Shqipëria e sotme ose ëndrra studentore e braktisur e 8 dhjetorit ‘90
ANALIZË
Nga Dr. Arian Starova
“Amicus plato, sed magis amica est veritas” – Aristoteli
Në bisedat e dendura dhe të shqetësuara që bëj sot thuajse çdo ditë me miqtë dhe kolegët e mi të panumërt, natyrisht politika mbetet gjithnjë në qendër të vëmendjes. Jo vetëm sepse janë thuajse njëzet e pesë vjet që unë jam marrë me politikë, por ndoshta më shumë sepse, ashtu si unë, edhe bashkëbiseduesit e mi, si kolegë politikanë ashtu edhe të tjerë jopolitikanë, janë të interesuar për synimet, arritjet dhe mosarritjet e politikës shqiptare. Dhe kjo ndodh thuajse me të gjithë shqiptarët, sepse për Shqipërinë, edhe më shumë sesa për vendet e tjerë, zhvillimi i përgjithshëm i vendit ende varet drejtpërdrejt nga politikëbërja. Bisedat e shqiptarëve për politikën dhe rolin e aktorëve të saj janë të tejmbushura me shqetësimin e së ardhmes së tyre. Nga njëra anë, ndjehen dhe shprehen ankesa të shumta për mënyrën e tanishme të qeverisjes, nga ana tjetër, shprehet mosbesim te opozita e sotme. Si rrjedhojë, njerëzit po e humbin shpresën me ritme të frikshme dhe po vazhdojnë të ikin ndoshta pa kthim larg prej vendit të tyre …
Dhe dashur padashur, në bisedat politike të shqiptarëve kujtohen ditët e dhjetorit 1990, kur të gjithë, popull dhe aktorë politikë antikomunistë u ngritën për një ëndërr të vjetër, për ta bërë Shqipërinë “si e gjithë Europa”. Në atë kohë, politika dhe politikanët përfytyroheshin nga populli si hapësira ku mbisundonte morali, ndershmëria, drejtësia, aftësia, përkushtimi, besimi i fortë te shoqëria e re që do të krijohej dhe përpjekja e ndershme e udhëheqësve politikë për interesat e përgjithshëm kombëtarë. Studentët e dhjetorit 1990 ishin vërtet të tillë, të ndershëm dhe idealistë. Të bashkuar, këto cilësi të drejtuesve dhe ky besim i thellë popullor te drejtuesit politikë të rinj mundën të shndërrohen në një revolucion demokratik që i ngriti të gjithë shqiptarët e frymëzuar kundër diktaturës komuniste në atë dhjetor të largët 1990. Pamjet e filmuara të atyre ditëve të vrullshme e pasqyrojnë më së miri dhe fare dukshëm atë bashkim idealist të popullit dhe të të rinjve udhëheqës përpara vrullit të të cilit nuk mundi të qëndronte asnjë barrikadë e forcave të regjimit të dështuar komunist.
Dhe sërish, në mënyrë të vetvetishme bëhet krahasimi i ëndrrave dhe besimit politik popullor të fillimit të viteve 1990 me ato të shoqërisë së sotme e cila, de jure, është demokratike. A është realizuar ëndrra europiane e shqiptarëve? A është shoqëria e sotme shqiptare ajo që ata ëndërruan në kohën e përmbysjes së regjimit të vjetër? A janë drejtuesit e sotëm të politikës shqiptare ende të tillë siç i kishin ëndërruar shqiptarët? A janë këta drejtues të tillë që të udhëhiqen nga vlerat e mirënjohura politike dhe morale që frymëzuan përmbysjen e komunizmit? A janë ata ende të tillë që mbi të gjitha të vendosin interesat e vendit dhe të atyre, të cilët kërkojnë që t’i udhëheqin? A janë ata të tillë që të mos e vështrojnë pushtetin si mjet i të pasuruarit të tyre? A janë ata të tillë që të ngjallin frymëzim te shqiptarët për zgjidhjen e problemeve të tyre të sotme?
Natyrisht, askush nuk mund të mohojë se në 25 vjet Shqipëria ka ndryshuar shumë dhe rrënjësisht në krahasim me diktaturën komuniste. Ajo është shoqëri demokratike pluraliste e llojit perëndimor. Është anëtare e NATO-s dhe përparon me vështirësi në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Megjithatë, e vërteta e madhe dhe e dhimbshme është se përgjigja e të gjitha pyetjeve të mësipërme dhe e shumë të tjerave të ngjashme është mohuese. Shqipëria duhej të kishte përparuar shumë më shpejt dhe më shumë dhe, fatkeqësisht, ka humbur përsëri kohë historike të çmueshme. Pra, njëlloj si gjatë gjithë historisë sonë.
[Kjo humbje e kohës sonë historike si popull është aq e çuditshme dhe e meriton aq shumë një studim psikologjiko-historik sa mund të vlerësohej si e pallogaritshme në rëndësi, sepse do të na shtynte të fillonim ta kursenim më në fund kohën si vlerën më të çmuar. Është e çuditshme, sepse njerëzit e veçantë e shfrytëzojnë atë me të gjitha mënyrat, kurse të marrë në tërësi, ata e humbin kohën e çmuar edhe sot, përditë. Përse shqiptarët e shfrytëzojnë kohën si njerëz të veçantë dhe e humbin si bashkësi njerëzore? Përgjigja e parë, e cila nuk ka nevojë të vijë si përfundim i këtij studimi është se shqiptarëve u mungojnë ato lidhje të forta, të cilat krijojnë atë që quhet “lidhje shoqërore” dhe të cilat formohen jo vetëm spontanisht dhe historikisht, por edhe me politikat të mençura të udhëheqësve të vendit. Njëzet e pesë vjetët e shkuar vëmendja si e udhëheqjes së politikës shqiptare ashtu edhe e njerëzve të zakonshëm ka qenë e përqendruar te ekonomia dhe e detyruar nga skamja e kohës së komunizmit. Megjithatë, kjo kohë që duhej shfrytëzuar edhe për të forcuar lidhjet shoqërore ndërmjet shqiptarëve të cilat përveç historisë i kishte shkatërruar edhe lufta e egër e klasave është e humbur. Edhe sot humbet kohë me një politikëbërje, e cila konkurrencën ndërmjet ideve të majta dhe të djathta e vështron dhe e përjeton si një luftë të vërtetë dhe shpesh herë me mjete dhe mënyra që shkojnë ndesh me moralin tradicional të shqiptarëve. Rrjedhojë e kësaj gjendjeje janë lidhjet shoqërore të dobëta ndërmjet shqiptarëve që i shpreh në mënyrën më drithëruese rritja e përqindjes së konflikteve dhe krimeve Brenda familjeve shqiptare.]
Le të përpiqemi ta përqendrojmë arsyetimin rreth të vërtetave të sotme për të zbuluar se përse ne shqiptarët kemi humbur shumë kohë edhe gjatë këtyre njëzet e pesë vjetëve. Çfarë nuk është bërë dhe çfarë është bërë keq? Cila është përgjegjësia e udhëheqësve politikë të këtyre vjetëve të shkuar pas rënies së komunizmit? Para së gjithash, le të radhitim një tërësi problemesh që ende mbeten pa u zgjidhur.
I pari, si problem është ai i pronës private, e cila mendohet si thelbi i një shoqërie demokratike dhe është shënuar si i tillë në Kushtetutën e vendit. Ende prona nuk u është kthyer tërësisht pronarëve të vjetër. Në një masë të madhe ajo është vjedhur dhe shpërdoruar. Sot kemi një gjendje sa qesharake aq edhe zhgënjyese në të cilën nga njëra anë kemi pronarë të vjetër që ende nuk i kanë marrë pronat dhe, nga ana tjetër, kemi një institucion si ALUIZNI i cili ka marrë përsipër që të ligjërojë pronat e vjedhura. Ky institucion i ligjërimit të vjedhjes së pronës është tërësisht në konflikt ligjor me Kushtetutën e vendit e cila e vështron pronën private si të shenjtë dhe të paprekshme. A nuk është kohë e humbur për shoqërinë tonë demokratike kjo?! A nuk e shtrembëron thelbin e shoqërisë demokratike një fakt i tillë?! Prandaj, shumë pronarë të vjetër po i dërgojnë kërkesat e tyre për pronat në Gjykatën e Strasburgut dhe kjo është një minus për Shqipërinë. A nuk është një problem i dytë shumë serioz ai i rivlerësimit dhe dëmshpërblimit financiar të të përndjekurve politikë?! A nuk mund të quhen ata të lënë pasdore nga shoqëria demokratike kur ende pas njëzet e pesë vjetëve ata luftojnë për problemin e tyre dhe kanë martirët e tyre në demokraci, të cilët janë vetëvrarë në shenjë proteste për të mos përmendur përpjekjet e tjera të dhimbshme të tyre si grevat e shumta të urisë, protestat, etj.?! Natyrisht, edhe kjo është një mangësi e rëndë për shoqërinë tonë të re demokratike. Duhej të ishte në nderin e shoqërisë sonë që problemi i tyre të ishte zgjidhur që në vitet e para pas përmbysjes së diktaturës.
Problemi i tretë është mos dënimi i krimeve të komunizmit. Të gjitha legjislaturat e këtyre njëzet e pesë vjetëve janë zvarritur herë me mashtrime herë me lënie pasdore në moszgjidhjen e këtij problemi. Dy janë arsyet, ose frika nga “kërbaçi i diktatorit i lënë jashtë varrit”, ose mosdashja e aktorëve kryesorë të politikës për të marrë përsipër diçka të tillë. E pra, edhe ky problem e cenon domosdo pamjen dhe thelbin e shoqërisë sonë demokratike!! Për më tepër ne kemi mbetur i vetmi vend paskomunist që nuk e ka bërë dënimin e krimeve të komunizmit, kurse në fjalimet e ndryshëm të rastit aktorët politikë e kanë bërë refren të bezdisshëm tashmë shprehjen se Shqipëria ka qenë ajo që ka vuajtur diktaturën më të egër komuniste!?
Problemi i katërt është ai i mosspastrimit të administratës nga informatorët e Sigurimit famëkeq të shtetit komunist. Sot, pas njëzet e pesë vjetëve, Partia Demokratike hiqet sikur nuk e mbështet ligjin që kaloi koalicioni i majtë në Kuvend me pretendimin se ajo është për një ligj më rrënjësor. Kjo është për të qeshur si arsyetim, por për të qarë kur mendon se duan një ligj më rrënjësor ata që gjatë viteve të tyre në pushtet nuk i spastruan kurrë sigurimsat, por qeverisën me ta duke qenë më të qetë për besnikërinë e tyre prej frikës sesa për një besnikëri që mund të mbështetej në vetëdijen dhe bindjen!! Çfarëdo sofizmi të përdoret, edhe kjo mangësi nuk e prish pak pamjen e shoqërisë sonë të sotme demokratike, kurse përgjegjësia e politikës është fare e qartë!!
I pesti, si problem do të ishte sipas meje ai i keqpërdorimit të drejtësisë shqiptare nga politika dhe nëpërkëmbja e ligjit nga ajo. Natyrisht, me aq probleme sa ka sot drejtësia shqiptare, një peshë të madhe të përgjegjësisë e mbajnë njerëzit që punojnë në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, politika ka një përgjegjësi edhe më të madhe për problemet shumë seriozë që ka drejtësia shqiptare sot, për të mos thënë se ka përgjegjësinë kryesore. Ajo ka ushtruar përherë trysni mbi drejtësinë dhe nuk e ka lejuar atë të ushtrojë pavarësinë e saj në vendimmarrje. Kjo është arsyeja se përse drejtësia shqiptare nuk ka vënë kurrë në karrigen e të akuzuarit asnjë zyrtar të lartë të elitës politike drejtuese të Shqipërisë. Njerëzit e drejtësisë janë të pambrojtur përpara trysnisë që ushtron politika mbi vendimmarrjen e saj ligjore. Këta njëzet e pesë vjet kanë dëshmuar se kjo trysni politike herë- herë është bërë shumë e dhunshme dhe është e natyrshme që punonjësit e drejtësisë të mendojnë t’u vetëmbrojtur duke dëmtuar standardet e drejtësisë!! Sot po flitet shumë për të ashtuquajturën reformë në drejtësi, por ajo nuk do të bëhej kurrë si duhet nëse e gjithë politika shqiptare nuk bën një marrëveshje madhore për të mos u përzierë në punët e saj duke mos bërë kurrë deklarata publike në lidhje me çështjet konkrete të drejtësisë apo të të akuzuarve, siç ka ndodhur shumë herë deri tani. Vetëm një gjë duhet të kërkojë vazhdimisht politika nga drejtësia: Zbatimin e saktë dhe të njëllojtë të ligjit për të gjithë qytetarët! Nuk ka nevojë ndoshta të thuhet se me problemet e drejtësisë Shqipëria është bërë shqetësim i madh edhe për BE-në.
Problemi i gjashtë mund të ishte ai i rikthimit të pavetëdijshëm të dy partive kryesore të politikës shqiptare te një thuajse luftë e klasave si e kohës së komunizmit, natyrisht në formë simbolike dhe në mënyra të tjera. Megjithë butësinë tradicionale të shqiptarëve kundrejt dallimeve të ndryshme ndërmjet tyre (fetare, krahinore, kulturore, politike, etj.), egërsia e luftës politike ndërmjet aktorëve kryesorë të politikës së majtë dhe të djathtë ndikon për keq edhe te ata duke e vështruar përkatësitë politike të njëri-tjetrit përgjithësisht si diçka penguese për besimin e ndërsjellët njerëzor dhe atë që quhet force lidhëse e njerëzve të një shoqërie. Të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën ashpër dhe shpeshherë me një fjalor të turpshëm duke mos u ndalur as përpara përdorimit të shpifjeve për kundërshtarin. Sado që ka shumë argumente për të më bërë të them se shpesh kjo ashpërsi është e rreme dhe demagogjike, ajo përsëri ndikon për keq te shqiptarët dhe lidhjet ndërmjet tyre. E majta e quan të djathtën si përgjegjëse të shumë të metave në demokraci, kurse e djathta e quan të majtën si vazhduese të partisë së vjetër ish komuniste e cila përpiqet të rikthejë sundimin e pasardhësve të elitës së vjetër komuniste, por thelbi i të dyja akuzave është i tepruar. Dallimet ideologjike ndërmjet të djathtës dhe të majtës janë ngushtuar shumë sepse të dy këta grupime i pranojnë në thelb njësoj pronën private, pluralizmin politik dhe shtetin ligjor. Kjo është arsyeja që na shtyn të themi se ka ardhur koha që egërsia politike ndërmjet dy grupimeve kryesorë të politikës shqiptare duhet të kapërcehet për hir të forcimit të lidhjeve shoqërore ndërmjet shqiptarëve duke e bërë qartë dallimin ndërmjet konkurrimit të ideve politike dhe bashkëpunimit ndërpartiak për hir të interesave të përbashkët të të gjithë shqiptarëve të marrë si një tërësi njerëzore. Interesa madhorë të përbashkët janë zhvillimi ekonomik i vendit dhe pasurimi i shqiptarëve, anëtarësimi në BE dhe krijimi i një sistemi drejtësie që të ishte vërtet një ndërmjetësues i besueshëm për të gjitha problemet që krijohen nga konfliktet e natyrshëm që krijohen ndërmjet interesave të njerëzve dhe të institucioneve. Për këta interesa madhorë politika nuk duhet të humbë më kohë me luftë brenda vetvetes. Bashkësia ndërkombëtare u lodh së përsërituri idenë e një bashkëpunimi të tillë ndërmjet aktorëve kryesorë të politikës shqiptare dhe sa më shpejt ta bëjmë këtë aq më largpamës do të ishim.
Problemi i shtatë është ai i paaftësisë dhe mosdashjes për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është e turpshme që ende sot pas njëzet e pesë vjetëve, Shqipëria nuk e ka marrë ende vlerësimin ndërkombëtar për asnjë proces zgjedhor si të lirë dhe të ndershëm!! Diku më shumë dhe diku më pak, zgjedhjet shqiptare janë karakterizuar nga shitblerja e votës, keqpërkujdesja politike partiake për grumbullimin dhe numërimin e votave, përzgjedhja e paarsyeshme e sistemeve zgjedhorë, krijimi i dallimeve të panevojshme ligjore ndërmjet trajtimit në zgjedhje të partive të mëdha dhe atyre të vogla, vonesat e stërzgjatura në nxjerrjen e shifrave përfundimtare të marra nga partitë dhe kandidatët e veçantë në zgjedhje, etj.. Shkaku kryesor i një gjendjeje të tillë është se zgjedhjet nuk vështrohen si konkurrencë ndërmjet partive për idetë e tyre politike, por si luftë për pushtet. Ideja shqetësuese që rrjedh prej kësaj gjendjeje është se për aktorët kryesorë të politikës shqiptare më e rëndësishëm është marrja e pushteti sesa procesi i ndershëm popullor për përzgjedhjen e ideve partive politike për qeverisjen e vendit!! Dhe sigurisht, marrja e pushtetit me çdo kusht (pra edhe me vjedhje vote) nënkupton se interesi i partive nuk qëndron te bindja e popullit për të votuar idetë e partive, por te diçka tjetër që lidhem me pushtetin dhe që nuk ka emër tjetër (siç e kanë treguar gjithë këta vite të qeverisjeve në demokraci) përveçse përfitim vetiak, ose përfitim nëpërmjet korrupsionit. Zgjedhje të tilla nuk mund të jenë më “gur themeli” i një shoqërie të vërtetë demokratike!! Ato çojnë në qeverisje të gabuara dhe të korruptuara!! Mjafton të mendohet fare pak në lidhje me pasuritë e politikanëve dhe kuptohet e vërteta therëse.
Pasurimi i papërligjur i një pjese të politikanëve ose i njerëzve pranë tyre përbën një problem tjetër të tetë dhe shumë shqetësues për shoqërinë tonë demokratike. Kjo dukuri përbën një burim të pashtershëm zhgënjimi dhje mosbesimi kundrejt politikës dhe politikanëve, sepse njerëzit me të drejtë mendojnë se ata nuk e kanë fare mendjen te hallet e tyre por te pasurimi i vetvetes.
Natyrshëm, synimi për zgjedhje jo të lira dhe të rreme dhe përdorimi i pushtetit për pasurim të papërligjur të çojnë te një problem tjetër i nëntë që është demagogjia politike partiake gjatë zgjedhjeve dhe ndërmjet zgjedhjeve. Njerëzit si zgjedhës apo si taksapagues vështrohen dhe mendohen si mjete për t’u përdorur për mbështetjen e politikës partiake dhe jo si mbështetës të lirë të ideve të politikës partiake që rrjedh prej bashkëbisedimit, arsyetimit dhe bindjes së tyre. Prandaj kemi parë sesi partitë kryesore e kanë zëvendësuar flamurin antikorrupsion të fushatave zgjedhore me atë të korrupsionit të qeverisjes. Prandaj kemi parë sesi përbetimet e aktorëve kryesorë të politikës për të ndëshkuar të korruptuarit e qeverisjeve të ndryshme janë harruar dhe, madje, janë marrë nën mbrojtje. Askush nuk mund ta mohojë këtë, sepse e kanë bërë të dyja partitë kryesore, si ajo Socialiste edhe ajo Demokratike. Si rrjedhojë, besimi te fjala e dy aktorëve kryesorë të politikës shqiptare ka rënë, kurse gënjeshtra në politikë shihet nga njerëzit, për fat të keq, si diçka e zakonshme dhe kjo e fundit është fryt i rolit negativ edukues të politikanëve te njerëzit! Prandaj, kemi parë edhe koalicione të pamoralshëm të papërligjur ideologjikisht dhe moralisht ndërmjet partive të majta e të djathta, kemi parë kalime të pamoralshëm të njerëzve nga një skaj i politikës te tjetri. Partia Socialiste organizoi protestën e 21 janarit 2011 kundër korrupsionit të Ilir Metës, kurse më pas bëri koalicion me të vetëm për hir të marrjes së pushtetit me çdo çmim. Ka kohë që, kur shohim lëvizje të tilla politike të paskrupullta, të gjithë pyesim se çfarë përfaqëson kjo parti, apo ky politikan dhe nuk e gjejmë dot përgjigjen, por vetëm ndjejmë zhgënjim dhe të qenët të mashtruar nga politika e cila ndjek vetëm politikat e interesave të njerëzve të veçantë brenda saj. Ndodhemi, pra, në rrethanat kur njerëzve u jepen për të përgojuar gënjeshtra dhe shpifje të të gjitha llojeve (fjalët në Kuvend, gazeta, emisione televiziv etj.) me çmimin e mpirjes së tyre përballë marrëveshjes së heshtur të të dyja partive kryesore të politikës shqiptare për të përjetësuar rrotacionin e pushtetit të korruptuar ndërmjet tyre. Le të mos habitemi, pra, nëse shikojmë që ka humbur shpresa e njerëzve në një shoqëri demokratike e cila duhej ta kishte atë me bollëk. Le të mos habitemi, pra, se përse njerëzit janë të zhgënjyer dhe janë duke thënë gjithnjë e më shpesh se Shqipëria nuk bëhet!
Problem i dhjetë është vëmendja tejet e parëndësishme e thuajse të gjitha qeverisjeve ndaj ekonomisë. Nuk e ka fjalën për llogarimbajtjen e qeverisë dhe pak nxitje që do apo nuk do çdo qeveri ia jep ekonomisë. E kam fjalën për një vëmendje të tillë të qeverive që të nxitë shtimin e pasurisë kombëtare, sepse vetëm kjo e fundit do ta futë edhe Shqipërinë në rrugën e rritjes së pandalshme të të ardhurave nga një vit në tjetrin. Ky mësim që na vjen prej shekujve nga Adam Smithi i madh vlen shumë për ata që duan të drejtojnë Shqipërinë si duhet.
Më në fund, vijmë te problemi i njëmbëdhjetë, ose braktisja e ëndrrës së studentëve të dhjetorit 1990. Ky është problemi më i rëndë i shoqërisë demokratike shqiptare dhe, para së gjithave, ai është problem i politikës së djathtë dhe i partive të djathta të cilat lindën prej saj. Dikush, i cili mund të më thoshte se ëndrra nuk është braktisur sepse ajo është duke u realizuar, unë do t’i përgjigjesha se kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë, sepse ëndrra po sendërtohet me çmimin e rëndë të udhëheqësve politikë të korruptuar dhe të vjedhjes së pasurive kombëtare, varfërimit, përçarjes dhe të humbjes së kohës së të gjithë shqiptarëve. Ëndrra studentore e nëntorit 1990 nuk është menduar kurrë që të bëhet me udhëheqës politikë të korruptuar dhe joidealistë. Janë bërë aq shumë përpjekje të fshehta që të prishet përfytyrimi i njerëzve mbi udhëheqësin politik sa, me zemërtherje, sot mund të dëgjosh shumë njerëz të të thonë se, “amoraliteti është pjesë e natyrshme e politikës” (apo politika është kurvë), se “të ndershmit ose idealistët janë naivë, budallenj ose të paaftë”, se “në politikë duhet të hysh për të vjedhur dhe për t’u larguar” etj., etj. Megjithatë, e vërteta mbetet se njerëzit nuk mund të duan udhëheqës që t’i mashtrojnë dhe t’i vjedhin, kurse mendimet e mësipërm janë të huaj për ta. Prandaj sot kemi ardhur në rrethana kur vërehet zhgënjim në popull, kur shumë njerëz të thonë me mosbesim se të dy grupimet e politikës njëlloj janë … Dhe si mund të jetë ndryshe, kur njerëzit panë pak vjet më parë se PD bëri koalicion me LSI-në, të cilën e kishte akuzuar për korrupsion, vjedhje të Thesarit të Shtetit dhe shumë gjëra të tjera?! Dhe si mund të mendohet ndryshe, kur PD-ja ushtroi trysni politike kundër gjykatës vetëm pak ditë përpara se të merrej vendimi për të akuzuarin për korrupsion të LSI-së duke e mbështetur atë hapur në publik?! Dhe si të mos ketë zhgënjim, kur edhe pak javë më parë, në kulmin e debateve për korrupsion në lidhje me kompaninë çeke të energjisë CEZ, PD i thotë Ilir Metës se është PS ajo që kërkon ta godasë dhe, pas kësaj, e gjithë shtysa idealiste e debatit antikorrupsion të PD-së ra në greminë, kurse vetë debati u harrua brenda fare pak ditëve?!
Kjo gjendje politike moçalore e të djathtës dhe e të gjithë politikës shqiptare nuk mund të vazhdojë më. Tani është koha të të ripërtërihet ëndrra studentore dhe të rindërtohet ajo me udhëheqës të rinj politikë të së djathtës. Jo me udhëheqës të emëruar, por me udhëheqës që do të dalin vetë të shtyrë dhe të frymëzuar nga zemra dhe idealizmi i tyre. Ata duhet të jenë mbi të gjitha njerëz të besueshëm, njerëz me ideale dhe të përkushtuar, njerëz që të ngjallin frymëzim te njerëzit, njerëz që të dijnë t’i frymëzojnë të gjithë njerëzit, si të majtët edhe të djathtët ashtu si në dhjetorin e largët të vitit 1990. Problemet e sotëm të Shqipërisë janë të të gjithëve prandaj ata do të zgjidhen me mbështetjen e një fryme të re popullore, me pjesëmarrjen e të gjithëve.
Është koha që E Djathta shqiptare të rigjejë ëndrrën demokratike të dhjetoristëve-1990 dhe ta sendërtojë atë për të gjithë shqiptarët. Është koha për të menduar seriozisht për të djathtën shqiptare dhe le të mos humbim më kohë duke lejuar të na mashtrojnë as të majtë, as të djathtë. Është koha që kjo gjendje të ndryshojë. Atë mund ta bëjnë vetëm njerëz idealistë dhe të përkushtuar, të cilët kërkojnë të dalin në krye jo për t’u pasuruar vetë, por për të pasuruar kombin e tyre. Kjo është e vetmja rrugë që i ka nxjerrë në dritë shumë kombe dhe vetëm kjo mund t’u rikthejë shpresën dhe të ardhmen shqiptarëve.