Shpërblimet, 98.4 mln lekë nga fondi i pagave policisë, përfitues dhe pensionistët

 

Punonjësit e policisë së shtetit do të marrin shpërblim deri në 2 paga mujore. Vendimi i qeverisë është miratuar në Fletoren Zyrtare dhe vë në dispozicion për këtë zë 98.4 milion lekë. Ndërkohë që ende nuk ka dalë akti normativ i qeverisë për kategoritë e tjera që do përfitojnë shpërblime për festat e fundvitit.

Punonjësit e policisë që do të marrin shpërblim për festat e fundvitit parashikon një fond prej 98.4 milion lekësh dhe dhënie shpërblimi deri në 2 paga.

Shpërblimet e policisë janë vënë në dispozicion nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e efektivëve që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës.

Por policia e shtetit nuk është e vetmja kategori që do të përfitojë, pasi aktualisht po punohet për të përmbyllur vlerën e shpërblimeve edhe për disa kategori të tjera siç janë rreth 600 mijë pensionistë, invalidët dhe familjet që marrin ndihmë ekonomike.

Edhe punonjësit e administratës që kanë pasur një performancë të lartë do të shpërblehen për fundvit.

Edhe pse nuk është bërë publike vlera e shpërblimeve pritet që të jetë e njëjtë me atë të një vit më parë.

Kështu për pensionistët kryefamiljarë, për familjet me ndihmë ekonomike dhe aftësi të kufizuar, shpërblimet vitin e kaluar kanë qenë 20 mijë deri në 30 mijë lekë dhe për veteranët e të ish-përndjekurit mbi 60 vjeç, 50 mijë lekë (të vjetra).

SHKARKO APP