(Sh)tet pa shtat(ë)

Fejton/Nga Thoma Goga

Mbase e kënduat atë rrëfenjën time “Sa bëjnë 1+1?”. Që kur e shkrova dhe e botova, se si më trazohen germat dhe numrat. E kjo “sindromë” nuk m’u shqit edhe në këtë shkrim. Që në titull duken të trazuara. Herë-herë më ngjan si thika me dy presa; nga një anë gjuha, nga tjetra aritmetika. Po këtë herë e ndava mendjen; shkurt e shpejt “do heq qafe” ushtrimin aritmetik që edhe pa mua, ju e keni zgjidhur vetë. “Tetë pa shtatë” mbetet “një”. Kështu i hap rrugë kuptimit tjetër; atij gjuhësor e logjik; “Shtet pa shtat”?! Shikoj orën në mur; ishte 8 pa 7. Kalendari lexon 7 prill…Hej bela, thashë, se si më përzihen këto shifra!…Duke ikur e duke shpikur, mbase do ja gjejmë fundin dhe këtij kuptimi.

“Shtet pa shtat…”. Në fakt kemi 104 vjet shtet dhe shtati i shtetit tonë sa vjen e “hyn në ujë”. Historia tregon se kur Plaku i Urtë, Ismail Qemali ngriti flamurin, shteti ynë, edhe pse i ri, tregoi se kishte hije të rëndë. U tregoi fuqive të mëdha se Pavarësia ishte një “gur i çmuar”. Dhe që atë vit filloi të hidhte shtat. Po rritej në sytë e fuqive të mëdha që e kishin halë në sy… Po më pas ç’ndodhi? Sikur nuk e dini ju…

 …Erdhën luftërat që populli ynë i fitonte dhe shteti lartësonte shtatin. Nuk e keni harruar besoj; më 1920 “breshkaxhinjtë” i hodhëm në det. Më 1939 po kështu; ia bëmë Italisë na, nga shtatë… Vetëm se Jaho Labi është bërë “pishman” dhe ofshan. Meqë jemi në fillim të verës, e mbani mend xha Jahon, mo? E dini si më tha kur e poqa në udhë?

– Më duket se e kruajtëm kot torrovilen me “breshkaxhinjtë”. Mbase do na kishin bërë si Italia; xhenet more, xhenet… Ja, mbeta me sëpatë në dorë, duke çarë dru.

Kurse më 1944 ia treguam vendin dushmanit edhe pse kishte gjithë ato “xhepane”…U krenuam se ishim në bllok me fitimtarët dhe shtati i shtetit u rrit…Po më pas? Na thanë se pas luftës do hanim me “lugë floriri”…O po hanim dhe me lugë druri, vetëm të kishte bollëk. Po më pas ç’ndodhi? Sikur nuk e dini ju…

Një shtet, një qeveri që nuk e linte njeri të binte. U bënë ligje që “t’i qaje me ligje”. Po me ato ligje shteti ynë t’i fuste këmbët në një këpucë. U ngrit shtati i shtetit, u krijua hije e rëndë. Naa, nga shtatë na vinte …Të themi atë që është se na vret perëndia. U ngritën shkolla, fabrika, uzina, hidrocentrale… Nxirrnim naftë e minerale. Po ku shkoi kjo pasuri e madhe? Këtu sikur u ngatërruam ca. Kush korrte fitoret, kush mblidhte “të korrat”…Ushtarët e xha Jahos u bënë “të mëdhenj”, kurse Jaho Labi mbeti me sëpatë në krahë. E takova përsëri këto ditë tek bar “Llamarina”, ku kafeja është elb safi 10 lekë. I porosita dhe një raki.

– Ç’e deshe, – më tha, – s’është vakti. Ç’t’i bëj breshërit unë, pa…Me “breshkaxhinjtë” e kruajta kot torrovilen…

Pasi kaluam atë kohë kur të gjithë ishim në punë, gjithë populli ushtar dhe armikut i vinte nga shtatë, kur shkollat dhe shëndetësia ishin falas, erdhi demokracia. Po më pas ç’ndodhi? Sikur nuk e dini ju… Pastaj plasi tenderi, koncesioni, privatizimi i çdo gjëje që ngriti populli. Me ca letra “me vrimë” mund të merrje fabrika, uzina, hidrocentrale… E pyeta xha Jahon, mbase kishte përfituar si patriot i madh ndonjë “letër me vrimë”. Shfreu thellë:

– Eh, mor bir, më ka rënë në pjesë vetëm vrima…

Po më pas? Lëre mos e nga; ajo dihet. Erdhën firmat piramidale që “llufitën” paratë e popullit. Po se ku shkuan…Aha, janë të thella këto punë. Pa erdhi viti ters 1997 e plasi lufta “shqiptaro-shqiptare”. Në vend që të rritej, shtati i shtetit më shumë po “hynte në ujë”. Bota u pataks. Shteti u (sh)koq…

Vitet e fundit ç’nuk na dëgjojnë veshët. Nuk e kishim dëgjuar, as nuk e dinim nga binte Gërdeci. “Gjylja” e madhe plasi, po kujt i plasi…Nuk na e merrte mendja që me armët e blera nga populli, t’i biesh sovranit në mes të bulevardit…Vidhen paratë e popullit në bankë dhe ai qerratai i zëvendëson me libra. Punë e zgjuar. Merrte lekë e linte “mendje”. Shkurt; i zëvendësonte me “kulturë”. Fundja, me kile ishin… Linte letra “pa vrimë” e merrte nga ato llapushkat fringo. Koncesionet që rrëmbyen uzina, fabrika, hidrocentrale, na u paraqitën si zgjidhje ideale. Se popullit do i rritej mirëqenia, do rriteshin pensionet e do rronte si pasha. Pa plasën dhe ca gjëra të tjera që as i kishim ëndërruar e jo t’i kishim parë e dëgjuar. Ja fjala vjen, “parajsa fiskale”. E dinit ju se atje “fle lepuri i madh”? Edhe kjo “gjyle” si të tjerat, tym do nxjerrë. Pastaj shuhet pa zarar…

Si me magji më doli para xha Jaho. U ulëm te kafe elbi e morëm nga një raki, se elbi ishte mbaruar. E pyeta xha Jahon, në se e dinte nga binte Panamaja.

– Jo, o më rrugaç, unë deri në Panaja kam qenë. Çaj kopaçet e krushkës me një sëpatë e një pykë. I kam pa leje, të thom. Po s’kisha ku e mbaja atë të shkretë “kasë fekale”…Ç’t’i bëj breshërit unë, pa…

Duke ngarë fjala fjalën me xha Jahon, po vrisja mendjen. Kur rritet fëmija, themi “po hedh shtat”. Kur është i shkurtër, i biem shkurt; “xhuxh”. Edhe kur është i gjatë, prapë i biem shkurt; “zdap”. Po shtetit shtatshkurtër që pasurinë ia hanë “urithët”, si t’i themi? Duke kërkuar një sinonim më “të ëmbël”, sikletin ma hoqi Jaho Labi. Me atë filozofinë e tij popullore, ma preu shkurt sa hap e mbyll sytë.

– I thonë “kosh pa bythë”…Ç’t’i bëj breshrit unë, pa…Hajde gëzuar e më rrugaç!

SHKARKO APP