Shuhet në moshën 54-vjeçare Artan Pogoni

Sporti shqiptar është tronditur nga një humbje e rëndë. Artan Pogoni, ish-kampion volejbolli, trajner dhe pedagog i njohur, është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur në Vlorë, pas një ataku kardiak. Pogoni la pas një rrugëtim të gjatë e të pasur, të ndërtuar mes sportit të nivelit të lartë, edukimit universitar dhe angazhimeve drejtuese në institucione të ndryshme. Ai ishte një nga figurat më të spikatura të fushës së edukimit fizik dhe administrimit sportiv në Shqipëri.

Prof. Asoc. Dr. Artan Pogoni mbante detyrën e Shefit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit në Universitetin “Barleti”, si dhe ishte pjesë e Senatit Akademik të këtij institucioni. Me një formim të gjerë akademik, me titullin Doktor i Shkencave dhe katër diploma universitare, ai ia kushtoi karrierën zhvillimit të sportit përmes kërkimit shkencor, metodologjisë së stërvitjes dhe edukimit fizik. Ishte autor i disa publikimeve shkencore dhe teksteve universitare, ndërsa kontribuoi edhe në projekte ndërkombëtare akademike përmes programeve Tempus dhe Erasmus+.

Përveç kontributit në auditorë, Pogoni ishte aktiv edhe në sportin elitar. Ai ka drejtuar strukturat sportive në Bashkinë e Tiranës dhe vitet e fundit ishte një prej figurave kryesore të Barleti Volej, ku dha kontribut edhe si trajner i ekipit të femrave. Ai ishte gjithashtu një zë i angazhuar në diskutimet për zhvillimin e sportit shqiptar, duke ngritur shpesh çështje që lidhen me organizimin, menaxhimin dhe të ardhmen e sportit në vend.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh te kolegët, studentët dhe sportistët që e njohën ndër vite. Artan Pogoni do të mbahet mend si një profesionist që ndërthuri dijen akademike me pasionin për sportin dhe si një nga kontribuesit e rëndësishëm në përgatitjen e brezave të rinj.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?