Shpirti Ilir i garës dhe sfidës, rivjen në jetë në Amantian antike, në ditën e dytë të “Vajza Fest 2025”
Në ditën e dytë të “Vajzë Fest 2025”, Parku Arkeologjik i Amantias u bë skenë e një spektakli unik, ku historia dhe moderniteti u përthyen në një atmosferë magjike. Në këtë ngjarje të kremtimit të traditës dhe historisë, kulturës dhe kujtesës, morën pjesë personalitete të rëndësishme si Kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, dhe personalitete të politikës; deputeti i zonës Vullnet Sinaj, Eduart Shalsi, Ardit Bido, si dhe shumë figura të tjera të njohura të jetës publike dhe institucionale.
Amantia, nga rrënoja në tempull të gjallë
Amantia, ky amfiteatër i lashtë i ngritur mbi gurë që kanë mbijetuar mijëvjeçarët, u ringjall si një orakull i gjallë ku garat sportive u kthyen në një urë mes të shkuarës dhe të tashmes. Gurët e shekujve u shndërruan në altar të një flake të re, flaka e garës, fisnikërisë dhe lavdisë.
Priftëreshat, të ngjashme me figura mitologjike, zbritën në skenë duke bartur kurorat e ullirit – simbol i nderit dhe i lidhjes së përjetshme mes epokave. Fituesit i morën ato si një dhuratë të shenjtë, duke dëshmuar se nderi i lashtësisë jeton në gjakun dhe djersën e garuesve të sotëm.
Simbolika e paqes dhe fuqia e garës
Qielli i Amantias u mbush nga pëllumbat e bardhë, një mesazh i qartë i paqes dhe bashkimit, i cili u përhap mbi rrënoja dhe mbi njerëzit. Në përplasjen e gurëve të lashtë me entuziazmin e brezave të rinj, antikiteti mori pamje moderne, duke rikthyer mesazhin e pavdekshëm të olimpizmit: përjetësia e njeriut nuk gjendet në gurë, por në garën e shpirtit.
Atmosfera sportive dhe shpirti i festës
Nata e dytë solli një sërë aktivitetesh sportive të ndryshme, ku energjia e të rinjve dhe jehona e së kaluarës u bashkuan në një vallëzim të rrallë kulturor dhe historik. Amantia nuk ishte më thjesht një qytet i rrënuar, por një tempull i gjallë ku historia dhe moderniteti u shkrinë në një mesazh përjetësie.
KOHA JONË SONDAZH

