Shqipëria dhe Kina, projekte të përbashkëta në infrastrukturë, industri dhe bujqësi

Kryeministri Edi Rama, i cili kryeson delegacionin shqiptar në Samitin Ekonomik dyditor Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, në Beograd, i njohur si Samiti 16+1, ka komentuar financimin nga ana e qeverisë kineze të projektit të Rrugës së Arbrit.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, kreu i qeverisë shqiptare tha se ky projekt “është finalizim i një përpjekje 1 vjeçare që ka çuar në një formulë të re inovative për financimin e Rrugës së Arbrit”. Formulë, që sipas Ramës, “nga Kryeministri kinez do t’i propozohet disa vendeve të tjera që nuk mund të thellojnë borxhin dhe të marrin garancitë sovrane”.

“Nga ana tjetër, thekson Kryeministri Rama, “kemi një sërë kontaktesh të rëndësishme me të tjerët në rajon, për të folur dhe për të finalizuar, shpresoj, një qëndrim të propozuar prej nesh, për të gjithë sistemin hekurudhor të rajonit”.

Sikundër, shton kryeministri Rama, “edhe një sërë projektesh të tjera me palën kineze, në marrëdhëniet mes nesh dhe Kinës, për infrastrukturën, për zonat industriale dhe me shumë shpresë dhe me shumë këmbëngulje, për mbështetjen e mëtejshme të rilindjes së bujqësisë, përmes një financimi të ndjeshëm në rehabilitimin e gjithë sistemit të ujitjes dhe kullimit, që për fat të keq është katandisur në një derexhe që nuk thuhet”.

Kryeministri Edi Rama kryeson delegacionin shqiptar në Samitin Ekonomik dyditor Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, në Beograd, i njohur si Samiti 16+1, me pjesëmarrjen e kryetarëve të qeverive të 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe Kryeministrit të Kinës, Li Keqiang.

Në ditën e parë të Samitit, i treti mes liderëve të këtij rajoni me Kryeministrin kinez, është diskutuar për zbatimin e nismave e projekteve konkrete që mbështesin progresin ekonomik të rajonit.

Liderët e rajonit dhe delegacioni kinez i kryesuar nga Kryeministri Li Keqiang kanë diskutuar eksplorimin e mundësive ekonomike që ofron rajoni si i tërë dhe çdo vend i tij dhe shtrirjen e investimeve kineze në rajon. Si fusha të interesit të përbashkët janë identifikuar infrastruktura rrugore dhe portuale, energjia dhe telekomunikacioni. Projektet me interes të përgjithshëm rajonal si ato për lidhjen rrugore dhe hekurudhore mes vendeve të tij kanë qenë në fokus të Samitit.

Kryeministri Rama e ka konsideruar Samitin me rëndësi madhore për Shqipërinë dhe rajonin, një nismë konkrete për të zhvilluar projekte konkrete bashkëpunimi rajonal. Me palën kineze, Qeveria shqiptare është duke diskutuar edhe një sërë projektesh dypalëshe në infrastrukturë, zonat industriale dhe në sektorin bujqësor për financimin e rehabilitimit të sistemit të ujitjes dhe kullimit.

Në përbërje të delegacionit shqiptar është edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.

SHKARKO APP