Shkodra dhuron një spektakël të mahnitshëm në natën e ndezjes së dritave të festës

Momenti final nga ndezja e dritave në Shkodër, foto Terenc Pepa

Nga Albert Vataj
Në Shkodër, mbrëmja e 6 dhjetorit nuk ishte thjesht një datë në kalendar. Ishte një grishje e dritës ndaj errësirës, një përqafim i gëzimit ndaj rutinës, një shpërthim i atij karakteri të përjetshëm shkodran që di të festojë me zemër, me zë dhe me shpirt. Qyteti i njerëzve të bukur, i kulturës që nuk rrezikon kurrë të shuhet, u bë për një natë kryeqyteti i gëzimit — një kartolinë e gjallë e një sezoni që sapo ka nisur.

Ndezja e dritave të festës i vuri zjarrin simbolik diellit të dhjetorit në gjithë Shqipërinë, por ajo që realizoi Bashkia Shkodër nën kujdesin e kryebashkiakut Benet Beci ishte një sipërmarrje e përmasave të papara. Një superspektakël që jo vetëm i tejkaloi pritshmëritë, por i shtyu kufijtë e asaj që mund të quhet atmosferë festive. Për disa orë, qyteti u zhvendos në një dimension ku gëzimi bëhet përbashkues, drita bëhet ritëm, ndërsa fëmijët – protagonistë absolutë – krijuan një koreografi spontane lumturie.

Momenti final nga ndezja e dritave në Shkodër dhe pamja spektakolare para godinës së bashkisë ku ishte edhe pika kulmore e shpërthimit të kësaj magjie festive, foto Terenc Pepa


Magjia e kësaj nate nuk qëndron vetëm në ndriçimin që e bën natën ditë, në ato qindra e mijëra shkëlqime që rrëshqasin mbi kalldrëme e ndërtesa, por tek njerëzit. Tek prindërit që i shohin fëmijët e tyre të qeshin me gjithë shpirt, tek qytetarët që përfshihen me natyrshmëri në atmosferën e kremtimit, tek familjet që shndërrohen në figurantë të një skene të madhe dashurie dhe gëzimi. Shkodra u bë një qytet-kartolinë, një hapësirë ku emocionet nuk mund të përshkruhen, vetëm të përjetohen.

“Atmosferë magjike, emocione pa fund. Shkodra është thjesht e mrekullueshme”, shkruan kryebashkiaku Benet Beci në rrjetet sociale, duke përmbledhur gjithçka që kjo natë dha: jo një event, por një premtim — se ky muaj gëzimi do të ketë ritmin, energjinë dhe shpirtin e Shkodrës që di të festojë.

Për qytetarët, kjo natë kishte peshën e traditës dhe të krenarisë:
“Njerëz të qeshur, fëmijë të gëzuar, atmosferë e jashtëzakonshme, ashtu siç i ka hije Shkodrës! Bravo Bashkisë! Prandaj mos u mendoni dy herë, por bujrum në Shkodrën tonë të dashtun”, shkruan një komentues, duke bërë ftesën që shkodra e jep gjithmonë me bujari.

Spektakli nuk do të ishte i plotë pa muzikën — gjuhën universale të gëzimit. Tingujt, zërat, ritmet e bënë sheshin një zemër të madhe që rrihte në të njëjtin puls me mijëra njerëz.

“Aurela Gaçe ndezi sheshin”, njoftoi Beci në një tjetër publikim. Dhe me të drejtë. Ajo solli energjinë e saj të papërsëritshme, shpërtheu në skenë me atë vulë karakteristike që ngre publikun në këmbë, dhe shndërroi natën në një festë të madhe ku kënga ishte ftesë, ritmi ishte bashkim, ndërsa atmosfera – thjesht elektrizuese.

Në Shkodër, para godinës së bashkisë ku ishte edhe pika kulmore e shpërthimit të kësaj magjie festive, gjatë koncertit që ishte pjesë e kësaj mbrëmje të jashtëzakonshme, foto Terenc Pepa


Shkodra, edhe një herë, tregoi se është më shumë se një qytet. Është një gjendje shpirtërore. Një premtim gëzimi. Një stinë e vërtetë feste që fillon nga zemrat e njerëzve dhe shpërndahet si dritë mbi gjithë qytetin. Në këtë dhjetor, Shkodra nuk i ndezi vetëm dritat – ndezi zemrat.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?