Shtabi i NATO-s në Shqipëri, krijohet kuadri i duhur ligjor

Dhe kjo, si një formë detyrimi i vendit tonë në kuadrin e anëtarësimit në këtë organizatë ushtarake, e cila vlerësohet të jetë më e madhja dhe më e rëndësishma e këtij lloji në rang global. Një fakt të tillë e konfirmon projekti më i fundit që i është dorëzuar Kuvendit të Shqipërisë nga ana e qeverisë, i cili sqaron pikërisht klauzolat e marrëveshjes “Ndërmjet Shqipërisë dhe shtabit suprem të fuqive aleate në evropë (SHAPE) e shtabit të komandës supreme aleate për transformimin, në plotësim të protokollit të parisit”. I cili sqaron në relacionin e tij sesi “Shqipërisë i lind detyrimi të marrë përsipër përgjegjësinë e vetme për realizimin e rregullimeve të përshtatshme për t’ia bërë të vlefshme një force apo një përbërësi civil ndërtesat dhe tokën që ajo kërkon, si dhe mjediset dhe shërbimet që kanë lidhje me to”. Kështu, bazuar në këtë marrëveshje, shtabi aleat i NATO-s në vendin tonë gëzon statusin juridik të organizatave ndërkombëtare brenda saj. Duke konfirmuar se Shqipëria nga ana e saj merr të gjitha masat, përfshirë këtu edhe miratimin e zbatimin e legjislacionit të nevojshëm për krijimin e lehtësirave të nevojshme për aktivitetin normal të shtabit aleat. Dhe pikërisht, miratimi i kësaj marrëveshjeje do të përbëjë bazën ligjore të nevojshme për funksionimin e shtabit dhe të të gjitha përfitimeve në favor të shtetit shqiptar. Konkretisht, ajo thuhet se rregullon mënyrën e operimit të shtabeve aleate dhe personelit të tyre, si dhe ruajtjen e integritetit e të pavarësisë së tyre dhe të anëtarëve të shtabit në territorin e Republikës së Shqipërisë. “Shtabi aleat gëzon statusin juridik të organizatave ndërkombëtare në vend. Në këtë kuptim, territori në të cilin do të ngrihet shtabi aleat do të jetë i paprekshëm”, citon mes të tjerash relacioni i saj. Për të shtuar më tej, vendi ynë do të marrë masat e nevojshme për të siguruar truallin, ndërtesat dhe instalimet fikse që kërkohen për përdorim nga shtabi aleat. Si edhe faktin që të gjitha këto asete do të ofrohen falas, pa taksë ose licencë, ndërsa hollësitë e mëtejshme do të përcaktohen në një marrëveshje të veçantë.

Nga ana tjetër, marrëveshja përcakton se arkivat dhe dokumentet e tjera zyrtare të shtabit aleat, të mbajtura në mjediset e përdorura nga ato shtabe ose në zotërim të cilitdo personi të autorizuar në mënyrën e duhur nga shtabet, do të jenë të paprekshme përveçse kur shtabi ka hequr dorë nga ky imunitet. Sikundër, ajo rregullon gjithashtu çështjen e imuniteteve dhe privilegjeve për personelin e nivelit të lartë të shtabit, si: imuniteti dhe ndalimi, arrestimi, veprimet juridike të çdo lloji, të ndërmarra nga autoritetet shqiptare, paprekshmëria e dokumenteve personale, lehtësira dhe respektim të llogarive bankare apo bagazheve personale të njëjta me atë të personelit diplomatik, si dhe imunitet për fjalët e thëna dhe vlerat e kryera në përmbushje të misionit zyrtar.

 

 

 

 

 

PERSONELI

Marrëveshja rregullon statusin e anëtarëve të personelit të shtabit si dhe personelit të caktuar nga organizata të tjera. Shtabi ka në përbërje personel ndërkombëtar e personel të përzgjedhur nga shteti shqiptar si dhe mund të punësojë personel shqiptar. Në të përcaktohen mënyra e hyrjes, largimit, punës dhe qëndrimit të personave në shtabin aleat.

 

FINANCAT

Kontrollin financiar të një shtabi e bën vetëm Bordi Ndërkombëtar i Auditit të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Ndërsa gjithashtu, marrëveshja përcakton të drejtën e shtabit për t’u përjashtuar nga të gjitha tatimet, detyrimet, tarifat dhe pagesat e parashikuara në legjislacionin e brendshëm.

 

LEHTËSIRAT

Marrëveshja garanton lehtësitë fiskale për karburantin, duke u përjashtuar nga tatimet, detyrimet, tarifat dhe pagesat për

karburantet dhe lubrifikuesit për përdorimin e automjeteve të transportit rrugor, ajror dhe detar në pronësi ose që përdoren në mbështetje të aktiviteteve zyrtare të shtabit aleat.

 

SIGURIA

Siguria brenda shtabit aleat do të garantohet nga vetë forcat e tij. Ndërsa Shqipëria është përgjegjëse për mbrojtjen e shtabit nga çdo kërcënim, sulm apo rrezik i papritur që vjen nga jashtë perimetrit të tij si dhe për mbrojtjen e personave me status VIP që e vizitojnë atë, shkëmbimin dhe sigurimin e informacionit etj.

 

SHKARKO APP