Situata kaotike nga përmbyjet, fermerët e Maliqit ”pushtojnë” Këshillin Bashkiak
Fermerë të Maliqit kanë protestuar këtë të hënë në sallën e Këshillit Bashkiak, duke ngritur shqetësimin për përmbytjet e përsëritura që po u shkaktojnë dëme të mëdha në tokat. Ata kanë theksuar se kjo situatë është kthyer në një problem kronik, i cili jo vetëm po dëmton ekonominë e familjeve të tyre, por po i detyron shumë prej tyre të mendojnë braktisjen e bujqësisë si burim jetese.
Sipas fermerëve, përmbytjet ndodhin pothuajse çdo vit, kryesisht gjatë periudhave me reshje intensive, për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese dhe mungesës së investimeve në infrastrukturën ujore të zonës. Ata kanë deklaruar se, pavarësisht ankesave të vazhdueshme drejtuar institucioneve vendore dhe qendrore, asnjëherë nuk kanë përfituar dëmshpërblime për humbjet e pësuara dhe as nuk është dhënë një zgjidhje konkrete për parandalimin e përmbytjeve në të ardhmen.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak kanë qenë të pranishëm edhe anëtarë të opozitës. Sipas tyre bojkotimi i mbledhjes nga anëtarët e mazhorancës tregon qartë mungesën e vullnetit politik për të dëgjuar dhe adresuar shqetësimet reale të banorëve të fshatrave të Maliqit. Fermerët kanë shprehur indinjatën e tyre për faktin se përfaqësuesit e mazhorancës nuk kanë denjuar të marrin pjesë në mbledhje, duke e konsideruar këtë si një shpërfillje të hapur ndaj halleve të tyre.
Ata kanë kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe një plan konkret veprimi për të shmangur përmbytjet e ardhshme, si dhe për dëmshpërblimin e humbjeve të akumuluara ndër vite. Në përfundim, fermerët kanë paralajmëruar se nëse institucionet nuk reagojnë dhe nuk marrin masa të menjëhershme, protestat do vijojnë në ditët në vazhdim, duke kërkuar zgjidhje të qëndrueshme për një problem që sipas tyre po rrezikon të ardhmen e bujqësisë në fushën e Maliqit.
KOHA JONË SONDAZH

