Shtyhet sërish gjyqi ndaj Erion Veliajt, gjobiten avokatët me nga 1 milion lekë. SPAK kërkon vijimin pa mbrojtës

Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj është shtyrë për më 27 tetor, pasi në gjyq nuk u paraqitën as avokatët mbrojtës dhe as të pandehurit. Për mungesën e tyre, gjykata vendosi gjobitjen e avokatëve me nga 100 mijë lekë të reja secilit, ndërsa caktoi avokatë nga lista e ndihmës juridike falas për të garantuar vijimin e procesit.

Gjatë seancës, SPAK, përmes kreut të tij, Altin Dumani, kërkoi që shqyrtimi gjyqësor të vijojë edhe pa avokatët e zgjedhur nga të pandehurit, në kushtet kur mbrojtësit po bojkotojnë procesin në GJKKO. Dumani argumentoi se gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që sjellja e të pandehurve dhe avokatëve të konsiderohet si heqje dorë nga e drejta e mbrojtjes, duke përmendur edhe një precedent të Gjykatës së Apelit, ku një çështje është shqyrtuar pa praninë e avokatit.

“Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat”, deklaroi Dumani. Bojkoti i avokatëve lidhet me kundërshtimin e rregullores së GJKKO-së, e cila ndalon përdorimin e telefonave celularë në sallën e gjyqit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë seancës, teksa gjykata po vendoste gjobat ndaj avokatëve për mungesën e tyre, telefonit të prokurorit të çështjes, Ols Dado, i ra zilja. Prokurori e nxori telefonin nga xhepi dhe e mbylli menjëherë. Seanca e radhës për çështjen ndaj Erion Veliajt është caktuar më 27 tetor.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?