Shpërblimet, Rama: Do vlerësojmë më të mirët

Kryeministrit Edi Rama, ministrja Lindita Nikolla dhe zëvendëskryeministrit Niko Peleshi ishin tw pranishëm nw “Forumin Qytetar” tw organizuar nw qytetin e Korccws. Duke u ndalur nw reformwn nw arsim, Kryeministri Edi Rama nënvizoi se ajo çka ka ndodhur këtë vit në sistemin arsimor është themelore për atë çka do të vijojë në vitet e tjera. “Unë besoj që çka ka ndodhur këtë vit ka qenë jashtëzakonisht themelore për atë që do të vazhdojë në vitin e ardhshëm dhe do të vazhdojë në vitet e tjera. Sepse jemi kthyer për të operuar sistemin e arsimit në qelizë”,- u shpreh Kryeministri. Qeveria vendosi shpërblim për mësuesit dhe nxënësit më të mirë, pasi synon të tërheqë edhe të tjerët drejt shembujve më të mirë. “Falë mësuesish dhe drejtuesish jo vetëm të zotë, por edhe të përkushtuar, kemi, për fat të mirë, shembujt që na duhen për të tërhequr edhe të tjerët pas shembujve më të mirë. Kjo ishte dhe arsyeja pse Qeveria e vlerësoi me një shpërblim të posaçëm për herë të parë mundin dhe rezultatet e më të mirëve, qoftë të mësuesve, qoftë të nxënësve. Jo thjesht për të shpërblyer financiarisht këta, por për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë të gjithëve dhe për të vënë theksin tek më të mirët”- tha Kryeministri Rama. Gjithashtu, Kryeministri e cilësoi domosdoshmëri nxitjen, vlerësimin dhe promovimin e më të mirëve. “Shembulli i më të mirëve për ne është absolutisht i domosdoshëm dhe nxitja, vlerësimi, promovimi i më të mirëve është absolutisht i domosdoshëm. Sepse kemi 20 vjet në një shoqëri që drejtohet duke stimuluar në vazhdimësi lëmoshën, parazitizmin, dembelizmin, paaftësinë, prapambetjen dhe duke harruar gjithmonë se në fakt në radhë të parë duhet stimuluar shembulli më i mirë. Shteti duhet të mbështesë shumë më tepër mësuesit më të mirë, duhet të mbështesë shumë më tepër studentët më të mirë, duhet të mbështesë shumë më tepër sipërmarrësit më të mirë, duhet të mbështesë shembujt që tërheqin shoqërinë. Se janë këta që prodhojnë gjërat që pastaj kemi ne përgjegjësinë ti rishpërndajmë. Në këtë aspekt ne na duhet aleanca e më të mirëve”, tha Rama.  Sa i përket cilësisë së mësimdhënies, Kryeministri vlerësoi se “investime në dije nuk janë thjesht muret e shkollave apo blerja e kompjuterëve dhe vendosja e tyre nëpër laborator, por fillojnë tek cilësia e mësimdhënies, tek cilësia e mësuesit. Prandaj vitin e ardhshëm ne do të bëjmë një testim kombëtar për të gjithë mësuesit që janë në sistem. Do ta fillojmë janarin, ashtu siç e kemi premtuar, me zëvendësimin e të gjithë atyre që nuk duhet të rrinë më në sistem  sepse janë pa diplomë, janë jashtë profilit dhe nuk i përgjigjen standardeve. Në vend të tyre do të futen ata që u testuan. Mësuesit që janë në sistem do të testohen dhe mësuesit që janë në sistem do të dinë ekzaktësisht se çfarë duhet të bëjnë për të qëndruar në sistem”. Kryeministri ritheksoi se reformat e nisura do të vijojnë me seriozitet maksimal, pasi filozofia e kësaj Qeverie është që pushtetin ta konsumojë për të bërë punët për të cilat është zgjedhur. “Pushteti duhet konsumuar për të bërë punët për të cilat je zgjedhur, jo për të bërë zgjedhjet e ndërmjetme, zgjedhjet e gabuara, me sa më pak kosto që të rrish sa më shumë në pushtet. Nuk na duhet fare ne ai pushtet, hiç! Pushet në qafë të njerëzve, duke gënjyer prindër, duke gënjyer të moshuar, duke gënjyer fëmijë  dhe duke i thënë që jemi vendi që po zhvillohet më shpejt nga të gjithë dhe që një ditë kur të hapin sytë të thonë nga ramë në këtë gropë, ne nuk na intereson. Kjo është filozofia jonë!”- theksoi Rama.  

SHKARKO APP