Shumë suksese z. Iohannis!
“Të gjithë do të çuditen, unë do të fitoj”!, – kjo është shprehja me të cilën e ka çelur fushatën e tij presidenciale z. Klaus Iohannis, presidenti i ri, i sapozgjedhur i Rumanisë. Prej datës 16 nëntor të këtij viti z. Iohannis do të mbajë mandatin 5-vjeçar të presidencës rumune. Ai pason në këtë pozicion të lartë shtetëror ish-presidentin Traian Bësescu, i cili gjendej në drejtim të shtetit rumun që prej vitit 2004, duke kaluar jo pak situata të komplikuara gjatë karrierës së tij presidenciale. Iohannis, ish-kryetari i Bashkisë së Sibiut në këto 12 vitet e fundit, kandidoi në këto zgjedhje si përfaqësues i aleancës së krishterë liberale, kandidaturë e partisë që drejton, Partia Kombëtare Liberale. Kjo ishte hera e dytë që qytetarët rumunë ju drejtuan procesit të votimit. Herën e parë ata votuan në datën 2 nëntor por për shkak se asnjë prej kandidatëve nuk siguroi kuorumin e mjaftueshëm, (50+1) u nevojit raundi i dytë i zgjedhjeve. Të gjitha sondazhet e kryera, si para zgjedhjeve, ashtu edhe në këto dy javët e fundit, nxirrnin fitues kandidatin tjetër, kryeministrin aktual të vendit, Viktor Ponta. Por zgjedhjet presidenciale rumune ishin një befasi e madhe për ata që i ndoqën. Me zhvillimet e raundit të parë, ishte Ponta që paraqitej si kandidati favorit, dhe diferenca mes të dyve ishte e ndjeshme. Ai shkonte drejt raundit të dytë me një epërsi votash, mbi 40% dhe me një siguri që ja krijonin parashikimet e sondazheve të ndryshme.
Por siç u pa në rezultatet e orës 3 të mëngjesit nga Zyra Qendrore Elektorale, epërsia po kalonte në krahun e kandidatit tjetër, deri sa në orën 5 të mëngjesit Ponta e telefonon Zohannis dhe i uron fitoren. Me shprehjen: “populli ka gjithmonë të drejtë”, Ponta pranon rezultatin që e nxirrte atë humbës. Por jo vetëm fitorja e Iohannis, por edhe vetë rezultati i zgjedhjeve ishin një surprizë e madhe. Nëse në raundin e parë Iohannis kishte arritur rreth 30 % të votave, në të dytin ai mori mbi 54 % të tyre në një pjesëmarrje masive njerëzish në votim. Një pjesëmarrje e tillë e qytetarëve në votim, me rreth 65 % e zgjedhësve, ishte e jashtëzakonshme dhe e panjohur ndonjëherë që pas viteve ‘90. Rreth 80 % nga 3 milionë votues rumunë në diasporë, votuan Iohannis për president të Rumanisë, por pothuajse po aq qytetarë të Sibiut, që ai i kishte drejtuar për 12 vjet, e donin kryebashkiuakun e tyre edhe në drejtim të shtetit. Pritja më orë të tëra e zgjedhësve rumunë, në radhë të gjata, anembanë botës, ishte një lajm më vete. Thuajse në të gjitha metropolet evropiane me mijëra njerëz kishin dalë që një natë më parë në qendrat e votimit, në shenjë rezistence ndaj zemërimit që ju kishte shkaktuar trajtimi aspak dinjitoz që shteti ju bëri gjatë votimit në raundin e parë. Kjo pritje për analistët ishte një shenjë zemërimi ndaj gjendjes aktuale që po kalon vendi, dhe një shenjë mbështetje për alternativën e qendrës së djathtë. Fitorja e Iohannis njohu jehonë të madhe ndërkombëtare falë pasqyrimit në mediat e huaja. Agjencia e lajmeve “France Press” e quan këtë “një fitore historike” , si “surprizë” dhe “sensacion”, ndërkohë që e përditshmja franceze “Le Figaro” citon se “edhe pse në raundin e parë favorit ishte Ponta, në të dytin fitorja i takoi Iohannisit”. Veçanërisht shtypi gjerman i ka dhënë mjaft vëmendje kësaj përzgjedhjeje presidenciale. “Die Welt” citon se “rumuni me origjinë gjermane, është shefi i ri i shtetit”. Kjo e përditshme vë theksin tek kjo pjesëmarrje e lartë në votim në këtë raund, më e madhja që njihet nga fillim i viteve 90. Edhe pse në raundin e parë me 40% të votave, Ponta dukej i pamposhtshëm.
Ndërkohë që “Deutche Welle” citon Pontën të ketë thënë: “populli ka gjithmonë të drejtë”. Për këto zgjedhje kanë shkruar edhe “Der spigel”, “Die zeit”. etj. Kancelarja gjermane znj. Merkel dhe presidenti i Gjermanisë z. Gauck e kanë përshëndetur këtë zgjedhje të qytetarëve rumunë duke shprehur edhe njëherë mbështetjen gjermane me “fakte dhe prova”. Për ata që nuk e njohën gjatë prezantimit në fushatën elektorale Iohannis është një ish profesor fizikës, i martuar, i besimit protestant, fitues i shumë medaljeve të nderit nga organizma të ndryshëm ndërkombëtarë për dedikimin e tij ndaj kauzave civile. Gjatë punës së tij në drejtimin e qytetit të Sibiu ai i dha qytetit statusin e “Kryeqytetit evropian të kulturës” dhe gëzon një simpati dhe admirim të gjithëpranuar. Ndërkohë pyetje të tilla se pse e votuan, si u realizua përmbysja e rezultatit, si u arrit ky sensibilizim masim i qytetarëve rumunë në raundin e dytë të votimit, janë objekt i analizave që kërkojnë një hulumutim serioz. Në pamje të parë kjo votë presidenciale shihet si një ndërgjegjësim i qytetarisë rumune për t’i dhënë vendit alternativën e një drejtuesi të suksesshëm, vizionar dhe properëndimor, ku platforma e shtetit të së drejtës qëndron në themel të projektit të tij presidencial. Se çfarë presin qytetarët rumunë nga presidenti i ri… kjo pyetje i takon ditëve në vazhdim, ne vetëm i urojmë “shumë suksese z. President Iohannis!”.