë që zhvilloheshin këto ngjarje vendimtare për të ardhmen e vendit, në Shkodër vazhdonte lufta për mbrojtjen e qytetit. Mbi 1000 vullnetarë shijakas të komanduar nga patriotët e shquar Hasan Deliallisi dhe Hafiz Maliq Jakova, luftuan për shtatë muaj me rradhë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Rreth 120 luftëtarë të Shijakut dhanë jetën në luftimet e ashpra në Tarabosh, Bërdicë dhe Gur të Zi.

     Populli i trevës sonë në vitet e vështira 1912-1920 u rreshtua në luftë kundër pushtuesve austro-hungarezë, italianë, si edhe kundër intrigave antikombëtare të Esat Pash Toptanit. Në verën e vitit 1920, batalioni vullnetar i komanduar nga patritoti Kapllan Deliallisi, luftoi heriokisht për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë. Në vitin 1924, në Shijak krijohet dega e “Bashkimit” me drejtues mësuesin Qazim Domi, që u zgjodh edhe kryetar bashkie, ndërsa sekretar, intelektuali Tahsim Këlliçi.

    Vitet 1925-39 të monarkisë, janë vite të lulëzimit të Shijakut dhe të fshatrave të tij, duke e bërë atë një qendër të përmendur në të gjithë Shqipërinë. Më 1926 u ndërtua nga inxhinierë francezë ura madhështore me dy harqe (e dyta në vend nga madhësia dhe bukuria, pas urës së Zogut, të ndërtuar mbi lumin Mat më katër harqe). Ajo ishte me dy kalime për automjetet dhe me trotuarë anësorë. Ura kishte një rëndësi shumë të madhe strategjike, sepse lidhte portin më të madh të vendit me kryeqytetin. Rruga nacionale që kalonte përmes qytetit, i dha Shijakut rëndësi dhe zhvillim në plan kombëtar. Qysh nga viti 1922 kishte filluar dhe brenda disa viteve përfundoi plani rregullues i qytetit, i cili e transformoi plotësisht atë, duke e kthyer në një qytet mjaft të zhvilluar për kohën. Në vitin 1928 u vu në fuksionim centrali elektrik, ndërsa prodhimet e shumta bujqësore e blektorale furnizonin me bollëk Durrësin dhe Tiranën. Kjo është arsyeja që të huajt gjatë udhëtimit për në Tiranë, të mrekulluar nga natyra piktoreske e Shijakut, ndalonin për të pushuar këtu, ku gjenin edhe mikpritjen e rrallë vendase.

     Në vitet 30 të shekullit të kaluar vjen në Shijak një inxhinier gjerman, i cili u mor me problemet e ujësjellësit të qytetit. Atij i pëlqeu jashtë mase natyra piktoreske e mjedisit, sidomos lumi Erzen dhe ura e tij e bukur. Në kohën e lirë ai shetiste përgjatë bregut, nëpër urë, ngjitej në kodër dhe admironte pejzazhin e mrekullueshëm që i kishte falur natyra Shijakut. Këtu inxhinieri i huaj u njoh dhe u miqësua me disa nga burrat e nderuar të qytetit si Abdulla Gashin, Muç Muhaxhirin, Cen Krujën, Abdulla Malltezin, Sulë Zallën, Qazim Domin. Usta Rexhepin etj. Shpesh e gjeje këtë intelektual të zgjuar e me kulturë në kafenenë e Ymer Domit, duke biseduar me ta. Ai u afrua shumë me shijakasit, të cilin e ftonin në dreka e darka, madje edhe në ceremoni festive, siç ishin dasmat. Mikut gjerman gjithçka i bënte përshtypje, por sidomos mikpritja dhe bujaria e vendasve. Mbresat e tij të jashtëzakonshme (siç shprehej vetë), do t’i pasqyronte në njërën nga gazetat më të njohura të Berlinit. Reportazhin ai do ta titullonte: “Çaste të paharruara në qytetin e bukur piktoresk Shijaksbourg, në rrjedhjen e lumit Erzenhausen”.

Ura…

     Krenaria e vërtetë e qytetit tim të lindjes ka qenë ura madhështore me dy harqe (e dyta në Shqipëri pas asaj me katër harqe mbi lumin Mat). Por mëngjesin e 7 prillit 1939, patriotët Edip Çuçi dhe Haxhi Shtraza, nën komandën e major Abaz Kupit, e hodhën në erë për të penguar marshimin fashist. Pas pushtimit ura u rindërtua siç kishte qenë nga inxhinierët italianë.

     Ishte mesi i nëntorit të vitit 1944, kur i tërë qyteti po boshatisej me shpejtësi. Ç’po ndodhte? Komanda gjermane kishte vendosur që gjatë tërheqjes të hidhte në erë urën, krenarinë e qytetit, veprën më të çmuar të tij. Ndërkohë myftiu i Durrësit Myrteza Varoshi dhe hafiz Maliq Jakova, patriotë të vërtetë dhe humanistë të përmendur, duke rrezikuar jetën, u ofruan një shumë të madhe ushtarëve gjermanë për ta shpëtuar qytetin nga katastrofa… por më kot. Xhenierët armiq paralajmëruan ndërmjetësit dhe shoqëruesit e tyre se tanket, që kishin zënë pozicion në Sallmone do ta rrafshonin Shijakun, në rast se u ndodh gjë atyre. Nuk vonoi shumë dhe një shpërthim i tmerrshëm, ndoshta më i madhi në tërë historinë e qytetit, brenda disa çastesh mrekullinë e ktheu në në një tmerr të vërtetë. Pas largimit të pushtuesve, shijakasit u sulën drejt bregut, por ç’të shihnin… gjithçka ishte shndërruar në gërmadhë. Të ngurosur e me lotë në sy ata ndiqnin këtë fund të tmerrshëm të urës, që nuk do të rindërtohej më asnjëherë siç kishte qenë. Tashmë lidhja me të dy pjesët e qytetit do të bëhej me një trap të sajuar. Por nuk do të vononte shumë dhe, pas një demagogjie shurdhuese, e cila do të bëhej domëthënie e gjithë politikës komuniste, në shtyp dhe në radio do të theksohej: “… pas një pune heroike, siç e karakterizon popullin tonë trim, në Shijak u rindërtua ura e shkatërruar nga armiku, duke zgjidhur kështu lidhjen e tij me qytetet e tjerë të vendit. Mes një entuziazmi të papërshkruar, shiritin e inaugurimit e preu Ministri i Brendshëm, shoku Koçi Xoxe…”. (Ky xhuxhmaxhuxh, i kapardisur me uniformën e gjeneralit dhe me gjoksin “plot dekorata”, do t’i shkaktonte popullit të vet mijëra vikima të pafajshme). Por ç’ishte kjo “dhuratë e pushtetit të ri” për popullin e Shijakut? Një urë “me tela” (pasarelë), ku nuk mund të lëviznin mjetet motorike. Pas një kohe relativisht të gjatë u ndërtua një urë metalike (ushtarake) me një tonazh të kufizuar. Kështu do të kalonin dekada që të rindërtohej një urë normale për automjetet e të gjitha llojeve (e cila funksionon edhe sot). Kjo fatkeqësi e madhe për banorët e qytetit dhe të gjithe zonës u thellua edhe më shumë, sepse edhe rruga e re automobilistike Durrës-Tiranë e anashkaloi qytetin, kurse stacioni hekurudhor u ndërtua pesë kilometra larg. Si pasojë Shijaku u izolua plotësisht, duke u kthyer në një qendër kooperative dhe vend internimi për…kundërshtarët e regjimit.

 

Paradoket e kohës…

Vetëm ata që kanë përjetuar ditët, muajt dhe vitet e para të çlirimit mund të jenë në gjendje të përshkruajnë entuziazmin e jashtëzakonshëm të popullit, i cili shpresonte shumë, sepse kishte dhënë gjithçka për lirinë… por zhgënjimet do të ishin të menjëhershme dhe do të ktheheshin në një ritual të jetës sonë të përditshme, Me të vërtetë jetonim kohë paradoksesh, që rrallëkush do të jetë në gjendje t’i përshkruaj.

     Ishte viti 1945. Ndërkohë që turma e njerëzve “të lumtur” demonstronte nëpër rrugë, duke kënduar plot hare: “Bijt e Stalinit jemi ne / Që derdhim gjakun për atdhe…”, disave nga injorantët e kohës u ra ndër mend një ide ”gjeniale” . Ata u sulën në ndërtesën e nënprefekturës, hapën dollapët dhe, pasi nxorrën dokumentacionin “e armikut”, e grumbulluan para ndërtesës, duke krijuar një pirg të madh. Pastaj të ekzaltuar nga kjo “gjetje e rrallë” i vunë zjarrin, duke djegur kështu edhe dosjet e gjendjes civile. Dëmi i shkaktuar qe i madh dhe i pandreqshëm. Duke kujtuar këtë ngjarje të papreçedentë, mësuesja e nderuar, veterania e arsimit, që bëri jashtëzakonisht shumë për emancipimin e femrës dhe zhvillimin e kulturës në Shijak, Mereme Shkodra, është shprehur: “Lajthitja qe e madhe dhe dëmi i pariparueshëm. Prefektura e alarmuar urdhëroi të gjithë mësuesit, nëpunësit dhe aktivistët që dinin shkrim e këndim, të cilët u shpërndanë gjithandej për të bërë një regjistrim të ri të popullsisë. Pasojat e këtij gabimi do të ndiheshin për vite me rradhë!”

     Por paradokset tashmë do të bëheshin dukuri të zakonshme. Pas një kontrolli të hollësishëm nëpër të gjitha shtëpitë e “tregtarëve dhe bejlerëve” të nënprefekturës, përveç sekuestrimit të pasurisë, në hanin e Kapllan Beut në qendër të qytetit, u mblodhën me qindra e qindra vëllime të ndryshme, shumica në gjuhë të huaj. Në ta kishte fjalorë, enciklopedi, vepra të autorëvë të famshëm të perëndimit, periodikë dhe revista të ilustruara. Pasi i grumbulluan në mes të oborrit, u muar vendimi që të digjeshin si “libra antikombëtarë”. Policët vinin rrotull për të mos lejuar askënd që të merrte ndonjë libër e ndërkohë kërkonin një bidon me benzinë. Lajmi mori dhenë, saqë me shpejtësi erdhën me biçikleta disa të rinj nga Durrësi “për të rrëmbyer ndonjë libër”. Vetë ndodhesha midis fëmijëve dhe vështroja atë gumbull të madh me libra, revista gjithëfarësh, pa e kuptuar se ç’do të ndodhte. Pastaj ngjau ajo që nuk mund të shlyhet nga kujtesa: një flakë e fuqishme mbuloi gjithë pirgun me libra e revista. Nga ai moment nuk më hiqet nga mendja një libër me format të madh dhe i ilustruar. Rrufeshëm u hapën kapakët e tij dhe unë munda të dalloj ilustrime të mahnitshme me ngjyra. Më vonë do të bindesha se ai kishte qenë botimi në italisht i kryeveprës botërore “Komedia hyjnore”, e Dante Aligerit. Gjatë kësaj kohe shumë të rinj të grumbulluar rreth zjarrit na ofronin neve, të vegjëlve, “nga një frang” për çdo libër që do të nxirrnim nga zjarri. Kështu filloi ajo aventura jonë, që disave u shkaktoi djegie serioze në trup dhe shqelma pa numrim nga “mbrojtësit e ligjit”. 

     (Disa dekada më vonë do të më kujtohej kjo ngjarje, kur me dikë tjetër na thirrën në zyrën e kryetarit të komitetit. Ai mbante në dorë një shkresë të ardhur nga kryeqyteti ku jepeshin udhëzime për të përkujtuar autorin e madh botëror. Ndërkohë njëri nga paria e qytetit na drejtohet: “More po, kush është ky… Daut Aligeri, xhanëm?”).  

 

Mikpritja, bujaria dhe emancipimi – tradita të shkëlqyera vendase…

Traditat e shkëlqyera shijakase të trashëguara me aq fanatizëm, do të shfaqeshin edhe në rastin e “dyndjes” së popullsisë çame, të përzënë nga trojet e tyre. Kalvari i gjatë i vuajtjeve të tyre do të vazhdonte e do të thellohej nga viti në vit, por tashmë në atdheun mëmë nga pushtetarët komunistë, që do ta trajtonin këtë popullsi patriote e me të kaluar të shkëlqyer historike si “të padëshirueshme”. 

    Ishin muajt e parë pas çlirimit kur, pas një rrugëtimi të gjatë e disamujor në këmbë që nga Jugu, ashtu të raskapitur, pa plang e pa shtëpi, një grumbull çamësh u fut edhe në Shijak. Në mesin e tyre kishte trashëgimtarë të familjeve të shquara patriote si Dinot, që ishin bërë të famshëm që në kohën e Perandorisë, kishte pasues të familjeve të nderuara të asaj treve të përmendur si Qejvanët, Bajot, Hadot, Myrtot, Merkot, Sejkot, Tahirët, Resulët, Kondot, Rakipët, Rexhepët, Drabot, Fejzot, Salitë, Kushët e mjaft të tjerë, që kishin lënë prona të shumta në vendlindje etj. Si asnjëherë tjetër bujaria shijakase do ta tregonte veten: asnjëri nuk mbeti jashtë, të rritur, fëmijë e pleq u strehuan në qytet dhe në rrethinat e tij. Vendasit ndanë me vëllezërit në nevojë kafshatën e gojës, në atë periudhë shumë të vështirë të pasluftës. Të gjithë e mbajmë mend Dushkun e famshëm, një territor me shkurre, që fillonte pas lagjes së Keçve. Aty u sulën shumë nga të ardhurit, ku ngritën kasollet e tyre dhe filluan të merren me blektori. Ajo miqësi e ngushtë, e lindur në rrethana tepër të vështira, do të thellohej nga viti në vit. Prej këtij komuniteti dolën njerëz të rrallë që e nderuan thellësisht atë, si burrat e urtë, të ndershëm dhe gojëmbël Etem Qejvani e Hasan Dino, mjeshtrat këpucarë Qazim Qejvani, Adem Xhaferri e Elmaz Klefti, mjeshtrat e përpunimit dhe të tregtimit të bylmetit (traditë familjare) Alush Myrto e Maliq Ademi, pedagogët e njohur si Ahmet Bajo, Reshit Dino, Xhevat Rexhepi, stomatologu duarartë e i paharruar Shefqet Merko, agronomi i palodhur Mitat Rexhepi, mjeshtri i repartit metalik Novruz Merko e mekaniku i papërtuar Subhi Dino, mjeku i kudondodhur Sali Bajo, njerëz të artit si piktori i përmendur (brenda e jashtë vendit) Abaz Hado, inxhinierët e talentuar Aqif Dino e Muhamet Haxhiu, ekonomistë të shquar si Nazmi Rexhepi e Savete Bajo, aktori i këndshëm i humorit Sherbet Qejvani, librari gjithnjë i papërtuar Gani Kushi, elektriçistët me përvojë si Shuaip Veliu e Kujtim Xhaferri, arsimtarë të suksesshëm si Xhavit Hado, Rufete Habibi, mjeshtri i telefonisë si Belul Tahiri (që e pasoi i biri, njohësi autodidakt i pesë gjuhëve Ramazan Tahiri), kandidati i shkencave Fiqiri Tahiri, operatorët e shkathtë Arif Mehmeti e Idriz Sherifi, sportistë të mrekullueshëm si Bardh Merko e Spartak Xhani, gazetarë televizivë me emër brenda e jashtë vendit si Muhamet Veliu, biznesmenë të shumtë si Mehmet Rakipi, Qejvanët e mjaft të tjerë në profesione të nderuara, të cilët po e lartësojnë akoma më tepër edhe emrin e mirë të Shijakut.Në atë mjerim të papërshkruar, etja për dije dhe kulturë e këtyre njerëve të emancipuar ishte e patreguar. Në historikun e arsimit të Shijakut do të mbeten të skalitur emrat e nxënësve të shkëlqyer në mësime si Ahmet Bajo, Shefqet Merko, Reshit Dino, Xhevat Rexhepi, Aqif Dino etj.

      Mbase i njëjti fat na lidhi nga afër me këta njerëz të mrekullueshëm, sidomos me familjen e nderuar Qejvani dhe veçanërisht me të ndjerin Qazim, nxënësin më të mirë të tim eti.. Interesante janë dy dukuri kuptimplote që i përkasin kësaj popullsie fisnike: nëse me kalimin e viteve këta njerëz të dashur, bujarë e punëtorë u inkuadruan shumë mirë në jetën e komunitetit (pa harruar asnjëherë të kaluarën, traditat e tyre të bukura dhe dëshirën e madhe për t’u rikthyer në trojet veta), por për idetë e rrënjosura nacionaliste, diktatura i mbajti larg dhe i përbuzi tërë kohën, duke ua mohuar të drejtat.Prandaj nuk është rastësi që komuniteti I nderuar çam në Shijak, i mbrujtur me frymë atdhetarizmi nga të parët e vet, nuk u pajtua asnjëherë me masat drastike që merrte diktatura. Me besim tek Perëndia dhe tek e ardhmja, ai nuk i humbi asnjëherë shpresat për arritjen e lirisë së vërtetë. Kjo është arsyeja që ky komunitet u ngrit në këmbë për përmbysjen e diktaturës dhe sot nuk i kursen energjitë për fitoren e plotë të demokracisë ne vend.

Pas shumë dekadash, në një bisedë me xha Etem Qejvanin, këtë plak të mrekullueshëm dhe gjithnjë gazmor, ai më tregon:

    “Kur ardhmë ne në Shijak, të tërë u ngrinë në këmbë për të na ndihmuar. Vështirë e kishim atëhernaj, sepse edhe puna gjendej me siklet. Këtu njohmë burrin e urtë e dashamir, që nuk dallohej nga të tjerët, krietarin e komitetit, z. Qazim Domi. Unë ishja i ri më atë kohë, kur mora vesh se po kërkonte punëtor për të punuar bahçenë (vetë ai ishte shumë i zënë me punë, po ashtu edhe djemtë e rritur i kishte në punë shteti). Prandaj vajta dhe i thaç t’ia punoja u tokën. Ndonëse kanë kaluar gati pesëdhjetë vjet, por më kujtohet se ai burrë i mençëm, pasi më dëgjoi me vëmendje, pakëz i habitur (nga që nuk dija të bëja siç duhet pazar, i kisha kërkuar shumë para si hak pune), vuri buzën në gaz dhe më pyeti: “Ti ke ardhur ta bleç bahçenë, apo ta punoç?”. Ky “keqkuptim” i vogël na afroi shumë me atë njeri të mirë e të nderçëm, që u kujdes shumë për ne, të ardhurit”.  

Pushteti “i ri” dhe dhuna…

Raprezaljet revolucionare “në emër të popullit” ishin të shpeshta. Pak nga pak njerëzit, në fillim të habitur, por më pas të revoltuar do të pyesnin: “Përse?” Përgjigja do të ishte e thjeshtë: “duhej forcuar pushteti i ri popullor” dhe rruga më  e shkurtër dhe “më efikase” ishte dhuna.Të moshuarit duhet ta mbajnë mend klubin e këndshëm, që ndodhej përballë kinemasë së qytetit. Përpara tij shtrihej një sipërfaqe e ngritur prej dheu në formë, të cilën e qarkonin akacie shtatlarta. Kjo hapësirë shërbente gjatë verës për klientët e shumtë. Në të vendoseshin tavolina, karrige dhe shpesh mblidheshin të rinjtë, që ndiqnin interpretimin e bukur në fizarmonikë të futbollistit të njohur Sabri Peqini. Mirëpo kjo hapësirë tani do të shfrytëzohej për një qëllim tjetër. Aty silleshin të lidhur me hekura “armiqtë e popullit”, të shoqëruar nga forcat e mbrojtjes e të policisë. Trupi gjykues zakonisht përbëhej nga tre persona. Dy ushtarakë dhe një civil në mes. Këto gjykime farsë nuk vazhdonin më shumë se një orë dhe pastaj “në emër të popullit” jepej verdikti I tmerrshëm: dënim me vdekje. Më pas këta njerëz fatkëqinj dërgoheshin prapa kinemasë dhe atje… siç flitej në popull, “griheshin nga plumbat”.                  

      Por kulmi do të arrinte një mëngjes vere të vitit 1949, kur në policinë e qytetit u sollën të lidhur dy vëllezërit Shtraza, nga fshati Hardhishtë. Arsyeja? “Kishin pranuar të strehonin bandën Mancaku dhe nuk kishin njoftuar forcat e mbrojtjes”, (por e vërteta ishte krejtësisht ndryshe). Të rrahur e të nxirë në fytyrë i nxjerrin para trupit gjykues, ndërkohë që qindra shijakas, si dhe të ardhur edhe nga shumë fshatra të zonës, me zemër të dridhur parandjenin të keqen e madhe. Si tani më dalin para syve vëllezërit e pafatë. Ndërkohë që gjykatësi lexonte vendimin çnjerëzor, më i riu shihte në fytyrë të vëllanë, sikur kërkonte ndihmë prej tij. Sapo u dha vendimi, një fuqi e mbinatyrshme i dha forcë të madhit dhe ai, pasi e mposhti për disa çaste dridhjen e trupit, me një zë të qartë iu drejtua trupit gjykues: “Ju lutem shumë mos ma damtoni vëllanë e vogël, mos na e mbyllni shtëpinë!” Por vendimi… qe i formës së prerë. Papritur nga masa e njerëzve u dëgjua një ulërimë rrënqethëse dhe pastaj një heshtje e plotë: kishte qenë e ëma e djemve, së cilës i kishte rënë të fikët.

      Menjëherë u vunë në veprim forcat e policisë që shpërndanë me dhunë turmën e mbledhur. Tashmë disa nga ne fëmijët e kishim fituar përvojën në raste të tilla, prandaj u larguam me të shpejtë drejt kampit ditor, që ndodhej përballë kinemasë, në kopshtin me pemë të Mersin beut. Përreth mbetën vetëm policë të armatosur. Unë me dy shokë të mi u zvarritëm deri te gardhi i madh, afër shtëpisë së Ymer beut, përgjatë rrugës së “bejlerve”. Pa u frikësuar nga ferrat, që po na gërvishtnin fytyrën, krijuam një hapësirë të nevojshme për të parë se ç’po ndodhte në anën tjetër të rrugës, prapa kinemasë. Vëllezërit Shtraza, të shtrënguar fort pas njëri-tjetrit, po i tërhiqnin me forcë drejt vendit të vdekjes. Pasi u lidhën sytë, ata u gjendën para skuadrës së pushkatimit. Për disa çaste vëllain e vogël nuk e mbajtën më forcat dhe ra në gjunjë, por i madhi një kreshnik i vërtetë, e ngriti me vrull në këmbë. Ashtu të përqafuar ata, “djem të pafajshëm të Hardhishtës atdhetare”, u kositën nga plumbat e diktaturës. Një trishtim i madh, si asnjëherë më parë, pushtoi Shijakun dhe shijakasit. Në sytë e të moshuarve dalloheshin lotë hidhërimi. Ndërkohë një piskamë e thellë përshkoi rrugët tërë pluhur të qytetit: ishte nëna e mjerë e dy djemve e cila, duke ulëritur e duke shkulur flokët, ligjëronte dhëmbjen e saj të padurueshme. Ky u bë sinjali i protestës së hapur ndaj kësaj mizorie. Shembullin e dha i pari burri i nderuar dhe shpirtmadh Meshan Gjonku (Akçiu). Ai me të shpejtë mbylli restorantin e vet në qendër të qytetit. Pa vonesë të gjitha dyqanet dhe lokalet e tjerë u mbyllën. Qyteti u boshatis i tëri, tashmë ai dukej plotësisht i vdekur.                               

Kur shkonim në shkollë…

Populli i Shijakut e ka dashur fort shkollimin dhe ka bërë gjithçka për të. Në këtë fushë kanë shkëlqyer figura të nderuara si Qazim Domi, Sulë Zalla, Avni Fortuzi, Tasim Këlliçi, Abdyl Keçi, Haki e Mexhit Bekteshi, Tofik Deliallisi, Mereme Shkodra, Fadil Deliallisi, Xheje Arbana, Hamdi Faja, Riza Deliallisi, Gani Keta, Sulë Shtraza, Xhyhere Belshaku, Hamza Vlashi, Hamza Shahini, Bedri Deliallisi, Shefik Deliallisi, Liri Kore, Shefqet e Drita Demiri, Gjenovefa Stambolla, Omer Dizdari, Shefqet Jakova, Fadil Metalla, Naim Dallaku, Aleksandra Deda e shumë të tjerë. Ata ishin plotësisht të ndërgjegjshëm, korrektë, shpesh herë edhe mjaft të rreptë, por gjithnjë objektivë. Më kujtohen si sot mësuesit e mi të dashur të fillores, z. Sulë Zalla (megjithëse të “ndëshkonte” me goditje rrige), mësuesi Tasim Këlliçi, (që “t’i shkulte” flokët me dy gishtërin), mësuesi Hajro Kore, gjithnjë energjik, zonjush Mereme Shkodra, që ishte në gjendje të jepte të gjitha lëndët e shkollës shtatëvjeçare dhe që drejtonte grupet artistike në shkollë e në qytet, mësueset gjithnjë të papërtuara Xheje Arbana e Xhyhere Belshaku etj.

Ndërtimi i shkollës së re shtatëvjeçare, në vitin 1947, do t’i jepte një hov të ri zhvillimit të arsimit në qytet. Në kolektivin e saj do të punonin drejtori energjik Sulë Shtraza, mësuesi i mrekullueshëm, por jetëshkurtër Vehbi Kokoli, edukatorë të përkushtuar e të talentuar si matematikanët e vërtetë Faik Meçe, Naire Kokona e Lejla Tirana, mësuesit e palodhur Dhosi Liperi e Mali Llanaj bashkë me të shoqen Liri Llanaj, njohësi i rrallë i letërsisë, Kel Gashi, çifti i nderuar Zef dhe Paulina Radovani, muzikanti Hasan Belshaku, mësuesit me kulturë të gjërë si Vitori Nini, Sedat Monapati, Zef Koliqi, Shefqet e Drita Demiri etj.Sot u duket e pabesueshme të rinjve po t’u thuash se në ato vite urie të pasçlirimit merrnim me vete sapllakun prej alumini dhe, para se të futeshim në mësim, rreshtoheshim para kazanit me qumësht (kazani i madh i vendosur mbi disa gurë ndodhej në krahun e majtë të shkollës). Pastruesja e shkollës, nënë Meremja (që do ta pasonte për dekada me rradhë e papërtuara Bajame Mastori), punëtore e palodhur dhe shumë dashamirëse, çdo mëngjes e mbushte me ujë dhe në të hidhte disa kilogramë pluhur qumështi. Pastaj nën kazanin ndizte një zjarr të madh, dhe masa shndërrohej në një qumësht të vërtetë. Pasi e pinim qumështin e nxehtë, futeshim në mësim. Me respektin më të madh kujtoj shokët e mi të shkollës të atyre viteve si Xhavit, Petrit dhe Bujar Domin, Fatmir Zallën, Rifat Malltezin, Qani Kalleshin, Agim Fajën, Besnik Llaftiun, Ndriçim Vrionin, Shefqet Rushitin (Merkon), Ver Dukën, Nexhat Guzën, Uran Aliten, Met Metallën, Irfan Metallën, Xhavit Metallën, Bexhet Metallën, Burhan Bejën, Agim Alinë, Niko Bespallën, Rexhep Dedjen, Besnik Kërtallin, Beniamin Kokolin, Reshit Dinon, Arif Mehmetin, Ylli Bekteshin, Vjetor Dedjen, Mustafa Bajon, Mem Jasharin, Cen Varosin, Ver Shkodrën, Myftar Kadiun, Isa Xhijën, Saliko e Feruz Qejvanin, Lutfi Muratin, Halit Vezin, Shefik Vezin, Masar Xhelilin, Muharrem Tiranën, Genc Plavën, Bajame Rushitin, Reshit Xhafën, Fehmi Tafaruçin, Sami e Hasan Shahinin, Xhemal Prezën, Ver Muçën, Ver Kaçiun, Jahe Keçin, Haki Kërtallin, Ismail Ramën, Bujar Shahinin, Sotiraq Llambin, Petrit e Luan Dërgutin, Abdi Kasën, Jahe Resulin, Rifat Bukën, Jaz Bukën, Rifat Shahinin, Idriz Hushin, Tofik Tikvinën, Adem Hushin, Nexh Bërhamin, Besnik Shahin, Lulzim Meron, Naim Guzën, Fatmir Stafën, Pëllumb Resulin, Hysen Hadon, Qerim Shkodrën, Muharrem Gjonkun, Qemal Dukën, Nezir Kërtallin, Hizër Kupen, Elmaz Taren, Sejran Keçin, Salk Abatin, Fuat Libohovën, Ramazan Dedjen, Fatmir Kastratin, Beniamin Trandafilin, Ver Domin, Rifat Lalën, Agron Deliallisin (nga ferma) etj.

Ngjarje madhore për Shijakun u bë hapja në shtator të vitit 1959 e shkollës së parë të mesme, me drejtues njërin nga kuadrot më të afta të arsimit në rrethin e Durrësit, Burhan Hotin. Në personelin fillestar të kësaj shkolle do të bënin pjesë mësuesit e nderuar Shefqet Demiri (nëndrejtor i parë, që pas dy muajsh u pasua nga nëndrejtori tjetër, Hyqmet Kalleshi), Fadil Galiqi, Eli Prifti, Loni Vava, Bido Ibrahimi, Ali Çinari, Donika Hasha e Agim Faja. Dekada do të kalonin dhe shkolla e mesme do të zgjerohej me kuadro e nxënës të shumtë, duke u shndërruar në një vatër të vërtetë dijesh për të gjithë krahinën.

Pas shumë vitesh përsëri do të vija në shkollën time të dikurshme, por tashmë si mësues. Mbresat e punës së gjatë në arsim janë nga më të ndryshmet. Ishte viti 1962, kur fillova punën në arsim. Në atë kohë drejtori i shkollës së mesme ishte Hyqmet Kalleshi, njeri shumë energjik, i përgatitur dhe dashamirës. (Më vonë, si askush më parë, për vite me rradhë ai do të drejtonte me sukses Komitetin Ekzekutiv të Shijakut dhe në atë periudhë intelektualët vendas dhe të ardhur do ta ndjenin veten “të qetë”. Këtë traditë drejtimi do ta zbatonte me sukses edhe kryetari i mëvonshëm i komitetit, ish futbollisti i njohur Bahri Dallaku). Kushtet në arsim ishin mjaft të vështira, sidomos për ata që jepnin gjuhën e huaj, sepse ishte jashtë çdo logjike elementare të jepje atë lëndë në klasa që shkonin nga 40 – 55 nxënës. Por ky ishte realiteti, i cili ta impononte që t’i nënshtroheshe e që do të vazhdonte për shumë kohë.

Vitet e kanë bërë të vetën, por përsëri ato kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesë. Për një kohë të gjatë i vetmi argëtim aktiv për ne, mësuesit e shkollës 12-vjeçare “16 Shtatori” të Shijakut, ishte loja e ping-pongut. Gati çdo mbasdite Xhaviti, Bardhi, Ismeti, Hysniu, unë si edhe Ryzhdi Rroshi e Vlash Toçi mblidheshim tek palestra e shkollës dhe luanim me orë të tëra ping-pong. Më i miri nga ne ishte, mbase më fisniku midis kolegëve, Xhavit Rroshi. Si rrallëkush atë e donin dhe e respektonin të gjithë dhe prej tij mësuan breza të tërë nxënësish (ai jepte vizatimin teknik, matematikën dhe mekanikën bujqësore).                                                     *Historian dhe përkthyes.

 

SHKARKO APP