Sondazhet që vijnë nga ana tjetër e Adriatikut
Lorenc Vangjeli / Italianët vendosin: në Shqipëri triumfon e majta
Për momentin janë dy kompani italiane, Instituti IPR Marketing dhe instituti i sondazheve Piepoli, të cilët kanë marrë përsipër të masin temperaturën e votuesit shqiptar në këto zgjedhje lokale. Në bashkëpunim me dy televizione informative vendase, Ora News dhe A 1 Report, këtë javë ato mbyllin raundin e dytë të parashikimeve të tyre. E bënë fillimisht në studion e Ilva Tares dhe më pas edhe në emisionin e dyshes Bollino – Babaramo.
Deri të martën e javës së tretë të qershorit, 16 qershor, ato do të mbyllin parashikimet e tyre shqiptare. E marta është dita e fundit që lejohet të botohen sondazhet, sipas Kodit Zgjedhor.
E përbashkëta e dy sondazheve nuk është megjithatë nacionaliteti i instituteve, por fakti se të dyja, në mënyrë të pavarur, kanë parashikuar një fitore bindëse të koalicionit qeveritar. Duke nisur me Tiranën, kryesisht dhe duke vazhduar me përqindjet e votave që marrin partitë në garë.
Koalicioni qeveritar triumfon edhe në garën e liderve: Rama e Meta janë shumë më lart në përqindjen e besimit të publikut, përballë dyshes së djathtë Basha e Berisha. Eshtë ky i vetmi parashikim për të cilin nuk do të votohet në 21 qershor nga shqiptarët. Gjithë pjesa tjetër e shifrave është në lojë dhe në garë. Siç janë dhe dy kompanitë italiane me të vërtetën e tyre ndaj të vërtetës që ende nuk ka hyrë në kutitë e votimit.
Partia Demokratike reagoi ashpër mbas sondazhit të dytë të IPR marketing duke e quajtur atë të blerë nga dyshja Rama-Meta. Një akuzë e cila pritet të vërtetohet deri në 21 qershor ose në të kundërt do të shtojë një numër më shumë në listën e të pavërtetave që prodhon politika shqiptare.
javanews.al