Shkrihet drejtoria e shërbimit të trupit diplomatik, DSHQ merr në dorë asetet
Qeveria ”Rama 4” ka vendosur shkrirjen e Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik (DSHTD), institucioni historik që menaxhonte rezidencat dhe shërbimet për diplomatët e huaj në Shqipëri. Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, kjo drejtori do të përthithet plotësisht nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), duke krijuar një strukturë të vetme për menaxhimin e aseteve shtetërore.
Vendimi parashikon që i gjithë portofoli i pasurive të paluajtshme që deri më tani administrohej nga DSHTD përfshirë vilat, apartamentet dhe zyrat që jepen me qira për ambasadat apo diplomatët të kalojë nën administrimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Së bashku me pronat, DSHQ-së i kalojnë edhe të gjitha sendet e luajtshme, kontratat ekzistuese dhe detyrimet financiare.
Fati i punonjësve dhe afati i fundit
Një pikë e rëndësishme e vendimit lidhet me stafin aktual të Drejtorisë së Trupit Diplomatik. Sipas vendimit, qeveria ka lënë dorë të lirë te institucioni përthithës (DSHQ) për të vendosur se cilët punonjës do të mbajë në punë. Sipas pikës 2 të vendimit: “DSHQ kryen procedurat në funksion të trajtimit të punonjësve të DSHTD-së sipas nevojave të institucionit”. “Procedurat për sistemimin e stafit ose zgjidhjen e marrëdhënieve të punës, duke respektuar Kodin e Punës për dëmshpërblimet, duhet të mbyllen brenda datës 31 dhjetor 2025”, thuhet në vendim.
Likuidimi brenda 30 ditëve
Për të realizuar këtë shkrirje, do të ngrihet një Komision Likuidimi me 7 anëtarë. Ky komision ka 30 ditë kohë nga hyrja në fuqi e vendimit për të bërë bilancet, mbylljen e kontratave dhe inventarizimin e pasurisë. Pas përfundimit të këtyre procedurave, Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik do të çregjistrohet përfundimisht nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), duke pushuar së ekzistuari si ndërmarrje më vete. Në bazë të vendimit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare do të jetë autoriteti i vetëm përgjegjës si për pritjen e delegacioneve qeveritare, ashtu edhe për shërbimet ndaj trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
KOHA JONË SONDAZH

