Shqipëria shikon kërthizën e saj, BE shikon krizat

Nga Lavdrim Lita/Lajmi më i mirë që mori komisioneri për zgjerim i KE, Johannes Hahn, në Tiranë, ishte se u bë gjysh për herë të parë. Për të tjerat, ai mori veç premtime e përbetime, në samitin e Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Durrës. Komisioneri Hahn i kërkoi politikës shqiptare se s’duhet të humbasë më kohë, por ta miratojë reformën në drejtësi, pa kushtëzime dhe ndërlikime që vetëm dëmtojnë vendin.  Kjo deklaratë e austriakut Hahn shkon në të kundërt me qëndrimin e deritanishëm të politikës që kushtëzon reformën në drejtësi, me hile bizantine për të marrë ose ruajtur pozicione dominante në sistem.
Në Shqipëri, komisionari austriak i fqinjësisë së mirë kontrolloi  fletoren e “detyrave të shtëpisë” së politikës në përmbushjen e 5 prioriteteve për hapjen e negociatave. Por në kushtet politike në të cilat ndodhet vendi, detyrat janë gjëja e fundit për të cilën mendohen shqiptarët. Korrespondenca partiake e liderëve nënkuptonte se mungonte stilolapsi për të nënshtruar marrëveshjen që do të normalizonte sherrnajën e pafund e pa krye.  
E vërteta është se Bashkimi Europian ka kriza më të mëdha se mungesa e dialogut tonë politik dhe zgjerimi me vende të reja nuk është halli më i madh i saj. Së pari: kriza e refugjatëve në portat e jugore, qëndrimet refraktare të vendeve europiane për të bërë pjesë e zgjidhjes së problemit dhe flukset e panumërta janë në dritë të diellit. Së dyti: goditja e terrorizmit fundamentalist në zemër të Europës, në Bruksel e Paris, brenda pak javëve ka nxitur pasigurinë e qytetarëve dhe një valë tjetër ksenofobie me ekuacione të panjohura. Së treti: kriza veriore e Krimesë me rritjen e aktivitetit destabilizues të Rusisë në Ukrainë dhe vendet Baltike po i shpenzon shumë energji e kapitale diplomacisë së BE. Së katërti: kriza financiare nuk ka kaluar plotësisht, dobësia strukturore e disa vendeve të BE-së qëndron këmbëkryq në statistikat e Bankës Qendrore Europiane. Përballë këtyre problemeve madhore, BE-ja dëshiron që çdo vend me statusin kandidat për anëtarësim në BE të mos sjellë problemet familjare në klub.       
Në Ballkanin Perëndimor dy vende janë në zgjedhje të parakohshme, Maqedonia dhe Serbia pritet të hyjnë në zgjedhje për rikonfirmuar me votë statuskuonë e fuqisë së Gruevskit dhe Vuçiç.  Në zgjedhjet parlamentare të 24 prillit, qytetarët e Serbisë pritet të votojnë Partinë Përparimtare Serbe të  Vuçiçit, i cili kishte në parlamentin e fundit 135 deputetë në parlamentin me 250 vende. Ndërsa në zgjedhjet e 5 qershorit, 130 mijë punonjësit e administratës së Maqedonisë do të votojë punëdhënësin e saj, Nikola Gruevskin, i cili kishte në parlamentin e fundit, 61 deputetë në 123 vende.
Ndërkohë Kosova gjendet në një ngërç politik, që edhe pse zgjedhjes president të Hashim Thacit, nuk po shkon drejt zgjidhjes, përkundrazi. Koalicioni i madh LDK-PDK po shkakton më shumë probleme seç mund të zgjidhte në fillimet e saj, duke i lënë vendin një opozite të pengmarrë nga qëndrimet “anti” të Vetëvendosjes.     
Në këto kushte, roli i qytetarit në shoqëritë postkomuniste të Ballkanit Perëndimor është bërë gjithmonë  e më shumë i pa dëgjueshëm. Polarizimi i shoqërisë civile, që vetëm tesera partie nuk ka, janë bërë sëmundje të dukshme të shoqërive postkomuniste. Tradhëtimi i kauzave të drejta për qëllime politike është bërë ura që lidh pushtetin me vesin primitiv. Hyrja në krizë ciklike e disa vendeve të rajonit janë  reflektime të sistemeve të kalbura të edukimit dhe shitjes së ambalazheve mediatike si modele suksesi në jetë.     
*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.

SHKARKO APP