Shqiptarët pengohen mes vete, serbët fitojnë terren

 

Nga Ben Andoni/

Ndërsa politika kosovare është futur në një qerthull të rrezikshëm dhe me sa duket pa kthim normaliteti në parlamentin e vet, serbët me të cilët po negociojnë në një proces pa fund dhe që do të vazhdojnë ende edhe për disa vite, po i sodisin të qetë, duke u marrë lehtësisht terren. Serbia, megjithë problemet e mëdha të brendshme ekonomike por edhe korrupsionin e pamasë, bëri të hënën një kthesë të madhe në procesin e negocimeve me BE-në, pasi hapi kapitujt e parë në një proces për të cilin, iu desh të presë plot dy vjet në portën evropiane.

Qerthulli i tanishëm në Kosovë nisi me bisedimet kosovaro-serbe në Bruksel, që u përcollën me shumë bujë në vendet respektive më 25 gusht të vitit tonë, ku palët megjithë fërkimet, bënë marrëveshje për telekomunikacion, energjetikë, lëvizjen e lirë në urën e bllokuar në Mitrovicë, …dhe për krijimin e Zajednicës (Bashkësisë) së komunave serbe të Kosovës. Pala kosovare edhe pse e dinte që kjo e fundit e tejkalonte tagrin e saj dhe përgjegjësinë pranoi që serbët veç marrëveshjeve të formonin edhe bashkësinë e komunave serbe në Kosovë, e cila veç katër komunave matanë Ibrit (Mitrovica Veriore, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi), mblodhi edhe 6 komunat e tjera serbe në brendi të Kosovës (Graçanica, Novo Bërdoja, Parteshi, Kllokoti, Ranillugu dhe Shtërpca). Por edhe pse ishte paralajmëruar prej muajsh e vitesh, për rrezikun e një veprimi të tillë, zyrtarët kosovare hodhën një hap që mendonin se do t’u sillte shumë lehtësira në aspektin ndërkombëtar. Dhe, i vetmi përfitim, ishte se nënshkroi pas shumë mundimesh MSA-në, kurse procesi i dialogut për liberalizimin e vizave është kthyer tashmë në një proces tejet të lodhshëm, më së pari për ata që e negociojnë.

Po ç’ka ndodhur ndërkohë? Serbët jo vetëm se kanë liruar Urën, siç u tha, një akt që do të bëhej që para disa javësh, por janë shtrirë bindshëm në Kosovë. Ditët e fundit u lajmërua se autoriteti kombëtar serb kishte tagër dhe mbi linjat hekurudhore, që kalojnë në hapësirën e komunave serbe; kurse pas pretendimit mbi liqenin e Gazivodës në veri, ajo po e trajton edhe “Parkun nacional të Malit të Sharrit” (“Nacionalnog parka Šar planina”- 23 mijë hektarë) si pronë të saj. Serbia, ndërkohë që politikanët kosovarë nuk po lenë gjë pa i bërë njëri-tjetrit mban e parrezikuar vendin e parë të eksportit në Kosovë. Importet serbe shkojnë aty diku rreth 200 milionë euro mallra, sipas Odës Ekonomike të Kosovës, kurse eksportet kosovare në këtë shtet janë të papërfillshme diku vetëm dhjetëra milionë. Ekspertët i çojnë importet serbe në Kosovë se shpejt do të arrijnë shumën e rreth 2 miliardë eurove!! Kjo shumë është shqetësuese kur mendon se Shqipëria është fare afër dhe prodhimet e saj nuk e gjejnë ende veten në tregun e saj së pari dhe pastaj në atë të Kosovës, për të cilën flasin vazhdimisht dy ministrat respektivë të Bujqësisë. Por ç’ti bësh ka regjistra të ndryshëm dhe tashmë jemi mësuar me retorikat e politikanëve?! Dhe, nuk mbaron këtu, në hapësirën kosovare, serbët vazhdojnë të kenë lidhjet e transportit, kursimet e tyre bankare, domenet e internetit, kurse në veri është vështirë edhe të shkosh me targa të Kosovës. Problemet u shtohen edhe atyre që lidhen me distributorin e energjisë, telekomit, policisë (policët me origjinë serbe), që ditët e fundit kishte probleme me simbolet e Kosovës dhe shumë të tjera.

Ka dhe më: Duket se edhe diplomatëve evropianë u dukej e natyrshme marrja nën kontroll e hapësirës ajrore kosovare nga Beogradi, që me sa dukej përbën kusht që mund të pranohet lehtësisht nga BE-ja dhe NATO-ja. Të kujtosh se mjaftoi një fërkim, siç ndodhi para ngjarjeve të UNESCO-s, kur politika serbe, jo vetëm s’iu përmbajt premtimeve, por arriti ta krahasonte Kosovën me ISIS-in.

Politikanët kosovarë nuk kanë kohë të merren me këtë, se janë duke u marrë me njëri-tjetrin. Koha po e zbulon fare hapur Qeverinë e Kosovës, që kur hyri në dialogun me Serbinë mëtoi se është “vetëm teknik”, pasi me Serbinë “nuk do të bisedohet në asnjë mënyrë për çështjet e brendshme të Kosovës”, por që tregoi realisht një papërgatitje, ashtu si nga ana tjetër shikohet nguti i Opozitës për ta hedhur me çdo kusht këtë qeveri..

Kjo e bën alarmin e dhënë nga shumë autoritete të merret vërtetë seriozisht për të ardhmen e Kosovës. Anipse ky alarm është jo vetëm për Qeverinë e Mustafës por edhe vetë Opozitën, që e ka futur në një qerthull pa dalje vendin, ku duket se sundimi i ligjit dhe demokratizimi institucional dhe shoqëror janë në kalenda në Kosovë. Ndaj serbët po ecin shtruar dhe po marrin shumë e më shumë terren në Kosovë prej mungesës totale të vetëdijes së shtetit mes shqiptarësh, që janë gati të prishin gjithçka vetëm t’u dalë e tyrja. Në këtë rast etja për pushtet. Edhe kur kjo është në dëm të së ardhmes. Në dëm të vetë Kosovës. (Javanews.al)

SHKARKO APP