Shuhet në moshën 66-vjeçare Rezana Çeliku, një nga figurat e njohura të artit dhe televizionit shqiptar
Është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare Rezana Çeliku, emër i njohur për publikun shqiptar përmes kinematografisë, televizionit dhe spektaklit, veçanërisht gjatë viteve ’70 dhe ’80. Hyrja e saj në botën e artit erdhi krejt rastësisht. Edhe pse nuk kishte studiuar për aktrim, natyrshmëria, pamja dhe komunikimi i saj tërhoqën vëmendjen e regjisorëve. Përpara se të shfaqej në ekranin e madh, Çeliku u bë e njohur edhe si prezantuese e disa festivaleve rinore në Televizionin Shqiptar.
Ajo interpretoi në disa filma të njohur të kohës, duke spikatur me role si partizane në “Ata ishin katër”, me regji të Kujtim Çashkut, dhe si mësuese në “Shokë të një skuadre”. Një nga rolet më të komentuar të saj ishte ai në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, në vitin 1989, ku luajti personazhin e një centralisteje të përfshirë në një marrëdhënie me një djalë më të ri. Një personazh jo i zakonshëm për kohën, që tërhoqi vëmendjen dhe diskutimet e publikut. Ky ishte edhe roli i saj i fundit në kinematografi.
Pas largimit nga aktrimi dhe nga puna si mësuese në zonat rurale të Tiranës, Rezana Çeliku iu rikthye studimeve. Ajo u diplomua në Ekonomi dhe Juridik dhe më pas vijoi karrierën në administratën publike. Për vite me radhë, ajo punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës. Me ndarjen e saj nga jeta, arti shqiptar humbet një tjetër figurë që la gjurmë në ekran dhe në kujtesën e publikut të asaj kohe.
KOHA JONË SONDAZH

