Shtyhet gjyqi ndaj Xhuvanit, i pandehuri kërkon gjykim të shkurtuar

Gjykata për Krimet e Rënda shtyu vendimin, mbi pranimin e kërkesës së Kostandin Xhuvanit, i akuzuar për vrasjen e katërfishtë gjatë nëntorit të kaluar, për gjykim të shkurtuar. Seanca e planifikuar për t’u zhvilluar gjatë ditës së djeshme në ngarkim të tij zgjati vetëm pak minuta. Shtyrja e seancës erdhi pasi prokurori i ngarkuar mbi këtë çështje e kundërshtoi kërkesën e të pandehurit, Kostandin Xhuvani. Organi i akuzës paraqiti disa akte të reja për llogari të hetimit, si një tabelë fotografike nga vendngjarja dhe akte të ndryshme ekspertimi, të nevojshme për gjykimin e çështjes. Prokuroria më herët, pasi mbylli hetimet, u shpreh e bindur se Xhuvani është autori i vetëm i vrasjes së ndodhur në një lokal nate mëngjesin e 4 nëntorit në afërsi të Rrugës së Elbasanit. Ai pas një konflikti me dy persona, i ekzekutoi ata, si dhe vrau aksidentalisht shokun e tij, dhe një italian, që ndodhej rastësisht në vendngjarje. Sipas hetimeve, ka qenë Xhuvani ai i cili ka qëlluar për vdekje në drejtim të shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaj. Po ashtu, është vërtetuar se nga plumbat e armës së përdorur nga Xhuvani, kanë mbetur të vdekur edhe shtetasit Arbër Demiraj dhe Gianpaolo Azzola. Sakaq, në seancën e djeshme, i pandehuri Kostandin Xhuvani nuk ka pranuar të njihet me provat e reja. Ai deklaroi se është dakord për administrimin e tyre në fashikujt e dosjes gjyqësore. Në sallën e gjyqit, 26 vjeçari Kostandin Xhuvani tha se ishte dakord që këto prova të administrohen në dosje. Pas marrjes së provave, gjykata u tërhoq për t’u shprehur me një vendim tjetër në të ardhmen, nëse duhet pranuar apo kërkesa e Xhuvanit për shqyrtimin e dosjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Nëse kjo kërkesë pranohet, Xhuvani automatikisht i shpëton dënimit maksimal, me burgim të përjetshëm, duke rrezikuar një dënim më të ulët, prej 20 ose 25 vite burg, në bazë të akuzave që i janë ngritur. Gjykata administron provat e vrasjes së 4 personave nga Konstandin Xhuvani në lidhje me vrasjen e 4 personave në rrugën e “Elbasanit”.

SHKARKO APP