Shorti, “përsëriten” Barcelona-Manchester City dhe PSG-Çelsi

Manchester City do të përballet sërish me Barcelonën, në 1/16-at e UEFA Champions League, pasi shorti i hedhur dje në Nion të Zvicrës, u tregua më “mizor” me këto dy ekipe. Skuadra katalanese e eliminoi ekipin e drejtuar nga Manuel Pellegrini, duke fituar 4-1 në total, pas dy ndeshjeve. Chelsit i duhet gjithashtu të përballet me një ekip tjetër të fortë, me të cilin ndau një sezon më parë një vend në çerekfinale të Champions League, duke qenë se shorti e vuri dje përballë PSG. Sezonin e kaluar fati u “buzëqeshi” Bluve të Londrës, që kaluan më tej, falë një goli në fushë kundërshtare, sepse në total, pas dy ndeshjeve rezultati ishte, 3-3. Arsenali do të përballet me francezët e Monakos. Trajneri  i saj francez, Arsen Venger, i cili ka drejtuar më parë ekipin e principatës, tha i emocionuar pas shortit:  -“Do të jetë vizita e parë në shtëpinë time. Sigurisht, dua të shkoj atje. Ndeshjet e tjera do të jenë: Bayer Leverkusen përballë nën-kampionëve të Europës së sezonit të kaluar, Atletico Madrid dhe Juventusi do të përballet me Borussia Dortmund, me të cilën ndau trofeun në finalen e Champions League, 1997. Schalke takohet me kampionët në fuqi të Europës, Real Madrid, kurse Bayern Munich përballet me Shakhtar Donetsk, si dhe Basel ndeshet me Porto. Drejtuesit e klubeve, pas hedhjes së shortit ndanë pikëpamjet e tyre mbi kundërshtarët dhe mundësitë e kualifikimit. Sekretari i Chelsea, David Barnard, u shpreh pas hedhjes së shortit: – “PSG e njohim, sepse ne luajtëm ndaj këtij ekipi në çerekfinale të sezonit të kaluar, por ata kanë marrë një nga lojtarët tanë, David Luiz.” Mbi brazilianin Luiz, i cili ndërroi dy ekipet pas Kupës së Botës, drejtori sportiv i PSG, Olivier Letang, theksoi: – “Mendoj se  David do të gëzohet që do të luajë sërish në “Stamford Bridge” dhe gjëja më e rëndësishme është nëse fiton PSG. Ne shpresojmë që të hakmerrmi ndaj Chelsea, pas eliminimit gjatë sezonit të kaluar.” Zv-presidenti i Barcelonës,  Jordi Mestre, vlerësoi kundërshtarin me të cilin ekipi i tij do të diskutojë një vend në çerekfinale të Champions League. – “City është një ekip tërheqës, do të jenë dy ndeshje të bukura, që ia vlen të shihen.  E dimë se Manchester City është një skuadër shumë e vështirë dhe do të jetë po aq e vështirë të kalojmë më tej.”  Pas hedhjes së shortit, mesfushori i Real Madrid, Toni Kroos, hodhi një foto me shokët e tij të kombëtares së Gjermanisë, Benedikt Hoëedes – mbrojtësi i Schalke – dhe Mario Gotzen, me të cilët fitoi në verë trofeun e Kupës së Botës.   Drejtori i Bayern, Karl-Heinz Rummennigge, u shpeh pas hedhjes së shortit: – “Shakhtar Donetsk është një kundërshtar që në bën vërtet favoritë, por do të presim duke i respektuar maksimalisht të dyja ndeshjet ndaj këtij ekipi. Shakhtar zhvilloi ndeshje shumë të mira në fazën e grupeve. Do të jetë padyshim një eksperiencë e mirë për ekipin tonë,” – theksoi ai, duke mos vënë në diskutimk kualifkimin, teksa Bayern synon finalen e madhe, që këtë vit do të luhet në Berlin.  Drejtori i Juventus, Pavel Nedved i tha “uefa.com”, pas hedhjes së shortit: – “Shorti mund të kishte qenë edhe më i vështirë, sepse ishin ende pa u zbuluar ekipe si Bayern e Madrid, kur mësuam se do të jemi përballë Borusias.  Por do të jetë e vështirë. Ka pak ekipe që nuk konkurojnë në këtë kompeticion, megjithatë jemi të kënaqur që do të luajmë përballë një skuadre ndaj së cilës mendojmë se kemi shanse.” Juve kërkon të shkojë në çerekfinale, si skuadra e vetme italiane e mbetur në Champions.

Champions League

8 çiftet për një vend në çerekfinale

PSG- Chelsea

Man. City- Barcelona

B. Leverkusen- Atlétiko M.

Juventus- Borusia D.

Schalke- Real Madrid

Shakhtar D.- Bajern

Arsenal- Monako

Basel-Porto

 

 

Rruga drejt Berlinit

Ndeshjet çerekfinale: 14/15 & 21/22 prill

Ndeshjet gjysmëfinale:  5/6 & 12/13 maj

Finalja (Olympiastadion, Berlin), 20.45, 6 qershor 2015

 

Fakte nga shorti

• Dortmundi fitoi ndaj Juventusit 3-1 në finalen e UEFA Champions League të Mynihit, në vitin 1997, por skuadra italiane kishte fituar 6-1 në dy ndeshjet finale të Kupës UEFA, katër vjet më herët.

• Paris Saint Germain do të përballet me Chelsea-n, për një vend në çerekfinale, ashtu si edhe një sezon më parë. Londinezët humbën 3-1 një vit më parë, por u kualiifkuan, në Champions ndaj të njëjtit ekip, falë fitores 2-0 në “Stamford Bridge”.

• Manchester City-Barcelona është një ndeshje tjetër e fortë e këtij edicioni për një vend në çerek-finale, teksa përsëritet sfida 2013/14. Klubi spanjoll triumfoi 2-0 në Manchester dhe 2-1 në shtëpi, për të siguruar një vend në çerekfinale.

• Real Madrid kaloi me lehtësi Schalken, në 16-shen e vitit të kaluar, pasi fitoi 6-1 në “Gelsenkirchen” dhe 3-1 në Spanjë; Cristiano Ronaldo shënoi katër gola, në të dyja ndeshjet.

• Atletiko dhe Leverkusen barazuan 1-1 në të dyja ndeshjet e fazës së grupeve të 2010/11, të UEFA Europa League.

• Shakhtar dhe Bayern, si dhe  Porto dhe Basel nuk janë takuar asnjëherë më parë mes tyre, në Champions. Në radhët e zviceranëve të Basel luajnë dy shqiptarë, Shkëlzen Gashi dhe Taulant Xhaka, qëjanë të vetmit lojtarë të kombëtares sonë në këtë kompeticion.

• Arsenali  dhe Monako nuk kanë luajtur ndaj njëra-tjetrës. Trajneri Arsèn Venger ka drejtuar ekipin francez mes viteve 1987 e 1994, duke fituar një trofe të Ligue 1 (1988) dhe një Kupë të Francës, (1991). Monako arriti gjithashtu në finale të Kupës së Kupave, 1992, nën drejtimin e Venger dhe humbi 2-0 me Verder Bremen.

 

SHKARKO APP