Shlyerja e detyrimeve të prapambetura, MF: Kemi alokuar 14.33 miliardë lekë
Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 14.33 miliardë lekë detyrime të prapambetura.
Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, rinisi ne mesin e muajit maj, pasi procesi ishte bllokuar për shkak të auditimit të kërkuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar mbi mënyrën se si janë kryer pagesat e detyrimeve deri më tani.
Gjithsej për vitin 2015 janë planifikuar të shlyhen 20 miliardë lekë detyrime të prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në kuadër të strategjisë, deri në 2 qershor 2015, janë alokuar në total rreth 14.33 miliardë lekë detyrime të prapambetura.
Për investimet publike, janë alokuar 5.8 miliardë lekë, për shpenzimet korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.2 miliard lekë, për rimbursim TVSH-je janë alokuar rreth 4.5 miliardë lekë, ndërsa për zërin “të tjera” janë alokuar 3.8 miliardë lekë ku përfshihen, detyrimet për “vendimet gjyqësore”, janë alokuar rreth 1.6 miliardë lekë, “shpronësimet” janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe “emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë.
Një pjesë e këtyre detyrimeve duke shkuar tek kompanitë iu kanë dhënë mundësi atyre për të shlyer edhe detyrimet fiskale që i janë kthyer buxhetit në formën e të ardhurave, për t’u investuar, sipas programit të Qeverisë. Shlyerja e borxheve të prapambetura ishte një nga angazhimet më të forta politike të qeverisë së majtë. Sipas të dhënave zyrtare, shuma totale e këtyre borxheve që qeveria e djathtë kishte akumuluar në vite ndaj biznesit ishte rreth 726 milionë dollarë.
Qeveria programoi që në vitin 2014 të shlyente 350 milionë dollarë detyrime të prapambetura ndaj biznesit. Ndërsa në buxhetin e vitit 2015 ajo llogarit të shlyejë shumën prej 200 milionë dollarësh dhe në vitin 2016 po 200 milionë dollarë. Ministria e Financave ka hartuar strategjinë përmes së cilës nuk krijohet hapësirë për detyrime të prapambetura ndaj biznesit në ardhmen.