Shishtaveci i pleqërisë i patates dhe i parullave

 

Nga Azem Parllaku
 
Kjo zonë ka bërë emër për harmoni, bashkëjetesë, e tolerancë  si rrallë kundtjetër, ndërkohë komuniteti këtu është punëdashës i lidhur fort me tokën, në të cilën kultivohet patatja dhe kjo me emër “si e Shishtavecit”.
Jo shumë larg, dy dekada më parë në zonë nxirrnin tym më shumë se dy mijë shtëpi, ndërsa tani kanë mbetur, pothuaj çereku i tyre.
Me shpresën se do të ketë një rrugë më të mirë, njerëzit këtu janë duke jetuar një nga periudhat më të vështira nga sa mbanë mend.
Në kërthizë të Gjallicës, e poshtë këmbëve të maleve e kodrinave përreth, fshatrat i zgjojnë pelegrinazhet e kurbetqarëve dhe të ikurve të tjerë, në ato pak ditët e verës së shkurtër. Në më të shumtën e kohës, kanë mbetur vetëm pleqtë e disa dhjetra nxënës shkolle.
Kur të parët, ishin vendosur në pozicione dominuese këtu, asociuan veten e familjet e tyre, e siç ishte shkruar fati, ata bënë një jetë më të mbyllur, e imponuar nga barriera të fuqishme gjeografike e shpirtërore.
Duke bërë kështu një jetë më të pamvarur, e duke jetuar harmonikisht në bashkësi të ngushtë, këto katunde do të kishin, doket e zakonet e veta, do të manifestonin vyrtyte e veçori të karakterit që do t’i dallonin.
Historia e popullit në këto anë, ka qenë një luftë e pandërprerë, një ndeshje jo vetëm me natyrën, por dhe me dhunën e sistemeve në kohë të ndryshme.
Fshatrat këtu janë më tepër se një tog shtëpish, e rrugicash me tre-katër kroje si vende tradicionale të miqësive femërore. Ato shfaqen si një projektim hapsinor i mardhënieve shoqërore, njëherësh strukturuar nga ndasi që e bëjnë të dallueshme profanen nga e shenjta, punën nga zbavitja, publiken nga privatja, burrat nga gratë, familjen nga gjithçka tjetër që nuk i përket asaj.
Sot këtu, dhimbja e kurbetit është gdhendur në këngët fort të përmallueshme, e ajo jehon së largu, por shumë më shpesh në ditët tona. Duke i njohur këta njerëz, e kupton se ata i përshkon një frymëmarrje e ngrohtë qytetarie e patriotike.
Tridhjetë kilometra nga qyteti i Kukësit në kufirin ndarës të tre shteteve, dy prej tyre shqiptare dhe tjetrit me pothuaj gjysmën e popullësisë shqiptare, kjo zonë mbeti e mbetet rurale fatkeqësisht.
Rruga e shkelur më shumë,  është ajo në ndërtim e sipër përgjatë Grykës së Vanave, teksa mund të udhëtosh nga Kosova për të mbrrirë në pikat doganore të Shishtavecit dhe Borjes. Lidhja me Tetovën përmes qafave të Sharrit dhe me Dibrën përmes grykës së Çajës, janë kujtime të së shkuarës.
Për të mbrritur deri në Shishtavec ke lënë pas Nimçën e famshme të uraniumit, Topojanin dhe Brekijnë e masakruar nga shovinistët serb, Kollovozin e Havzi Nelës, Shtrezën një fshat i kërcënuar nga rrëshqitjet e masiveve shkëmbore, e së fundmi Novosej i njohur për disidencë në të gjithë kohërat.
Togu i të moshuarve që mbajnë në kokë beretën karakteristike, e kuvendojnë ulur në anë të një ledhi gurësh, si dhe disa parulla të dyzet viteve më parë në fasadat e ndërtesave dykatëshe, të tregojnë se je në qendër të Shishtavecit.  
Kryeministra, ministra, deputetë, ambasadorë, pushtetarë lokal, misionarë të OJQ-ve, kanë xhirotuar deri këtu, vetëm në ditët kur u është dashur të përkujdesen për votën, apo për të promovuar veprimtari qëllimi i të cilave kurrë nuk është finalizuar.
Shishtavecarët janë njerëz mikpritës dhe të hapur, ndaj nuk ngurojnë të të gostisin me ndonjë gotë vodka, apo uzo në lokalin e tyre në qendër të fshatit. Baristi i lokalit, i cili bën dhe kamarierin, dhe kuzhinierin të paralajmëron se ekspresi nuk është bërë akoma, mbasi nuk ka patur rrymë elektrike.
E kështu, biseda nis për energjinë elektrike e cila sapo ishte rykthyer pas tre ditësh. “Nuk dijmë ç’bëjnë të tjerët”, thonë bisedonjësit, “por e vërteta është se pagesat për energjinë kryhen në kohën e duhur”. Ndërsa po të kërkosh në të dhënat e OSSHE, është e vërtetë që zona në fjalë arkëton sistematikisht dhe në kuota mjaftueshëm të kënaqëshme.
“Energjinë do e paguajmë, mbasi i kemi të gjithë fëmijët jashtë dhe na duhet të komunikojmë çdo ditë me evlatët”. Kështu ke mësuar se pothuaj 50% e familjeve jetojnë larg në emigracion kryesisht në Angli. E dhimbshme por shpresa këtu ka mbaruar, varganit të gjatë të të ikurve i shtohen dhe 34 familjet së fundmi, që kanë guxuar të sfidojnë paralajmrimet që mbërrijnë nga  Austria dhe Gjermania.  Ndërkohë krahas shërbimit të telefonisë së lëvizshme të ofruar nga operatorët vendas, komuniteti këtu abonohet rregullisht tek ofruesit e këtij shërbimi në Kosovë, si mundësi e sigurtë dhe pa ndërprerje.
Ndërsa lumi i Topojanit, përbri rrugës është futur në tuba nga sipërmarrësit e HEC-eve, të vegjël, biseda rrëshqet për kah uji i pijshëm. Ujrat e pijshëm të Kallabakut kanë ardhur dikur deri në çezmat e familjarve, sot ato vijnë deri në depon qëndrore, por për ironi të fatit nuk derdhen nëpër çezma. Thuhet se investuesi i projektit nuk është i kënaqur me punën e bërë, e thashemnaja anatemon invesitorin i cili nuk paska mundësinë e pajisjes së rrjetit me matësit përkatës.
Parullat, qëmoti në fasadat e dykatësheve, të lënë të kuptosh që ky komunitet nuk ka ndjeshmërirë për politikbërjen dhe qeverisjen. Në fakt është krejt ndryshe. Deputetin e qarkut Flamur Noka, e duan mbasi ai ka këmbëngulur fort për ndërtimin e rrugës që lidh fshatrat me Kukësin, e krahas kësaj bashkëpatrioti Noka, u vendos në krye të nismës për të legalizuar lëvizjen me automjete përmes pikës doganore me Kosovën, këtu në Shishtavec.
Me sytë dhe veshët nga Qeveria, këta njerëz mbajnë mend Kryeministrin Rama, me të cilin dikur kishin kuvenduar, dhe e kishin parë teksa, zbriste nga makina për të takuar disa nxënës shkolle, të cilët udhëtonin me kilometra të tërë për të shkuar në orën e mësimit, por “mbamendje” të thonë.
Gjatë fushatës “Dialog me Shqipërinë”, Kryeministri kishte bërë ndalesën e radhës në Shishtavec, e kish bashkëbiseduar me shishtavecarët për gjendjen e rëndë të fermerëve dhe synimin e Partisë Socialiste në qeverisje. Në qendër të vëmendjes, si gjithmonë kishte qenë bujqësia dhe zhvillimi rural, por ironikisht banorët këtu premtimet qeveritare i quajnë “lojra fjalësh”.
Peisazhet e bukura dhe resurset e natyrës në këto anë, e kishin befasuar dhe kryeparlamentarin Meta, i cili kish premtuar investimet për turizmin malor, madje kishte përmendur dhe kishte shprehur dëshirën, që familjarisht të vinte çdo verë këtu, por ç’e do dhe kjo dëshirë dhe premtim “mbamendje” të thonë.
Kavaletat e patates përgjatë sinorëve të arave, të kujtojnë ekspeditën e bujshme të ministrit Panariti, i inspiruar nga angazhimi shefave të diplomacisë së Holandës, Turqisë, por dhe Shqipërisë në Kosovë , teksa deklaronte një treg të sigurtë të së famshmes patate, tashmë jo në Shqipëri, por në Kosovë.
Kaq shumë kishin besuar këta njerëz, dhe nën kujdesin e qeveritarëve vendorë i shtuan kalendarit të eventeve dhe “Ditën e patates”, e cila si të gjithë ditët e shënuara, mbledh të moshuarit dhe nxënësit në oborrin e shkollës.
“Lojë fjalësh” dhe kjo inisiativë në të cilën u bënë pjesë dhe kryekomunarët e Vushtrisë dhe Dragashit, por edhe kompania “Pestova” në Kosovë.
Domosdoshmërisht njerëzit këtu shpresojnë t’i jepet një zgjidhje e volitshme problematikave sa i përket kultivimit të patates dhe tregut të saj, si një burim të ardhurash, me ndikim në përmirësimin e kushteve të jetesës.
Të imponuara nga pamundësitë familjet e mbetura shfrytëzojnë si burim alternativ të ardhurash mbledhjen dhe grumbullimin e bimëve medicionale, tregun e të cilave e garantojnë blerës kryesisht nga Kosova. Ndërsa të ardhurat nga emigracioni janë sa për mbijetesë, kjo për faktin e pagesave të majme të kryera për lëvizjet drejt Perëndimit, e çmimeve të krypura të pasaportave bullgare që të larguarit blejnë herë pas here.
Megjithëse ndërtesa e Komunës, është dhe ajo në qendër të fshatit çuditërisht aty shihen të hyjnë rrallë jo vetëm këta njerëz, por dhe punonjësit. E vetmja shkuarje pranë zyrave të Komunës, është nevoja për pajisjen me ndonjë çertifikatë.
Me gjithë përkushtimin e admiruar të mjekut në zonë, përkujdesja shëndetësore kryhet në kushte shtëpie, ndërsa për rastet e urgjencave më shumë i drejtohen klinikave shëndetësore në Kosovë, ndërsa për ilaçet dhe barnat as që bëhet fjalë, t’i marrësh në bazë të recetës.
Për të ardhur keq kur mëson, se lindjet foshnjore numërohen me gishtat e njërës dorë, e sa për dasmat qëllojnë shumë rrallë, kryesisht ato të vajzave.
Shishtaveci dhe fshatrat përreth, ngjajnë të lënë menjëanë, çdo ditë e më tepër, ato po bjerren nga emigracioni. Të moshuarit që përshkojnë rrugicat e fshatrave, përshëndeten me pak të rinjtë që kanë mbetur. Kësaj panorame trishtuese i shtohen tek-tuk dhe gratë e moshuara të mbështetura pas portave të avllive, të cilat fjalosen mesvete, e vështrimin e kanë hedhur diku, shumë larg.

SHKARKO APP