Shqiptarët mes Perëndimit dhe Orientit
Nga Zef Shtjefni
Historia na mëson se shqiptarët, 10 vjet pas vdekjes së prijësit të tyre legjendar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, u thyen nga ushtria Otomane, më e fuqishmja e botës në ato kohë. Ajo, pas pushtimit të trojeve shqiptare, shfryu gjithë tmerret e mundshme kundër kombit të vogël, i cili me trimëri e zgjuarsi të pashoqe, mbi 57 herë i dërrmoi ushtritë e mëdha të Sulltanëve. Pas rënies së kështjellave të flamurit kuq e zi, shqiptarët, të cilët arritën t’u shpëtonin masakrave, me varka druri, me trungje e ç’mundën, kapërcyen Otranton dhe u strehuan në tokat e Kalabrisë, që mbreti Ferdinand ia pat falur Skënderbeut, për ndihmën e madhe në çlirimin e Italisë Jugore. Të tjerët që nuk arritën, iu nënshtruan tmerreve, kokëprerjes së burrave, përdhunimit masiv të vajzave e grave, rekrutimit të djemve dhe degdisjes së tyre në fund të botës, si mish për top, në luftërat pushtuese të Perandorisë Osmane. Përballë këtij tmerri, që zgjati me shekuj, imagjinoni se si mundën stërgjyshërit tanë të ruanin kombin, racën, zakonet, traditat, gjuhën dhe shumë syresh edhe fenë e të parëve të tyre, krishterimin. Kur sjell në mendje këto fakte të historisë sonë, çdo kush mund të mendojë se si kemi shpëtuar vallë pa u shfarosur si komb. Kanë qenë vërtetë heronj të lavdishëm të parët tanë, kur dimë se kombe të tjera gjigante janë shuar. Një pjesë e shqiptarëve u detyruan të humbin fenë, por zakonet e traditat, gjuhën e gjithçka tjetër nuk na i kanë shkulur dot. Fenë e humbi një pjesë e popullsisë, sepse feja është politikë dhe ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar e ruajtur gjërat e tjera më të shtrenjta, që ka një komb. Ajo që nuk kuptojmë dot sot, është se si ka mundësi që ca shqiptarë e harrojnë historinë tonë dhe mësimet e saj jetike. Nuk arrijmë dot të kuptojmë se si ca shqiptarë nuk dallojnë mes tyre xhihadistët dhe islamiket radikalë që na kanë dërguar vendet arabe tinëzisht, nën petkun e fesë islame, duke na sulmuar në fillim zakonet, traditat e gjuhën tonë, simbolet tona të krenarisë kombëtare, me qellim që të na i zëvendësojnë ato arabe, që në fund t’i venë kapak me pushtimin politik. Duke përfituar nga kaosi dhe toleranca e demokracisë, islamikët radikalë kanë filluar e po bëhen gjithnjë e më agresivë, sa njerëzit kanë filluar të trembën seriozisht prej tyre. Para afro 100 vjetësh i madhi Gjergj Fishta thoshte: “Shqiptarët po ecin me krye nga Evropi, por me këmbë nga Arabia”. Më duket, se kur shohin sheshet e rrugët tona, të pushtuara nga militantët e fesë islame: Shqipëria është në tranzicion. Shqipëria nuk është në tranzicion, por është në udhëkryq, midis Perëndimit të krishterë dhe Orientit islam. Ngjarja e kobshme në Paris këto ditë kundër fjalës së lirë, tregon dallimin e madh midis dy botëve edhe sot, tregon prapambetjen e tmerrshme, ndoshta më shumë se 1000 vjeçare të botës arabe. Edhe sot e kësaj dite të vrasin për një fjalë, apo një karikaturë humoristike, për një gjest, për një mëndim ndryshe. Dhe të vrasin edhe ata, që janë lindur në Francë..! Sot po shtohet dyshimi se këto dy botë mund të jetojnë bashkë. Ndaj, para lidershipit perëndimor po del detyra e madhe e evitimit të përplasjes së dy qytetërimeve, që të mos përsëritën tragjeditë e historisë. Shumë kush në Europë mendon se, do të ishte më mirë që secili të jetonte në shtëpinë dhe në vendin e vet me fenë dhe zakonet e veta.
Mbreti Zog, tek ne, bëri përpjekje të shumta që t’i jepte karakter kombëtar edhe fesë islame. Ai bëri ç’mundi gjithashtu që shqiptarët t’i kthenin sytë nga origjina e tyre Europiane. Edhe drita që kishin ndezur në shpirtrat e shqiptarëve rilindasit, bëri që populli ynë t’i kthehej shpejt patriotizmit, zakoneve e traditave të tij historike, vetëdijes kombëtare të gjakut, gjuhës e racës. Kështu feja, në vitet që pasuan, nisi të dilte në plan të dytë, ndërsa harmonia e shqiptarëve, edhe pse me fe të ndryshme, mbivalonte çdo gjë. Nisi tradita e mrekullueshme e festimit bashkë të gjitha festave fetare që vijon edhe sot. Shqiptarët të çliruar nga turku dhe me shtetin e tyre po bashkoheshin me Mbretin Zog, por i ndante një gjë e pakuptimte: fetë e shumta që ua kishin diktuar pushtuesit e huaj. Mbase për këtë arsye nuk e pati shumë të vështirë edhe Regjimi komunist më pas, që t’i zhdukte fetë dhe institucionet e tyre. Kjo u bë edhe me mjetet e dhunës, por u ndihmua shumë edhe nga fakti se fetë e shumta dukeshin si një copë e huaj përçarëse në trupin e kobit tonë. Komunistëve iu desh luftë më e madhe me klerin katolik, me priftërinjtë, me kishën, sepse ata ishin autoktonët, ishin krijuesit dhe ruajtësit më të mëdhenj të kulturës, historisë, gjuhës, patriotizmit të kombit tonë në shekuj dhe armiq të betuar të komunizmit rus. Ndaj, si të tërbuar varën, vranë e dogjën burgjeve të tmerrshme komuniste çdo klerik, çdo njeri me kulturë perëndimore, çdo patriot të shquar, çdo mendje të ndritur. Fondamentalizmi komunist dhe fondamentalizmi islamik nuk është se ndryshojnë shumë me njëri tjetrin tek ne. Të dy janë armiq të vlerave kulturore europiane të popullit tonë. Por është e rëndësishme që të mos ngatërrojmë një gjë: fondamentalistët islamikë nuk kanë asgjë të përbashkët me myslimanët tanë tradicionalë. Ata janë si reparte ushtarake agresive në shërbim të organizatave të ndryshme që i dërgojnë, që i paguajnë si mercenarë për t’u shërbyer qëllimeve të tyre politike e djallëzore. Nuk është vetëm Alkaeda e ISIS, por janë me dhjetëra syresh nëpër botë dhe kur iu prishet foleja, si në Afganistan, Irak, Siri etj., shpërndahen si grethat, kudo që gjejnë zgavra e skuta, nga ku mund të sulmojnë e kafshojnë. Edhe tek ne, nuk është vështirë të kuptohet se më radikalët janë pikërisht këta që kanë ardhur nga shkollat e vendeve arabe. Ata i janë vërsulur me kaq agresivitet e antishqiptarizëm Shqipërisë, Kosovës, viseve shqiptare të Maqedonisë, duke përfituar nga anarkia e korrupsioni i administratës shtetërore. Kujtojmë se këta celula vite me parë kanë vrarë në zyrën e tij në Tiranë, Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kanë kërcënuar me vdekje sa e sa herë Sabri Kocin, e pas tij edhe ish-Kryetarin patriot Selim Muça. Ky i fundit shpëtoi, se i bëri thirrje në media shtetit për mbrojtje, sepse togat e zeza te terrorit islamik po planifikonin ta vrisnin. Këto bisha të egra nuk duan të na lëshojnë të shkojmë në rrugën tonë natyrale, drejtë Europës së cilës i përkasim. Është sulm i madh dhe i guximshëm i tyre përbaltja e simboleve tona kombëtare, e Nënës Terezë, me të cilën gjithë bota na e ngre në piedestalin më të lartë të nderimit, kundër heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili i siguroi njohjen e mbijetesën këtij kombi me luftërat e tij legjendare, pikërisht kudër këtyre hordhive të errësirës. Këtë antishqiptarë sot kanë qëllimin e madh e djallëzor që të transformojnë imazhin e vërtetë të shqiptarëve nga popull europian, në popull islamik. Këta mjekroshë po guxojnë të na sulmojnë edhe babagjyshin apo babadimrin, po u sulmojnë fëmijëve tanë pemën e vitit të ri me gjithë dhurata, po na sulmojnë festën tradicionale të vitit të ri me gjithë gëzimet e mëdha shoqërore e familjare, po na sulmojnë çdo gjë pozitive dhe të mirë që na ka dhënë historia jonë e kjo botë, së cilës i perkasim. Këta njerëz për atdhe kanë Arabinë e islamin dhe jo Shqipërinë e Kosovën. Gjuha e tyre është arabishtja, e jo shqipja. Zakonet e tyre janë ato islame e arabe dhe jo ato të kombit tonë, aq me pak ato europiane. Ata kanë dallim të madh me myslimanët atdhetarë shqiptarë, të cilët janë edhe nga zakonet edhe nga raca si gjithë shqiptarët e tjerë dhe si gjithë europianët. Po cila është zgjidhja e këtij udhëkryqi, ku ndodhet Kombi ynë sot dhe ku përpara ka një provë më të madhe se kombet e tjerë perëndimorë? Si çdo lloj race tjetër kriminelësh, edhe për këto, funksionimi i ligjit dhe i shteti është ajo që i tmerron. Është rregulli, kontrolli dhe disiplinimi i veprimtarive fetare. Është zgjedhja e një lidershipi patriot, siç duket se është konsoliduar në Shqipëri. Është kombëtarizimi i çdo lloj programi dhe shkolle të feve në vend. Është ndalimi i financimeve të errëta nga jashtë. Është konsolidimi i demokracisë dhe qëndrimi besnik përkrah kombeve vëllezër europianë e amerikanë. Është vigjëlimi dhe lufta e papushim kundër çdo lloj dukurie e individi kriminal. Po ashtu, mendoj se është mëkati më i vogël që kushdo i huaj që flet e punon kundër Shqipërisë, ligjeve, zakoneve, traditave të saj, të përzihet një orë e më parë nga Shqipëria.