Shqipëria, Europa financiare dhe Europa kulturore

Nga Ndriçim Kulla

Debati i madh që u bë në institucionet kryesore të Bashkimit Europian javët e fundit për atë nëse Greqia duhet të vazhdonte të qëndronte në Eurozonë, domethënë të ishte pjesë e komunitetit të vendeve që kanë euron si monedhë të përbashkët, më në fund doli të jetë një debat mes Europës financiare dhe Europës kulturore. Një pjesë e shteteve të Eurozonës mbronin idenë se duheshin respektuar rregullat financiare dhe ai vend që nuk plotësonte ato duhet të largohej nga Eurozona, së paku përkohësisht. Pjesa tjetër e shteteve mbronin idenë se, megjithëse rregullat financiare kishin rëndësinë e tyre, Bashkimi Europian dhe vetë Eurozona, nuk ishte para së gjithash një bashkim financiar, por një bashkim kulturor. Edhe vetë Eurozona nuk ishte thjesht një zonë e bashkuar rreth një banke, Bankës Qendrore Europiane, por kishte themele kulturore. Në këtë këndvështrim, Europa e bashkuar dhe vetë Eurozona do të ishte e mangët pa Greqinë, rëndësia e së cilës për trashëgiminë kulturore europiane është e njohur. Eurozona pa Greqinë ndoshta mund të ishte më viabël, gjë që nuk ishte e sigurt, por Eurozona pa Greqinë nuk do të ishte Europë e mirëfilltë, e lidhur me trashëgiminë kulturore europiane. Si të thuash, Banka Qendrore Europiane ka nevojë për shtyllat e Akropolit të Athinës që të mbahet. Europa financiare nuk mund të mbijetojë pa Europën kulturore. Grekët dinë ta përdorin mirë rëndësinë që ka për Europën trashëgimia kulturore e tyre.

Këtë duhet të mësojmë ta bëjmë edhe ne shqiptarët dhe këtu e kam fjalën para së gjithash për institucionet shtetërore nga të cilat varet performanca jonë në procesin e integrimit europian. Ne kërkojmë të përfitojmë nga Europa ekonomike, por që të ndodhë kjo në masën e duhur, ne duhet t’ i tregojmë Europës se përbëjmë një pjesë të kulturës së saj, e cila është aq e rëndësishme për të, sa nuk mund të na lërë jashtë për një kohë të gjatë. Kjo kërkon një reflektim të thellë për atë se kush jemi ne shqiptarët, në ç’ kuptim jemi ne pjesë e Europës kulturore. Ne kemi thënë vazhdimisht se nuk e vëmë në diskutim këtë, pasi jemi një nga kombet më të vjetër në Europë, me një gjuhë shumë të vjetër, e kështu me radhë. Por kjo nuk do të thotë se jemi pjesë e domosdoshme e Europës kulturore. Baskët janë po aq të vjetër sa ne, si komb e si gjuhë, megjithatë nuk kanë as të drejta kombëtare as gjuhësore, as shtet. Prandaj ne duhet ta shohim edhe në një këndvështrim tjetër vetveten, në raport me Europën. Çfarë kemi ne që na bën pjesë të pashmangshme të Europës kulturore të sotme.

Sigurisht që ne nuk kemi Akropolin, nuk kemi Aristotelin dhe Platonin, nuk kemi Eskilin dhe Safon, por diçka kemi dhe këto asete kulturore e shpirtërore ne duhet t’ i rishqyrtojmë e identifikojmë në tërë përmasat e tyre, si dhe t’i ekspozojmë në mënyrë që të evidentohen plotësisht vlerat e tyre. Këtë duhet ta bëjmë duke pasur parasysh evoluimin e Europës kulturore sot, kur trashëgimia kulturore europiane po rivlerësohet nga këndvështrimi i parimeve të lirive dhe të drejtave të njeriut e bashkëjetesës multikulturore. Sot Europa, midis të tjerash, është duke ndërmarrë një proces emancipimi të myslimanëve europianë, të komunitetit mysliman europian, që është krijuar nga disa breza emigrantësh me tendencën që t’i bëjë ata të përkushtuar ndaj idesë së tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në një shoqëri multikulturore laike. Europa do të ishte e interesuar që këtyre njerëzve t’u tregonte një model europian të suksesshëm të një shoqërie shumëfetare tolerante dhe harmonike në një shtet laik, si dhe që t’u tregonte gjithashtu sekretin e arritjes së kësaj.

Për këtë qëllim ne shqiptarët, si pjesë e reflektimit intelektual për atë se kush jemi ne, duhet të meditojmë më shumë për këtë sekret të tolerancës dhe harmonisë fetare, e kam fjalën për meditim intelektual, kërkim akademik etj. A mund të themi ne se e njohim sekretin e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare që mbisundon në shoqërinë tonë? Ne flasim për tolerancën dhe harmoninë ndërfetare dhe këto veti ia veshim natyrës së popullit tonë, sikur kanë qenë pjesë e natyrës së popullit tonë në shekuj. Kjo është një pikëpamje tamam si në kohën e regjimit komunist, kur thuhej se gjithçka e mirë vinte nga shtresat popullore, nga vegjëlia, nga urtësia e masave të gjera, ndërsa shtresat e larta të shoqërisë, duke përfshirë dhe intelektualët, me ndonjë përjashtim, edhe këta me kufizimet e tyre, bënin diçka të vlefshme vetëm kur shkriheshin me masat e gjëra popullore. Sigurisht që ka pasur një ndjenjë tolerance dhe harmonie ndërfetare në mentalitetin e shqiptarëve të të gjitha feve, por kjo ndjenjë ishte si një farë që çel një filiz spontanisht, por nga ku nuk mund të dalë një pemë, që të japë frute, nëse për të nuk tregohet kujdesi i duhur.

E vërteta është se kanë qenë disa breza mendimtarësh dhe intelektualësh, që së bashku formojnë një plejadë të mendimit shqiptar, të cilët e kanë edukuar popullin shqiptar me vetinë e tolerancës dhe harmonisë fetare. Myslimani Naim Frashëri thoshte se drita lind andej nga perëndon, duke i bërë myslimanët shqiptarë të shikonin nga Perëndimi, duke u bërë më të hapur, jo fanatikë. Katoliku Pashko Vasa e shikonte Shqiptarinë si “fe” të shqiptarëve, duke bërë thirrje me këtë jo për ateizëm, por për të mos e tepruar me besimin fetar deri në fanatizëm. I krishteri ortodoks, Branko Merxhani shkruante me shumë entuziazëm për modelin e Ataturkut, të reformimit të një vendi mysliman, sipas parimeve perëndimore të shtetit laik dhe sugjeronte zbatimin e tij në Shqipëri. I krishteri ortodoks Fan Noli, duke qenë peshkop, shkruajti edhe një biografi të shkurtër të Muhametit, në shenjë vullneti të mirë për të njohur më mirë fenë e bashkëkombësve myslimanë, dhe për t’i bërë të krishterët e tij ta njohin më mirë këtë fe. Në “Lahutën e Malcis” të At Gjergj Fishtës, të krishterë e myslimanë luftojnë krah për krah për mbrojtjen e atdheut, pa treguar asnjëra palë, asnjë shenjë sado të vogël ngurrimi e fanatizmi fetar, në rastet kur armiku i huaj është i krishterë apo mysliman. Dhe këta nuk ishin të vetmit sigurisht. Nëse do të kishin qenë kaq pak, nuk do të kishin arritur atë rezultat madhështor. Përveç tyre janë të tjerë mendimtarë si Sami Frashëri, Mihal Grameno, Sali Nivica, Krist Maloki, Mehdi Frashëri, Josif Bageri, Hafiz Ali Korça, Vangjel Koça, Mithat Frashëri, Hasan Prishtina, At Anton Harapi, Mit’hat Frashëri etj.

Këta mendimtarë, të marrë së bashku përbëjnë një Akademi të një lloji të veçantë, të mendimit shqiptar. Arritja e tyre përbën kontributin tonë më të madh në kulturën europiane, që shumë kohë para se Europa të shndërrohej në një realitet multikulturor dhe të niste të shqetësohej për multikulturalizmin. Sot shtetarët shqiptarë kanë kënaqësi të flasin me partnerët e huaj për tolerancën dhe harmoninë fetare që mbisundon në vendin tonë, dhe të huajt janë dakord me këtë. Për tolerancën e harmoninë ndërfetare në Shqipëri flitet në simpoziume e konferenca, kombëtare e ndërkombëtare. Toleranca dhe harmonia jonë fetare prodhon edhe simbole si ecja të kapur krah për krah e katër klerikëve shqiptarë të feve të ndryshme, në Paris, në marshimin e solidaritetit me rastin e atentatit terrorist ndaj “Charlie Hebdo”. Por ky ekspozim i kësaj vetie të mirë të shoqërisë sonë, të popullit tonë, është i mangët pa ekspozimin e dimensionit intelektual të tij, e asaj plejade të mendimit shqiptar që kontribuoi në rritjen e atij filizi në mendësinë kolektive popullore deri në një pemë me rrënjë të fuqishme, që iu rezistoi dhe iu reziston akoma me sukses stuhive të fanatizmit fetar që kanë dashur ta shkulin atë.

Çdo shtetar shqiptar që flet me të huajt për tolerancën dhe harmoninë fetare duhet të ketë në zyrën e tij veprat e kolosëve të mendimit shqiptar, që t’ua tregojë të huajve duke iu thënë se ky realitet kulturor që është toleranca dhe harmonia fetare, ka edhe dimensionin e tij intelektual dhe është një histori suksesi sesi mund të kultivohet një premisë e mirë që ekziston te njerëzit e thjeshtë, në mendësinë kolektive. Duhet të kemi edhe antologji të mendimit shqiptar të përkthyera në gjuhë të huaja, para së gjithash në anglisht, të cilat do të përbëjnë pasaportën tonë intelektuale kulturore për t’u bërë anëtarë të Europës kulturore. Dhe nuk mund të bëhemi anëtarë të Europës ekonomike, apo asaj politike, para se të bëhemi anëtarë të Europës kulturore.

Për t’u bërë një zonë e domosdoshme në hartën e Europës kulturore, ne duhet të dimë që ta zhvillojmë këtë pasuri shpirtërore dhe intelektuale, që është toleranca dhe harmonia ndërfetare, ta ngremë atë në rangun e tempujve. Ne kemi te fqinjët tanë në Maqedoni, me projektin e qendrës së Shkupit, shembullin e një përpjekjeje për të krijuar një monument modern të trashëgimisë kulturore historike, me synimin e qartë për ta bërë vendin pjesë e domosdoshme e Europës kulturore. Nuk them që edhe ne të bëjmë një projekt kaq të madh e të kushtueshëm, por ne, me pak shpenzime, mund të krijojmë në Tiranë tempullin e tolerancës dhe harmonisë fetare në një zonë përreth qendrës së kryeqytetit ku gjenden tempujt kryesorë fetarë. Në një pikë të baraslarguar nga tempujt fetarë që gjenden përreth qendrës së Tiranës mund të ngrihet një monument me këta mendimtarë që krijuan bashkërisht këtë ide të frymëzuar nga shpirti i popullit shqiptar. Gjithashtu mund të krijohet dhe qendra e mendimit shqiptar, me bazë studimin tolerancës dhe harmonisë fetare në vend dhe përhapjen eventuale të kësaj përvoje jashtë vendit.

Kështu Europa kulturore do të na shohë si pjesë të sajën të pandarë, dhe kështu do të jetë më e lehtë dhe më e sigurt hyrja në Europën ekonomike, atë politike e kështu me radhë. Integrimi europian është një proces i shumëfishtë që ka edhe aspektin kulturor, e për këtë në Shqipëri nuk mund të thuhet se është menduar e është punuar shumë, pavarësisht se cila palë ka qenë në pushtet. Sigurisht është bërë shumë për t’ iu ofruar shqiptarëve kulturën europiane. Për këtë në Shqipëri  kanë punuar bashkërisht shoqëria civile, shteti, mediat, shtëpitë botuese, fondacionet e huaja etj. Por për kontributin tonë sado modest në kulturën Europiane nuk është menduar fare. Pra nuk është menduar fare për të krijuar nga asetet tona kulturore, vendin e veçantë që na takon në hartën kulturore europiane. Nuk duhet të mjaftohemi me imazhin e Nënë Terezës që është bërë emblematik që nga aeroporti i kryeqytetit, në sheshe etj., se kalojmë dhe në teprim. Sigurisht që ka rëndësinë e vet të padiskutueshme, se ne mund të ofrojmë një shumëllojshmëri vlerash. Ne duhet të tregojmë se kemi çfarë t’i sjellim Europës edhe kulturalisht, dhe ky nuk është një pretendim i tepruar. Sigurisht këtu duhet të nxjerrim mësime nga teprime që janë vënë re përreth nesh, me projekte groteske, që më tepër do të na prishnin punë se do të na shërbenin në procesin e integrimit europian.

Shembulli i Greqisë tregon se, në qoftë se Europa na sheh si pjesë të Europës kulturore, atëherë do të bëjë gjithçka për të na integruar në mënyrë të pakthyeshme në Europën ekonomike, politike etj., si dhe do të na asistojë me ndihma në periudhat e vështira që mund të kalojmë në të ardhmen, pa menduar kurrë të na braktisë.

Mapo

SHKARKO APP