Shqipëria, “Bukuria e Ballkanit”

Revista e njohur turke “Skylife” ka publikuar një artikull për Shqipërinë, me titull “Bukuria e Ballkanit: Shqipëria”. Shkrimi me autore gazetaren Melek Cevahiroğlu Ömür, e cila ka vizituar vendin tonë dhe më pas ka përshkruar në publikimin e muajit Dhjetor 2014 veçoritë e Shqipërisë në aspektin kulturor, turistik, historik dhe ekonomik. “Me natyrën e saj me hije të panumërta jeshile, vijën e bukur bregdetare, trashëgiminë kulturore dhe kuzhinën e shijshme, pa përmendur mundësitë ekonomike, Shqipëria është një vend i vogël me histori për t’u treguar në Adriatik”, thotë gazetarja e “Skylife”. Publikimi nis me përshkrimin e kryeqytetit të vendit tonë, Tiranës, veçoritë kulturore dhe historike të qytetit të Shkodrës, bukuritë e plazheve të Vlorës dhe Durrësit, qytetet muzealë të Shqipërisë të përfshirë në mbrojtjen e UNESCO-s, si Berati, Gjirokastra, apo qyteti i lashtë i Butrintit, pasuritë e veçanta të qytetit të Krujës, që përfshijnë pazarin e vjetër dhe kalanë e Krujës, si dhe muzeun e Skënderbeut. Në publikimin e revistës “Skylife” përmenden gjithashtu edhe bukuritë e alpeve shqiptare, lumenjve dhe maleve, të cilat mund të shfrytëzohen shumë mirë për turizëm dhe aktivitete sportive. Në përfundim, revista turke “Skylife” nuk lë pa përmendur edhe avantazhet e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit përsa i përket pozicionit të saj gjeografik dhe tërheqjes së investimeve të huaja, duke e konsideruar vendin tonë si “Tokën në Zhvillim të Ballkanit”.  “Shqipëria gjendet në udhëkryqet e Evropës falë pozicionit të saj gjeografik. Me një regjim tregtar tërësisht të liberalizuar dhe të hapur ndaj investimeve, vendi është tërheqës për investitorët falë lehtësive fiskale dhe përjashtimeve që ofron në sektorët kyçë. Përveç zhvillimit të shpejtë të infrastrukturës në energji, telekomunikacion dhe transport, popullsia e re në moshë dhe shumë mirë e edukuar janë faktorët që po e kthejnë në një nyje të rëndësishme rajonale vendin, i cili u rendit i katërti në artikullin e Neë York Times “52 vendet që duhen vizituar gjatë 2014””, thuhet në artikullin e revistës turke “Skylife”

SHKARKO APP