“Skënderbej” inaugurohet më 10 qershor
Sheshi “Skënderbej” do të inaugurohet zyrtarisht më 10 qershor. Lajmin e bëri të ditur sot kryebashkiaku Erjon Veliaj në krah të Kryeministrit Rama, gjatë një takimi me pensionistë e fëmijë në parkun e lojërave në liqenin artificial.
“Me datë 10 qershor do hapim sheshin. Ka dalë shumë bukur. Këtë javë do testojmë shatërvanet që të shohim si kanë dalë. Kemi mbjellë shumë pemë që mos të ketë vetëm pllaka por t ë ketë edhe hije. Një pjesë e kemi bërë vetëm me ullinj, me fiq, me portokalle etj. Ai është vend fantastik për të dalë me patina, biçikleta etj”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
E ndërsa bëri të ditur se tashmë mbi tryezën e tij të punës ka gati edhe masterplanin për Tiranën, Veliaj zbuloi se një nga projektet e ardhshme që do të vihen në zbatim është bashkimi i Kopshtit Zoologjik me atë Botanik, për t’i bërë më të shfrytëzueshëm.
“Arkitekti na ka sugjeruar që të bashkojmë Kopshtin Botanik dhe Kopshtin Zoologjik, ndoshta përmes një tuneli, që t’i shfrytëzojmë të dyja hapësirat. Sot Kopshti Botanik s’ka asnjë funksion, përveç ndonjërit që i këput disa fotografi dasmash. Nga lejet që janë dhënë në mes të këtyre hapësirave, janë futur ca pallate si gyp. Ata nuk i zhbëjmë dot, se banojnë njerëz. Ka pak deviijim nga plani fillestar. Kështu që do bëhen vetëm me një tunel në mes. Masterplani ka dalë mirë, për 2 vitet e ardhshme mbarojnë”, u shpreh ai.
Vëmendja në muajt në vijim do të përqëndrohet tek hapësira përqark Liqenit Artificial, mes tyre edhe për hapësirën përqark Pallatit të Brigadave.
“Do jetë mirë kompletimi sepse është ende copa-copa. Duhet bashkim siç do të bëhet me Kopshtet Botanik dhe Zoologjik. Duhet të shohim mundësinë si ta hapim me orare të caktuara parkun te Pallati i Brigadave. Gjynah që nuk shfrytëzohet”, tha Kryeministri Rama.
“Presidenti aktual ka patur një politikë të frikshme me gardën për të mos patur akses. Aty ka shumë hapësira që mund të shfrytëzohen”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.