Si u mbyllën sytë, goja nuk u hap për rezolutën e Parlamentit Europian
Lajme E Martë, 20 Prill 2021 13:51
Nga Lavdrim Lita-
Rezoluta e fundit e Parlamentit Europian për Shqipërinë e miratuar tre ditë më parë kaloi pa shumë bujë politike dhe mediatike. E vërteta është se rezoluta e komisionit të jashtëm të PE, e përgatitur nga raportuesi gjerman Knut Fleckenstein, përsëriti me një ton tjetër të njëjtat gjëra të raportit të progresit të Shqipërisë, përveç faktin që vë në dukje vetcensurën e shtuar në media. Konstatimi se vendi ynë ka bërë përparim me reformat kyçe, por duhet ende punë – është bërë një frazë e kopjuar në shumë rezoluta dhe progres raporte.
Rezoluta për Shqipërinë thotë se, nëse vendi ynë dëshiron të nisë negociatat për në Bashkimin Europian, duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kyçe, si drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe në administratën publike dhe të drejtat themelore. Në faqen zyrtare të Parlamentit Europian lexohet se: “Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian mbetet i shqetësuar për zgjerimin e korrupsionit në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe disa fusha të tjera. Shqetësim përbën edhe përhapja e vetëcensurës mes gazetarëve, të cilët ka raste që edhe pengohen fizikisht për ndjekjen e ngjarjeve specifike, sulmohen ose kërcënohen për shkak të punës së tyre”.
E vërteta është se, pesë prioritet e Bashkimit Europian për të çelur negociatat e kapitujve të parë të anëtarësimit nuk janë realizuar përderisa nuk ka hapje të negociatave dhe ka kritika të forta. Ndërsa për krahasim, Serbia ka mbaruar fazën e “ekzaminimit” të 30 kapitujve nga 35 gjithsej dhe ka përqindjen më të madhe të harmonizimit të legjislacionit të saj me standardet e BE-së, ndonëse defekte të këtyre kapitujve janë masat e “implementimit dhe monitorimit”. Po ashtu, Mali i Zi ka hapur deri më sot 18 kapituj (2 të përfunduar) nga 35 gjithsej, çka do të thotë se është në rrugë të mbarë në procesin e përafrimit të legjislacionin me Acquis Communuataire. Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, janë shtete që përfshihen në kriza ciklike politike, që polarizojnë shoqërinë dhe largojnë investitorët e huaj.
Një gjë është sigurt, shqiptarët kanë mësuar pak nga mësimet e nxjerra të raportit të progresit të Bashkimit Europian dhe rezolutat e PE. E vërteta është se, vendet më me peshë në Bruksel nuk kanë asnjë dëshirë të pranojnë në klubin e tyre shtete të varfra, gjysmë të dështuara dhe që ulin standardet demokratike cdo ditë. Po ashtu, e vërtetë është se e kemi të vështirë për të qenë të dobishëm për Bashkimin Europian.
*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.