Shqiptarin mund ta dallosh nga trotuari
-ose shënime për postpushimet
Nga Alfred Lela
Dua të shkruaj për pushimet e mia. Kjo ndoshta sepse kam kuptuar se nuk jam duke shkruar për to, por për postpushimet. Në verë shkrova për pushimet e mia modeste në lagunën e Lezhës, tani më vjen të shkruaj për pushimet e mia gjithashtu modeste në Boston.
Më intereson kthimi në Tiranë në fakt apo depresioni postpushime. Kam përshtypjen se, edhe pse po shkruaj në vetë të parë, shumë nga ata që udhëtojnë përballen me këto ndjesi apo huti kur kthehen në qytet dhe atdhe.
Kryesorja ka të bëjë me atë që mund të quhet dallim mes normales dhe jonormales. Në Tiranë, sidoqoftë jeta, ne mësohemi me të dhe këtë përvojë të ditëve e konsiderojmë normale. Një udhëtim jashtë, e kam fjalën për Perëndimin (Amerikë, Europë, Kanada apo Australi), dhe sidomos kur ai zgjat dy javë apo më shumë, të ndjeson apo të ‘civilizon’ me një shije dhe ngjyrë tjetër të normales.
Udhëtimet, sa më takon mua, nuk janë ato ekskursionet e qejfit, ku i shkreti njeri, ha, pi, rri, gjezdis, e të tjera veprime kryesisht dionisiake. Ato kryejnë aktin, nganjëherë të dhimbshëm, të të kuptuarit të një raporti apo të të ndërtuarit të një të tilli: mund të jetë i yti (shqiptarit në këtë rast) me grekun, frëngun, amerikanin, turkun etj. Por edhe të qytetit tënd (Tiranës në këtë rast) me Romën, Bostonin, Stambollin, Adis Abeb e të tjerë. Si edhe me mënyrat e të jetuarit, të përshëndeturit, gastronominë, e me radhë sa e sa gjëra të tjera.
Meqë jemi te dallimet, më është ngulitur ideja se trotuari mund t’i shquajë, ndoshta më mirë se çdo gjë tjetër, qytetërimet, qytetet, vendet; domethënë mendësitë e njerëzve që jetojnë dikund. Trotuari është gjithçka e nxjerrë në shesh, në mexhlis apo polis (agorë), cilidoqoftë animi yt dhe i fjalorit tënd. E dini se mund të krijohet një doracak qytetës me ‘magjepsjet’ që të falin trotuaret këtu, e sidomos në Tiranë ku janë edhe më mizë-në-lis të qytetit.
Po të vazhdojmë të ecim rrugës së vrazhdë të dallimeve, në Boston për shembull, nuk të duhet të bësh çmos t’u shmangesh pështymave që në Tiranë, burra e gra (por më shumë sigurisht të parët) i përplasin me fishkëllima, sa në pllaka e sa në mure. Gëlbazë metalurgjike dimërore, jo e jo. As gojën e ndokujt që të vjen përballë, dhe pa u tkurrur aspak nga ata me të cilët e ndan qytetin, rrotullon nëpër gjuhë diçka që duket si strehë vorfnore e pahijeshisë, dhe si e tillë nuk duhet hedhur te këmbët e të tjerëve.
Shenja të pagabueshme të qytetit, ato i ndesh çdo 50 metra dhe mund t’i quashkucsedrat e trotuarave (ku janë drerët e trotuareve, për të huazuar titullin e romanit të Diana Çulit). Me kuçedra kupto 4 a 5 burra, tek-tuk ndonjë grua, që kanë krijuar një rreth pasi janë puthur faqe më faqe dhe po flasin për çfarëdo qoftë u ka shkrepur: futboll, raki, një emision të mbrëmshëm televiziv, një p… që banon me qira në lagje, e që nuk ia jep njërit sosh, e me radhë deri në pëlcitje tëmthi.
Për të mos thënë se në trotuar mund të dallosh edhe shoferët e tmerrshëm: ata që hidhen sa nga një krah në tjetrin, ndalojnë, kthehen apo, më e forta, kur ecin në treshe a katërshe ballore, sikur janë nisur për të takuar horizontin.
Thënë shkurt, se ka edhe më shumë për të thënë, trotuari në këtë vendin tonë piktoresk nuk është rruga e këmbësorëve për të shkuar diku, por një shëtitje oriental-socialiste (pale sa nostalgjikë do përpushen tani në thëngjijtë e mallit për xhirot e famshme: epo, ka ikur ajo kohë, dhe fakti që besojmë ende se xhiroja është një gjë e mirë që duhet praktikuar edhe 30 vjet më vonë tregon se pse kemi ecur pak nga ajo kohë!). Bëni diçka me trotuarin tuaj ju lutem, shkoni diku!
Nuk jam as apatrid, as mikroborgjez në kërkim delikat të trarëve në sytë (e pikëlluar) të qytetit. Normalja, në anën tjetër, më pëlqen që ç’ke me të. Vetëm prej saj mund të burojë interesantja më pas. Asesi prej anormales.
I shkrova këto në Ditën 1 të Postpushimeve, e cila shpejt e shpejt, siç e ka jeta, do të futet në ditën 2,3 10, 100 e X.
I shkrova këto edhe pse nuk desha të shkruaj për politikë e politikanë. E bëj këtë shpesh. Ndoshta kjo është mënyra me të cilën unë vetë pështyj në trotuar.
Sidoqoftë, Gëzuar 2016 dhe pafshi Drerë e jo Kuçedra në trotuare! MAPO