Shtohet siguria në Hagë, policia largon shqiptarët nga Gjykata Speciale
Policia holandeze ka forcuar masat e sigurisë pranë ndërtesës së Gjykatës Speciale në Hagë, në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë raportimit nga vendi i ngjarjes, ekipi i KosovaPress ka vërejtur prani të shtuar të forcave policore përpara objektit të gjykatës. Efektivët u kanë kërkuar qytetarëve shqiptarë të mos qëndrojnë gjatë në afërsi të ndërtesës.
Sipas njërit prej zyrtarëve policorë, urdhri i marrë nga komandanti ishte që askush të mos qëndronte më shumë se dy minuta përpara gjykatës. Qytetarëve u është bërë e ditur se nëse dëshirojnë të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar, mund të drejtohen në Malieveld, ku pritet të zhvillohet një demonstratë.
Seanca për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë është caktuar të nisë nesër në orën 10:00. Në këtë seancë, trupi gjykues pritet të shpallë vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pas një procesi të gjatë gjyqësor në Hagë.
Vendimi pritet të përcillet me vëmendje të madhe nga Kosova dhe diaspora shqiptare, ndërsa masat e shtuara të sigurisë në kryeqytetin holandez janë pjesë e përgatitjeve për këtë ditë të rëndësishme të procesit gjyqësor.
KOHA JONË SONDAZH
A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?
Results
Vota totale: 4309

