Shqiptarët pas sulmeve terroriste të Parisit
1.
Po bëhet tashmë një klishe. Ndodhë një sulm terrorist në botë, sulmi shkakton llahtarin, ashtu siç është i dizajnuar për të bërë , dhe brenda disa orëve bëhet përpjekja për të kuptuar përsenë e këtij sulmi. Në momentin e përcaktimit se bëhet fjalë për sulmues që vetëidentifikohen si myslimanë (arabë e me prejardhje arabe) rrjedh një vërshimë reagimesh , me shpjegime nga më të ndryshmet, e që të gjitha drejt përfundimit a është gjithçka në rregull me Islamin (në versionin më të butë të pyetjes) që prodhon kaq shumë dhunë? Ky narracion tashmë ndërkombëtar nuk i ka shpëtuar as Shqipërisë e shqiptarëve dhe shembullin më të mirë për të e gjeta në reagimin e menjëhershëm të shkrimtarit dhe deputetit socialist Ben Blushi , qëndrimet e shkruara të të cilit janë ilustrim i këtij narracioni. Blushi, në tekstin e tij "Koha për të ndihmuar Islamin", pasi përshkruan se sulmet në Paris, më 13 nëntor të këtij viti janë terrorizëm i "frymëzuar nga feja", shtron pyetjen retorike se "si do të binden miliona djem dhe vajza evropianë të besimit islam se nuk duhet të vrasin më komshinjtë e tyre, se nuk duhet të pushtojnë rrugët ku janë rritur, se nuk duhet të hedhin në erë qytetet ku kanë jetuar"? Përgjigjen për këtë e jep , duke kërkuar prej Islamit ta bëjë. "Prej shekujsh pjesa tjetër e botës, që nuk është islam, jeton me shpresën se Islami do të zbutet. Se ky burim influence tokësore do të gjejë mënyrën dhe arsyen të bashkëjetojë me pjesën tjetër pa e kërcënuar, pa kërkuar ta dominojë, pa dashur ta pushtojë. Kush mendon se Islami nuk do, ndoshta ka të drejtë. Por kush mendon se Islami nuk mundet, e ka gabim. Unë besoj se Islami mundet, nëse bindet".
2.
Nëse mund të kondensohet , argumenti i Blushit do të ishte se Islami është i vetmi që mund të ndryshojë gjendjen e sotme të sigurisë në botë (apo për atë pjesë sigurie/josigurie për të cilën mbahet përgjegjës) nëse ndryshon traditën e vet kërcënuese, dominuese, pushtuese. Pra ,traditën që me sistemin operativ (software) religjioz parapërgatit miliona djem e vajza evropianë të këtij besimi që të vrasin komshinjtë e të hedhin në erë qytetet ku kanë jetuar. Kështu, konkludon Blushi, Islami duhet të ndryshojë, të reformohet , e të tjerët , që nuk janë pjesë e këtij religjioni , duhet të ndihmojnë. Reagimi im i parë në të lexuar këtë tekst është se në masë të madhe ilustron paragjykimet e njerëzve që jetojnë në një largësi nga Islami, pra të atyre që , siç shpjegon Blushi, nuk janë botë islame e jetojnë "me shpresën se Islami do të zbutet". Dhe duke u zbutur , do ta ndryshojnë sistemin operativ me të cilin binden miliona të rinj e të reja në Evropë që të mos bëjnë akte terrorizmi "të frymëzuar nga feja". Paragjykimi do të shihet në formë më plastike , nëse këtë të njëjtin formulim e shohim nga perspektiva të një intelektuali që jeton në "botën Islame" ,ka paragjykime ndaj krishterizmit, dhe këto paragjykime i manifeston në analizën e tij të Luftës së Dytë Botërore në Evropë. "Bota që nuk është e krishterë ka jetuar me shpresën se Krishterizmi do të zbutet. Ai që është identifikuar me Kryqëzata e që ka rrezikuar çdo gjë që nuk është e krishterë; ai që ka shtyrë me miliona djemë e vajza në Evropë që të vrasin me miliona bashkëqytetarë të tyre hebrenj- ai burim influence tokësore mund dhe duhet të ndryshojë që të gjejë mënyrën dhe arsyen të bashkëjetojë me pjesën tjetër e pa kërcënuar, pa kërkuar të dominojë, të pushtojë. Dhe bota jo e Krishterë do t'i ndihmojë". Të vlerësosh se Islami shtyn në sulme terroriste në Evropë , në një këso krahasimi, ka të njëjtën peshë argumentuese (pa krahasuar dimensionin e shkatërrimit njerëzor) si të thuash se Krishterizmi është frymëzimi i Holokaustit. Sipas mendimit tim, në të dyja rastet kemi të bëjmë me paragjykim.
3.
Por, ta marrim si të qenë, si legjitim, paragjykimin. Të themi se ekziston një problem softwareik në Islam dhe atë do rregulluar; së pari duhet ta bëjë vetë Islami e pastaj do të ndihmojnë të gjithë të tjerët, që nuk janë pjesë e këtij religjioni, sipas sugjerimit të dhënë nga Blushi. Cili Islam do ta bëjë këtë? Sepse, ndonëse Kurani është një dhe aderimi i myslimanëve të të gjithë botës fillon me besimin parësor se Allahu është një dhe i dërguari i tij në Botë është profeti Muhamed, natyra njerëzore njeh shumë interpretime të Islamit. Ekziston Islami sunit dhe ai shiit. Brenda Islamit suni, ekziston interpretimi vehabi i Arabisë Saudite. Apo ekziston Islami i obligimit të synetisë së organeve gjenitale femërore në Ugandë apo Jemen. Ekziston edhe Islami shqiptar që tradicionalisht njeh përparësinë e identitetit kombëtar. Brenda Islamit shiit , ose në afërsi me të janë alauitët dhe ata Ismaili. Dikund në afërsi janë edhe druzët, që presin ardhjen mesianike të Imamit të Trembëdhjetë. Është edhe Islami sufi, me atë që ne njohim më së miri, me tarikatin bektashi, por edhe me njëmbëdhjetë tarikatet e tjera. Në këso pluralizmi, cili Islam do t' i thuhet që të reformohet, që të ndryshojë dhe çka është saktësisht ajo që duhet të ndryshohet? Apo mjafton të rishkruhet Kurani, forma më e thjeshtë e reformimit? Por, në tërë këtë pluralizëm, gjëja që i bashkon të gjithë myslimanët është besimi se Kurani është porosi Hyjnore (duke qenë dallimi esencial a janë të shkruara drejt nga Hyu apo janë të shënuara nga njeriu). Rrjedhimisht, kërkesën për rishkrim të tekstit duhet dërguar Atje Lart. Të kërkosh që Islami, në formë të përgjithësuar, disi të ndryshojë është bile edhe për një shkallë më vështirë se të kërkosh sot që Krishterizmi të ndryshojë. Nuk ekziston një software i krishterë (ashtu siç nuk ekziston një islamik). Nuk ekziston vendi ku përnjëherë do të ndryshosh bindjet e katolikëve, të krishterëve ortodoks shqiptarë, atyre etiopianë e armenë ,atyre eritreanë (ku ekziston tradita e synetisë së organeve gjenitale femërore ), protestantëve , baptistëve, Anglikanëve, Mormonëve….Po të ishte e mundur , i tërë ky pluralizëm i krishterë do të shkrihej në një Kishë të Jezu Krishtit, e nuk është bërë. Por, në Islam, për dallim prej religjioneve të tjera monoteiste, për më tepër, nuk ekziston një hierarki institucionale. Nëse e dëshiron reformën e Kishës katolike ekziston një adresë ku mund të drejtohesh, Vatikani. Nëse dëshiron reformën e Kishës ortodokse, ekziston adresa e Patrikanës së Stambollit. Por në Islam, Suni a shiit, nuk ekziston një adresë. Nuk ekziston koncili, Patrikana, Papa, Patriarku. Interpretimi i është lënë shkollave të ndryshme religjioze, një strukture që poashtu nuk ka një hierarki. Një urdhër a iniciativë, që përnjëherësh të ndryshojë (për qejfin a nevojën e kujtdoqoftë) Islami është , qoftë edhe teknikisht, aq i mundshëm sa edhe iniciativa për të ndryshuar (për qejfin a nevojën e kujtdoqoftë) Krishterizmi. Për më tepër, është edhe më i vështirë, marrë mungesën e strukturës hierarkike.
4.
" Sot nuk është dita për ta luftuar Islamin", thotë Ben Blushi në artikullin e tij," por sigurisht është dita për ta ndihmuar. Është dita për ta ndihmuar të reformohet, të zbutet, të mësojë të bashkëjetojë. Të kthehet nga emocion në arsye". Dhe, përfundon me "Besoj në një Islam të ri. Me ndihmën tonë". Të supozojmë për një moment se ky postulat përfundimtar është me vend dhe i realizueshëm. Dhe të supozojmë se kur Blushi thotë "ne" (si në "ndihmën tonë"), e ka fjalën për shqiptarët jomyslimanë, ose jobesimtarë në përgjithësi. Atëbotë, rruga është e hapur për dy detyra eventuale. Ose ri-definimin e Islamit në nivel global, gjë që i përket kapaciteteve të Hyut (nëse besohet në të), rrjedhimisht jo një qytetari shqiptar (a cilitdo komb tjetër). Ose reformimin e Islamit shqiptar. Nëse është fjala për të, janë tri çështje ku Blushi (e cilido që mund dhe do të ndihmojë) nuk ka shumë punë për të bërë. Islami shqiptar (e kam quajtur i vetmi Islam evropian në librin tim "Ambasadori i Melkizedekut") ka relacion, që nga fillet e shtetndërtimit bashkëkohor shqiptar, me dy parime thelbësore të sekularizmit evropian. Një , Islami shqiptar i nënshtrohet shtetit sekular; në fakt atë shtet e ka ndërtuar së bashku me religjionet e tjera. Dy, Islami shqiptar nuk përpiqet të zvetënojë, mbisundojë apo zëvendësojë identitetin kombëtar. Edhe në luftën për pavarësi të Shqipërisë, e edhe në lëvizjen kosovare për pavarësi , Islami shqiptar nuk është përpjekur (ose nuk arritur) të imponojë identitetin e tij (kodet, ligjet, interpretimet) mbi atë kombëtar (në rastin e Kosovës në lëvizjen demokratike-paqësore apo atë të armatosur) për pavarësi. Dhe , tre, Islami shqiptar (për dallim prej shumë bashkësive religjioze evropiane, myslimane a të krishterë), nuk ka nevojë të mësohet të bashkëjetojë. Ai është në bashkëjetesë të natyrshme me Ortodoksinë e krishterë, edhe atë Autoqefale, edhe atë që nuk e ka ënda Autoqefalinë ; është në bashkëjetesë të përhershme me katolicizmin; është në bashkëjetesë të përhershme me tarikatet sufi, ndër kryesoret atë Bektashian. Dhe, në kohën kur në trevat shqiptare kanë jetuar hebrenjtë, ka bashkëjetuar me hebraizmin. Shikuar nga kjo perspektivë, nuk shoh se çka do të bënte Islami i ri. Për më tepër, e kuptoj pse është ofenduese për shqiptarët e besimit mysliman kur kërkohet, en bloc, që feja e tyre "të reformohet, zbutet, të mësojë të bashkëjetojë". Në fakt, konsideroj se kërkesa e shqiptarëve elitarë (politikanë, shkrimtarë, biznesmenë) që Islami të jetë i këtillë apo i atillë tejkalon kufijtë e sekularizmit. Islami shqiptar, përderisa e respekton shtetin sekular, identitetin kombëtar mbi atë religjioz dhe pluralizmin e besimeve, nuk ka obligime për të marrë prej kujtdo, posaçërisht prej atyre që nuk janë besimtarë. Pastaj, ndërhyrja e të tjerëve në përcaktimin se çfarë duhet të jetë Islami tradicional shqiptar mund të jetë poashtu rrugë dykahëshe, pra t'i japë të drejtë Islamit shqiptar se çfarë duhet të jetë jeta e të tjerëve, jashtë Islamit- e këtu kalohet kufiri i sekularizmit. Islami shqiptar le ta gjejë vet, në debat të edukuar, interpretimin e Islamit në shekullin XXI, nëse ka dëshirë të ketë besimtarë të shekullit XXI. E ata që nuk janë besimtarë por kërkojnë t'i ndihmojnë Islamit shqiptar (pra bashkëjetesës, sekularizmit, përparësisë së identitetit kombëtar mbi atë religjioz) këtë mund ta bëjnë me një pyetje konceptuale të thjeshtë: si të mbrohet Islami tradicional shqiptar(evropian) prej valës së madhe të dhunës ideologjike (dhe fizike) që vjen në formën e Islamizmit, apo keqpërdorimit të Islamit për shkaqe politike?
*(titulli origjinal: Lehtësia e fajësimit nentitulli: Islami tradicional shqiptar mund të ndihmohet duke mos i thënë se çka duhet të bëjë Shkrimi eshte në 5 pjese. Nesër pjesa e dytë: Terroristët para Islamit)