Shqipëria më në lindje, pas qerres kineze

DOSSIER
Nga Skifter Këlliçi

(vijon nga numrat e kaluar)

 Doemos, ashtu siç kishin nisur marrëdhëniet me Kinën, ku pavarësisht se, PKK (Partia Komuniste Kineze) ishte forca politike udhëheqëse, kishte edhe parti të tjera sado të vogla, se Mao Ce Duni kishte hedhur me kohë parullën: “Le të lulëzojnë 100 lule dhe 100 ide”, përderisa Enver Hoxha sa për sy e faqe na mësonte të thërrisnim “Enver- Mao Ce Dun”, se miqësia me Kinën Popullore do të ekzistonte për jetë e mot, përderisa që më 1962, ai shkruante ditarin me titull “Shënime për Kinën”, do të vinte një ditë që ai të ndërpriste çdo lidhje me këtë vend që udhëhiqej nga një parti tashmë revizioniste, ashtu si PK e Bashkimit Sovjetik, nga i cili ishte shkëputur në vit më parë, më 1961-in. “Sebep” për të parën e parë në marrëdhëniet me Kinën u bë një ide e kinezëve …të cilët në kuadrin e  teorisë së tyre të njohur “të tri botëve” mendonin që Shqipëria të bashkohej me një aleancë miqësore me Jugosllavinë dhe Rumanisë dhe së bashku do të përbënin një barrierë kundër BS, që përfaqësonte sipas ekuacionit kinez “botën e parë.”. (Jeta ime”, faqe 272)

E çara e dytë erdhi, më 1972-in, si pasojë e  “…qëndrimit të kinezëve ndaj SHBA-ve”, ku vizita e Kizingerit dhe më pas e Niksonit në Kinë u konsideruan nga ana e PPSH-së si shkarje politike, si pajtim me imperializmin dhe pabesi e luftës së popujve për çlirim kombëtar, veçanërisht ndaj luftës së popullit vietnamez, që pikërisht në atë kohë pësoi edhe goditjet më të rënda nga forcat ushtarake amerikane”. (po aty). Por pasi shkruan këto radhë, Ramiz Alia dhe me të drejtë, arrin në përfundimin se udhëheqja shqiptare u nxitua, sepse këto lidhje nuk vinin në rrezik sistemin shoqëror në Kinë dhe për më tepër ato “…nuk dobësonin aspak pozitën e Shqipërisë në botë. Përkundrazi, ato mund të shfrytëzoheshin në të mirë të përmirësimit të imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.”(faqe 273). Pas lexon këto radhë të krijohet bindja se Ramiz Alia dhe bashkë me ‘të edhe ndonjë udhëheqës tjetër me rëndësi në Byronë Politike, kanë arritur që atëherë në këtë përfundim, por nuk kanë pasur guxim që t’ia shprehnin atë hapur Enver Hoxhës. Dhe nga një anë mirë kanë bërë, se, “Xhinxhis Kani shqiptar” do t’i cilësonte armiq e do t’ua priste kokën, ashtu siç ndodhi në fushën e letërsisë dhe arteve pas Plenumit të 4-t të KQ, me grupin e ushtarakëve puçistë, ose me grupin e sabotatorëve në fushën ekonomike, të gjitha pjellë e përfytyrimeve të tij paranojake. Pastaj Ramiz Alia shkruan se udhëheqja shqiptare i bëri të njohur udhëheqjes kineze se e quante të gabuar këtë qëndrim të saj . “…aq më tepër se në propagandën e tyre filloi të mungojë mbështetja për luftën antiimperialiste të popujve që kishin rrëmbyer armët për lirinë dhe pavarësinë kombëtare.”(faqe 273). Me fjalë të tjera, Enver Hoxha i bënte Mao Ce Dunit po ato kritika që i kishte bërë edhe Hrushovit, kur, si i pari, ashtu dhe i dyti, e kishin mbajtur gjallë Shqipërinë. Bile i dyti edhe më shumë, siç pohon ai vetë në këtë libër. “Se me ndihmën e Kinës u ndërtuan thuajse veprat kryesore që shënojnë industrializimin e vendit, si hidrocentrali i Vaut të Dejës, uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, Uzina e Plehrave Azotike në Fier, uzina “Traktori” në Tiranë, një varg fabrikash ushqimore, u rrit në shkallë të lartë mekanizimi i bujqësisë me 20 mijë traktorë të ardhur nga Kina etj., etj…”. (faqe 246)

 “Prishja, -vazhdon më poshtë Ramiz Alia, -u bë e paevitueshme atëherë kur nga pala kineze pakënaqësia për qëndrimin e PPSH-së, (pra e Enver Hoxhës, S.K.), filloi të pasqyrohej edhe në marrëdhëniet ekonomike me vendin tonë, ashtu siç kishin vepruar dikur sovjetikët…”. (faqe 273).  Kësisoj, “trimi i çartur”, Enver Hoxha, nuk duroi dhe në Kongresin e 7-të të PPSH-së, i cili u mbajt nëntor të vitit 1976 denoncoi publikisht teorinë e tri botëve dhe si pasojë “…nga bashkëpunimi i gjithanshëm dhe ndihmat në kredi të ndryshme, u kalua në marrëdhënie të thjeshta tregtare… Flirti kino-shqiptar mori fund.” (po aty). Duket se fjalët e fundit janë shkruar jo pa shpoti, sepse më poshtë Ramiz Alia shpjegon se prishja e marrëdhënieve midis dy vendeve tona “më tepër dëmtoi Shqipërinë se sa Kinën. Shqipëria humbi një mbështetje të rëndësishme, kryesisht për zhvillimin e saj ekonomik, por edhe një aleate me peshë në fushën politike. Enver Hoxha dhe e tërë udhëheqja shqiptare e panë çështjen vetëm nga një këndvështrim, ai i luftës antiimperialiste dhe nuk patën parasysh arsyet e kinezëve, të cilat lidheshin me interesat e tyre kombëtare.”(faqe 274).

 Po përse atëherë udhëheqja shqiptare, me Enver Hoxhën në krye, nuk pati parasysh edhe arsyet e sovjetikëve, të cilët, po për interesat e tyre kombëtare propaganduan “bashkekzistencën paqësore midis sistemeve të ndryshme shoqërore”, që u bë kryesisht shkas që ky stalinist i pandreqshëm, edhe për faje të Hrushovit, të prisheshin marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe B. Sovjetik? Në kujtimet e tij ish-gjenerali i njohur Halim Ramohito, dënuar nga Enver Hoxha si pjesëtar grupit puçist me 1974, që kam përmendur në kapitujt e parë të këtij dosieri, pasi vë në dukje ndihmat e jashtëzakonshme që Kina i dha Shqipërisë jo vetën në fushën ekonomike, por edhe ushtarake me armatime nga më modernet që ajo kishte, citon deklaratën e mëposhtme të Enver Hoxhës, pas prishjes së marrëdhënieve midis dy vendeve tona:

“Kinezët i kishim miq. Si vende socialiste dhe internacionaliste, ata kishin detyrë të na ndihmonin si vend i vogël që ishim. Këto ndihma i merrnim me kredi, që vendosëm t’ua paguanim deri më një, gjë që në fakt e kemi bërë dhe sot nuk u kemi borxh. Përkundrazi, ata na kanë sabotuar dhe kreditë e tyre përbëjnë një përqindje fare të vogël në buxhetin tonë”. (Gazeta “Dita”, 7 mars 2013)

Kurse Mao Ce Duni me një letër të drejtuar udhëheqësve shqiptarë më 1978 shkruante: “Ju ndihmuam, jeni mosmirënjohës”. (Po aty, 16 mars 2013).

 Vërtet mosmirënjohje e skajshme!… Shinasi Dragoti, ish-ministër i njohur i Ndërtimit gjatë regjimit komunist, në një bisedë që kam pasur më të pas viteve ‘90-të, më thoshte se qeveria jonë i kishte pasur 10 miliardë dollarë detyrime Kinës, shumë që nuk u shlye asnjëherë.

Ramiz Alia, kundër prishjes më Kinën, pra kundër Enver Hoxhës!

 “Prishja me Kinën,-përfundon Ramiz Alia me shumë sinqeritet dhe dhembje, -krijoi vështirësi, sidomos në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Mund të thuhet se në gjysmën e dytë të viteve ‘70-të, por në mënyrë të dukshme në fillimin e viteve ‘80-të ekonomia shqiptare ishte në stanjacion… Filluan të duken edhe vështirësitë në plotësimin e nevojave të njerëzve. Në fillim nga stanjacioni kaloi në krizë. Vështirësitë edhe lidhur me furnizimin e njerëzve me ushqime të dorës së parë u shtuan. Natyrisht, kjo gjendje u pasqyrua edhe në situatën politike, brenda dhe jashtë vendit, e cila erdhi duke u përkeqësuar gradualisht.” (faqe 274)

Dhe kapitullin që pason ai e titullon: “Vetizolimi” dhe përpjekjet për lidhje më botën”. Pastaj në kapitujt e tjerë të librit të tij Ramiz Alia pranon se dënimet e njëpasnjëshme të kuadrove kryesorë në fushën e kulturës, të ekonomisë e të ushtrisë, (pra të T. Lubonjës, F. Pacramit, B. Ballukut, P. Dumes. K. Theodosit, M. Shehut, K. Hazbiut…“ndikuan në përkeqësimin edhe të gjendjes shpirtërore të njerëzve…” se “… ngjallën shqetësime tek njerëzit jashtë dhe brenda partisë, por edhe frikë e dyshime.”(po aty)

 Ramiz Alia fajëson Enver Hoxhën që me Kushtetutën e re izoloi Shqipërinë

“Mbyllja e Shqipërisë, -shkruan Ramiz Alia, -…veçanërisht në mungesën e shkëmbimeve kulturore e turistike me botën e jashtme, në pengimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, ose ndalimin e marrjes së kredive dhe krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta me vendet perëndimore, e sanksionuar edhe në kushtetutën e vitit 1976, ka qenë pengesë për zgjerimin e lidhjeve të shumanshme të Shqipërisë me botën e jashtme.”(“Jeta ime”, faqe 276)

 Kush e sanksionoi në Kushtetutë këtë nen të mallkuar , kush ishte nismëtari dhe zbatuesi i kësaj mbylljeje me botën e jashtme?Vetë Enver Hoxha. Vetëm ai shkruante dhe vuloste, pa pyetur më njeri. Ramiz Alia e pohon hapur që ishte kundër kësaj mbyllej. Besoj se edhe të tjerë nga udhëheqja. Por, siç e kam thënë edhe më sipër, asnjë nuk guxonte t’ia shprehte këtë mendim hapur diktatorit që po e shpinte vendin në greminë. As edhe pas vdekjes së tij, sepse ky nen ishte “sakrilegj”. Ndaj Ramiz Alia nuk pati guxim ta bënte këtë. Edhe kur më 1987 politikani I njohur gjermano-perëndimor, Shtraus, i ofroi atij ndihmën e vendit të tij dhe ky iu përgjigj se… nuk i linte …Kushtetuta. Enver Hoxha vazhdonte ta udhëhiqte Shqipërinë edhe pas vdekjes.

 Duke vazhduar më arsyet e kësaj mbylljeje ai vazhdon:

 “…Kanë ndikuar shumë në këtë drejtim jo vetëm dërgimi i diversantëve nga jashtë, por edhe në veçanti qëndrimet dhe veprimet e Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik kundër Shqipërisë”. ( po aty).

 Argument krejt pasaktë! Ramiz Alia na hedh në vitet ‘50-të, kur Enver Hoxha nuk e quajti të arsyeshme vizitën e Hrushovit, që u pajtua me Titon, (aq më tepër që në verë të vitit 1956 ky i fundit pati deklaruar në qytetin jugosllav Pula se “…pa hequr Enver Hoxhën dhe të tjerë, nuk mund të zbatohen vendimet e Kongresit të 20-të”). Ai ka gjithashtu parasysh kur kundërshtoi sovjetikët për hapjen e tyre drejt perëndimit dhe politikën e afrimit me ta falë “bashkekzistencës paqësore”, që sipas tij do të thoshte edhe braktisje e luftës nacional-çlirimtare të popujve të shtypur…për të cilat është shkruar gjatë në këtë dosier.

 Por pas ndarjes me Bashkimin Sovjetik dhe lidhjeve me Kinën, pra në fillim të viteve ‘60-të këto argumente që sjell Ramiz Alia, nuk kanë baza…

 Meqë isha gazetar në Radio-Tirana, kam lexuar rregullisht shtypin sovjetik edhe pas vitit 1961, deri më 1990. Është e vërtetë që vitet e para edhe gazetat, sidomos Radio Moska u përgjigjeshin sulmeve të Enver Hoxhës, madje edhe me gjuhë të rëndomtë. Por pas shkarkimit të Hrushovit dhe ardhjes në fuqi të trojkës Brezhnjev-Podgorni- Kosigin, më 1964, ky shtyp dhe Radio Moska as që merrnin mundimin të bënin polemikë me ne , pale edhe të shkruanin libra, a broshura kundër Enver Hoxhës dhe PPSH-së për dogmatizëm, në një kohë që Enver Hoxha nuk la gur pa përdorur për t’i qëlluar si revizionistë modernë, renegatë të marksizëm-leninizmit… Madje, edhe me libra si “Kujtime me Stalinin”, “Hrushovianët” e paçavure të tjera.

Përkundrazi, këta “revizionistë” bënë hapa që të afroheshin me Shqipërinë, pavarësisht nga kundërtitë ideologjike që na ndanin, por nuk gjetën mbështetje nga Enver Hoxha, që vazhdonte të mbante në mbikëqyrje, madje edhe të burgoste, deri gra sovjetike, si “agjente” të KGB-së dhe agjenturave të tjera të vendeve të lindjes, veprim që e kritikon edhe Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”. (faqe 235).

 Pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, Ramiz Alia në librin e tij thekson: ”Sulmet tona propagandistike ndaj Kinës ishin të matura. Vetëm pas Kongresit të 7-të që u mbajt në nëntor të vitit 1976, kur në raportin që mbajti Enver Hoxha, u kritikua botërisht teoria kineze “e tri botëve”, në shtypin e partisë filloi të shkruhej më gjerë për demaskimin e tezave kineze. ”(faqe 278). Pra, veproi si Hrushovi që në Kongresin e 21-të të PK të B.S, më 1961, kishte bërë botërisht të njohur mosmarrëveshjet midis të dy partive dhe për këtë ishte dënuar nga Enver Hoxha. Dhe, si për t’u shfajësuar, Ramiz Alia vazhdon:  “Pra, u zgjerua fronti i luftës kundër revizionizmit. E kam thënë më sipër se me këtë front lufte merrej drejtpërdrejt E. Hoxha.” (po aty). Doemos kështu do të ndodhte, se ai vazhdonte ta quante veten Guliver para byroistëve liliputë, duke përfshirë këtu dhe vetë Ramiz Alinë.

Epilog-Pas izolimit, katastrofa që e pranon edhe Ramiz Alia, për faj të politikës dogmatike të Enver Hoxhës. Me sa miq që i ktheu në armiq, u mor Enver Hoxha që nga viti 1945, deri sa mbeti vetëm!… Dhe pasi, preu koka të bashkëpunëtorëve të tij, sepse edhe ata i dolën armiq, u vetizolua, dhe atëherë u shpreh ngadhënjyeshëm se “Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që ndërtonte socializmin”, atë biçim socializmi që Ramiz Alia nuk ka fare drojë ta përcaktojë kështu, pas këtij vetizolimi: “Situatën në përgjithësi e rëndonte fakti se vështirësitë ekonomike kishin filluar të shfaqeshin gjithnjë e më shumë. Sidomos nuk po u vinte fundi radhëve për të siguruar qumështin e vezët, për të mos folur pastaj për mungesat që kishte në treg për mallra industriale. Kuptohet se këto vështirësi ndikonin negativisht në gjendjen moralo-politike të njerëzve. ”(faqe 302). Dhe pasi kishte shpartalluar sipas mësimeve të Stalinit revizionistët titistë, revizionistët sovjetikë, revizionistët kinezë, ashtu siç e pamë në këtë dosjer, duke vënë në përdorim makinën e vet propagandistike, të cilën ia besoi së pari Ramiz Alisë, si shef i propagandës, siç pohon edhe ai në faqet e librit “Jeta ime”, pastaj vetvetes, me artikuj në gazeta, me broshura, vepra të tij shumëvëllimëshe, në gjuhë të huaja dhe të shpërndara anekënd botës, që mund të shërbenin vetëm për . . ambalazhim, pasi ftoi grupe marksiste-leniniste që të shihnin nga afër “sukseset madhështore të Shqipërisë socialiste, shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut”, që çante bllokadën borgjezo-revizioniste, e cila ekzistonte në kokën e tij të një paranojaku, Enver Hoxha u nda nga kjo botë, duke ia lënë Shqipërinë trashëgim Ramiz Alisë , i cili në vazhdim të marshit funebër që kompozon për “socializmin enverist”, në librin e tij “Jeta ime”, na dhuron edhe pasazhin që kam përmendur në fillim të këtij dosjeri dhe që po e përmend edhe tani dhe që mbyllet me këtë citim të përvajshëm:

“Në vitin 1990 ne hymë me mungesa të mëdha që ndiheshin në të gjitha fushat e jetës. Industrisë i mungonte lënda e parë, gjë që e detyroi qeverinë të ndalojë punën në disa fabrika. Të ardhurat e eksportit nuk mjaftonin për të sjellë nga importi mallra të domosdoshme…Papunësia shtohej…Valuta e lirë që dispononte Banka Kombëtare, kishte mbaruar, ndërsa për të kërkuar kredi, as që mund të bëhej fjalë…”(faqe 332)

 Kuptohet se ishte fundi i komunizmit enverist dhe i komunizmit në Europë, pra në Bashkimin Sovjetik, ku lindi, si dhe në vendet e tjera socialiste. Ky ishte dhe fundi i ideologjisë marksiste-leniniste dhe varianteve të saj, staliniste , që mbështeti dhe zbatoi me fanatizëm Enver Hoxha, dhe titiste, hrushoviane, maoiste, gorbacoviane…

Ky ishte dhe fundi i komunizmit botëror në teori dhe praktikë. Ndaj, edhe ato faqe me kujtime të luftës së Enver Hoxhës për triumfin ndaj revizionizmit hrushovian, ose maoist dhe triumfin e një bote, ku komunizmi do të fitojë, të cilat Ramiz Alia herë- herë i përshkruan në librin e tij “Jeta ime” me shumë frymëzim, por edhe në mënyrë mjaft kritike, janë iluzione të vdekura që nuk ngjallen kurrë më, sepse edhe këto ideologji janë të vdekura njëherë e përgjithmonë.

 Himnizimi i Enver Hoxhës është fund e krye në kundërshtim më dëshirën e popullit shqiptari, cili ka urryer, urren dhe do të urrejë regjimin e tij totalitar që, veç të tjerash, pasi ra së pari në prehrin e Jugosllavinë, pastaj me Bashkimin Sovjetik, ra edhe në prehrin Kinës, pastaj u shkëput prej saj dhe e izoloi Shqipërinë nga bota, ashtu si, dashur pa dashur, e përshkruan edhe Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”, që analizuam.

 Jalta-vendimi e tre të mëdhenjve, Ruzveltit, Çërçilit dhe Stalinit, në shkurt të vitit 1945, që Shqipëria të përfshihej në sferën e Lindjes, të zotëruar nga Bashkimi Sovjetik, pas Kongresit të Berlinit, më 1978, Konferencës së Ambasadoreve në Londër, (1913), qe goditja më e fortë, e cila solli që Shqipëria të lidhej radhazi pas qerres së vendeve të mësipërme komuniste dhe vetëm pas vitit 1992, kur u shemb përfundimisht sistemi komunist, të krijonte lidhje të vërteta më tërë botën, pa qenë e ndërvarur nga askush.

FUND

Lexoni edhe pjesët e tjera të dossieri:

Mao Ce Duni, “babai” ynë i ri…

Përplasja e Enver Hoxhës për çështjen jugosllave

Revolucioni hungarez dhe Shqipëria

Hoxha dhe marrëdhëniet me Stalinin e Titon

Mes jugosllavëve dhe sovjetikëve

Shqipëria në prehrin e jugosllavëve dhe më pas sovjetikëve

SHKARKO APP