Skandali me SHISH-in, protestuesi: Sot ra shteti, një kryeministër europian do të jepte dorëheqjen
Protesta para Kryeministrisë ka hyrë sot në ditën e 115-të, dhe protestuesi Mirjan Aliaj u ndal te situata politike në vend dhe përmendi ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni. Aliaj akuzoi qeverinë për një sërë skandalesh dhe ngriti pyetjen se çfarë duhet të ndodhë më tej që kryeministri të japë dorëheqjen. “Nëse do të jetonim në një vend normal, kur bulevardi u mbush plot, një kryeministër europian do të jepte dorëheqjen”, u shpreh ai.
“Çfarë duhet të ndodhë tjetër që të rrëzohet qeveria? Nëse Rama do të ishte kryeministër normal, do të kishte dhënë dorëheqjen”, vijoi Aliaj. Më tej, ai adresoi akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit, duke deklaruar: “Rama është një kriminel dhe i korruptuar. Rama ka inkriminuar çdo segment të institucioneve të shtetit”.
Duke iu referuar sërish çështjes së SHISH, Aliaj tha: “Rama nuk e dha dorëheqjen, edhe pse u dha arrest shtëpiak për kryetaren e SHISH”. Në përfundim të fjalës së tij, protestuesi deklaroi se, sipas tij, institucionet shtetërore kanë humbur funksionin e tyre. “Shteti ka rënë. Ne kemi shumë kohë që themi se këtë shtet e drejtojnë kriminelët e hajdutët”, përfundoi Aliaj.

