Shtrenjtimi i faturave “detyron” shqiptarët të shpenzojnë më pak për ushqim
INSTAT ka publikuar të dhënat lidhur me shpenzimet mesatare mujore për konsum të NjEF për vitin 2016.
Bazuar në strukturën e shpenzimeve mesatare, raporti tregon se grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” ka edhe peshën kryesore, por krahasuar me vitin e kaluar ka shënuar një ulje me 3.5 për qind.
Kjo ka ardhur si rrjedhojë e shtrenjtimit të faturave dhe arsimit, duke “detyruar” familjet shqiptare të shpenzojnë edhe më pak për këtë grup.
Kështu, “Shpenzimet për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar” rezultojnë me 10.2 për qind të totalit të buxhetit familjar, duke shënuar rënie me 0.1 për qind në krahasim me vitin 2015, ndërsa ato për “Arsim” kanë shënuar një rritje me 2.3 për qind krahasuar me vitin 2015.
Nëngrupet të tjera të rëndësishme për të cilët familjet shqiptare kanë shpenzuar janë “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë”, 18.1 për qind, në rënie krahasuar me vitin e kaluar, që ishte 18.8 për qind. Ndjekur nga “bukë dhe drithëra”, “mish dhe nënprodukte” 17.5 për qind, ndjekur nga “perimet”, 13.9 për qind dhe “frutat” 8 për qind.
Shpenzimet për grupin “Veshje dhe këpucë” zënë 4.6 për qind, duke shënuar një rënien me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton portal SCAN.
Rënie kanë shënuar edhe shpenzimet për “Mobilimin, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtja e tyre” dhe grupi i “Shëndetit”. Për këtë të fundit shpenzimet më të mëdha kanë shkuar për blerjen e medikamenteve dhe për kujdesin shëndetësor.
Ndryshe nga vitit 2015, shpenzimet për grupin “Transport “rezultojnë të jenë me 6.3 për qind, duke shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar, që ishte 6.8 për qind.
Ndërsa, shpenzimet për qejfe zënë pothuajse 10 për qind, shumë herë më shumë se sa shpenzimet e bëra në vitin 2015.