Si Pazar i Roskovecit…

 

Fejton

Nga Thoma Goga

Të lumtë goja, Luan djali. Jo për gjë, por me Pazarin e Roskovecit më nxore mallin. Kur nuk u ecin “pazaret”, i nxirrni të palarat në Pazar të Roskovecit. Shkoj shpesh në Roskovec, se atje kam lerë. Si i thonë llafit, vetëm atje më gjen shpirti rehat. Po ma trazove ti me atë deklaratë. Të kuptova drejt, se kështu janë shprehur dhe politikanë të tjerë. Me të dëgjuar e kam, po thonë se edhe Hrushovi, paska hequr këpucën një herë t’i binte një deputeti sovjetik, duke i thënë “Ulu tavarish, nash parlament, njet budjet Pazarski Roskovec”.

E di, se edhe ti nuk e kishe me kuptim të keq, ndaj nuk të zemërohem. E di gjithashtu se dikur Pazari i Roskovecit ka qenë i njohur për gjullurdinë e madhe. E mbaj mend, se dhe i vogël nuk jam. Aty shitej ujë me shtëma apo kotruve, rrogoza, biza, shtiza, karfica, patkonj… Aty, te pazari i gjësë së gjallë, këmbeheshin bagëti; tre viça me një lopë, dy kone me një qen, për gomarët nuk kishte ofertë këmbimi…Të parët e mi thonë, se aty shitej edhe flori me okë. Domosdo, në gjullurdi nuk binte në sy allish-verishi, mish-mashi, ose më shkoqur, kjo lloj tregtie, me këto termat “modern”, do të quhej –kondrabandë. Quhe si të duash, po pazarit tonë “Pazar” i mbeti. Kështu, i bie që të ketë qenë tregu i parë i këmbimit valutor. Pra, dy pikë më shumë në dorë.

Vazhdojmë me ca të tjera. Po Roskovecin nuk e ka bërë të njohur vetëm pazari. Me emrin “Roskovec” është një varietet duhani dhe specialistët e bujqësisë thonë se është më i miri. Kur kam qenë në ca vende të Europës (në rajon po se po), kam pyetur ca fermerë që e njohin këtë lloj duhani cilësor. Pra, tre në dorë. Dikur ish-ndërmarrja bujqësore e këtij qyteti ishte shkollë e përvojës për rritjen e derrit në gjithë vendin tonë. Po rezultatet e shkencëtarëve tanë i kaluan këto kufij. Sipas studimit të prof. Ilo Foto, edhe në Amerikë njihet “Derri euro-amerikan i Roskovecit”. Këtë të derrit mos e mbani në dorë, po çojeni mirë në mend.

Me këto që thashë, del se “nami” i Roskovecit paska shkuar më shpejt se kushdo në Europë e më tej. Po, thonë, se atje ku ka Pazar (në kuptimin e tregtisë), ka zhvillim. Atje ku ka zhvillim, ka qytetërim. Ka ca studime se këtej ka kaluar një degëzim i rrugës “Egnatia”, që vinte nga qytetërimi roman. Nga të gjitha këto që thashë, kam dyshimin se nami i pazarit tonë, mund të ketë kaluar edhe në planetet e tjerë. Mos u çudisni, se kot nuk u ul në Roskovec një disk fluturues me ufot më 4 maj 2006. Edhe kjo s’është pa gjë. Shiko sa larg e lart paska shkuar nami i Pazarit tonë…Vajtën katër në dorë, e ca në mendje.

Mbase duhet ta dish, se edhe në këto anë është bërë e bëhet letërsi e art, po tjetër gjë se ne nuk jemi si Belul Gjeraqina. Po meqë ma solle në shteg, po të them se nga kjo krahinë kanë dalë edhe shkrimtarë me më shumë se tre libra secili, skenaristë, kompozitorë e piktorë, valltarë e këngëtarë të njohur nëpër festivale. Sazet e këtij qyteti kanë qenë konkurruese, midis më të mirëve në jug të vendit tonë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe shahistët që janë kampion të vendit e po nxjerrin edhe kampionët e rinj të Ballkanit. E shahu është sport i mëndjes. Për të evidentuar këto e të tjera vlera, u formua edhe shoqata “Roskoveci”. Ndaj qyteti kishte dhe një gazetë lokale cilësore. Po ka dhe një vulë si të gjitha shoqatat. Atë vulë e mbajmë mirë, se kush e duronte nofkën “vulëhumbur”. Po ne dimë t’i mbajmë mirë vlerat, ashtu siç nuk ka humbur edhe nami i pazarit tonë. Ne nuk e humbasim edhe për një arsye tjetër; sepse në vulë kemi “skalitur” një kandar, nga ata klasikët e vjetër. Shkurt hesapi, nga ata kandarë që janë me koqe… Për disa që nxjerrin gjuhën para mendjes, nga Roskoveci ka dalë ajo shprehja “Qenka koqe kandari…”. Dhe një tjetër paradoks. Brenda në kandar kemi vendosur libra, revista e gazeta, sepse tek ky Pazar “po shesim dhe pak mend”, se arti e kultura nuk bëhen pa patur një çikë mend, se në fund të fundit, ato janë pjesë e qytetërimit tonë.

Tashti po të kthehem prapë ty, o Luan djali. Siç nuk t’u zemërova, e di se edhe ti nuk do më mbash mëri. Për ca vota, për një copë kryebashkiak andej nga Vora, atë gjullurdinë e krahasove me Pazarin e Roskovecit. Hallall. Të lumtë goja, se edhe Roskovecit i bëre një publicitet të mirë! Nga pazari i gjësë së gjallë, te pazaret politike sikur nuk shkon. A, po qe për simbolikë, vazhdoni. Mbase këtu e kishte llafin edhe tavarish Hrushov! E di se, kur është fjala për ca vota, të gjitha partitë rendin edhe në Roskovec. E po, helbete, pazari pazar mbetet. Sidomos kjo partia juaj u çua si e babëzitur në Roskovec në zgjedhjet e qershorit 2013. Siç duket e keni një çikë në gjak pazarin, mos e moho, se historia flet vetë. Mos t’i hapim defterat…Mbase nga pazari ynë e morët këtë huq. U betua partia juaj se do bënte hatanë për “pazarasit” e Roskovecit. Ca fshatarëve, që po u prisheshin prodhimet për “një pikë ujë”, ju (domethënë një agronom që ishte i partisë tuaj dhe që hiqej sikur i di mirë këto punët e bujqësisë), rrahu gjoksin dhe premtoi “shi me telekomandë”. Dhe fshatarët e shkretë, që kërkuan vetëm një pompë ujë, e hëngrën. Se këtu populli është më i varfër e gënjehet kollaj. U dhanë votat, domethënë u dhanë besimin, se dhe ju kishit nxjerr në Pazar premtime të ëmbla. Dhe me ato vota partia juaj, këtej nga anët tona, nxori edhe një deputet-agronom më shumë. Po pas fushatës, ai agronomi fshihet si urithi e nuk u kujtua për hallexhinjtë. I ka harruar fushatat e bujqësisë, që kur mësoi fushatat e “korrje-shirjes” së gënjeshtrave. U harrua pompa, kurse “telekomandën” e shiut ia la në dorë Zotit… Këto harrohen shpejt e mund të mos i mbani mend. 

Po nuk janë pishman roskovecarët, që e njohin pazarin më mirë se kushdo tjetër. Dhe si të zgjuar që janë, e dini si thonë për atë deputetin-agronom? “Zëre se doli një deputet nga pazari i gjësë së gjallë dhe e shkëmbyem me “një koqe kandari”… Këto që thashë nuk i “polla”unë. I dëgjova këtej nga Pazari i Roskovecit…

 Këtë mësim nga “pazarasit” ta mbajë deputeti në dorë, në mendje, në…ku ta ndjejë më mirë, por vetëm mos ta harrojë se si “dekoratë” nga pas e ka…

SHKARKO APP