Shqipëri-Kinë, memorandum bashkëpunimi në transport e infrastrukturë. Dervishaj: Hap para
Në Forumin për bashkëpunim ndërkombëtar “Një brez-një rrugë”, Shqipëria dhe Kina kanë firmosur memorandumin e bashkëpunimit.
Kanë qenë ministri i Transporteve Sokol Dervishaj dhe zv.drejtori i Komitetit për Zhvillim Urban dhe reforma He Lifeng të cilët kanë firmosur memorandumin me 7 pika.
Kjo marrëveshe synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik në fushën e transportit, infrastrukturës dhe financiar.
“Shqipëria është pjesë e rëndësishme e këtij procesi. Memorandumi shënon një hap përpara në raportet ekonomike dhe zhvillimin e infrastrukturës mes dy vendeve.
Presim investime konkrete nga pala kineze si në infrastrukture, transport detar dhe hekurudhor”, tha ministri Dervishaj.
Në forumin “Një brez- një rrugë” ishin pjesëmarrës 27 përfaqësues të lartë të shteteve të ndryshme të botës, mes tyre presidenti rus Vladimir Putin, kryeministri grek Cipras, presidenti i Turqisë Erdogan, zv.sekretari i OKB-së dhe shefja e FMN, Lagarde. Shqipëria u përfaqësua nga ministri i Transporteve Sokol Dervishaj.