”Shqipëria drejt BE-së në vitin 2030”, eurodeputeti bullgar: Objektiv plotësisht i arritshëm
Eurodeputeti bullgar, Andrei Kovaçeviç thotë se objektivi i Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE brenda vitit 2030 është plotësisht i arritshëm. Ai kryetar i komisionit parlamentar në BE, vizitoi sot Pustecin, teksa u ndal në një prononcim për mediat ku u pyet për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Kovaçeviç tha se për Shqipërinë është plotësisht i arritshëm objektivi i anëtarësimit në vitin 2030. “Në këtë situatë të vështirë gjeopolitike në botë, duhet të pranojmë sa më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, çdo vend vlerësohet sipas meritave të veta dhe sipas përparimit të reformave. Për këtë arsye, ne i shohim të gjitha vendet në mënyrë të veçantë.
Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që ndodhen në fazën më të avancuar të integrimit dhe të procesit të negociatave me Bashkimin Europian. Shpresa jonë është që në vitet e ardhshme të mund t’u themi mirëseardhjen si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë shpresoj që ndër to të jetë edhe Shqipëria”, tha Andrei Kovaçeviç, kryetar i komisionit parlamentar në BE.
Sipas tij, Shqipëria ka potencial të lartë për të përfunduar me sukses procesin e integrimit, por kërkoi që opozita dhe mazhoranca të punojnë së bashku në këtë drejtim. “Unë e konsideroj Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare si një nga më pro-evropianet dhe euroatlantiket. Mendoj se kur shumica dhe opozita kanë të njëjtin qëllim, të kontribuojnë vërtet në anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kjo do të bëhet realitet. Paçka mosmarrëveshjeve politike, kjo çështje duhet t’i bashkojë të gjithë dhe, nga ato që kam vëzhguar në parlamentin shqiptar, si qeveria edhe opozita janë të unifikuara në këtë drejtim”, theksoi Kovaçeviç.
Ai nënvizoi nevojën për të kapërcyer ndasitë historike dhe për të ndërtuar marrëdhënie të forta fqinjësore, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve ekonomike, tregtare dhe njerëzore mes vendeve të rajonit. “Ballkani duhet të investojë në lidhje infrastrukturore dhe ekonomike. Kufijtë duhet të jenë simbolikë, ashtu si në zonën Shengen”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo është plotësisht e realizueshme. I pyetur në lidhje me pritshmëritë pas zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut eurodeputeti ka vendosur theksin tek përmbushja e disa kushteve.
KOHA JONË SONDAZH

