Sot është dje

Ata që po prisnin të kalëronin mbi pushtetin, lëshuan thirrjen se “e djeshmja nuk është më”. Kishte dy qëllime:

Qëllimi i parë – për të bërë zero krimet e diktaturës komuniste që për shumicën absolute popullore nënkupton nocionin “dje”. Në marshimin e koduar “një milionë shpulla” po vinin në pushtet pasardhësit e nomenklaturës komuniste. Prandaj duhej zeruar e djeshmja.

Qëllimi i dytë- për të bërë zero gjithçka që u ndërtua në vitet post- komuniste, ose e quajtur ndryshe në Demokraci. Këtu kishte një logjikë lineare. Po të pranoheshin arritjet e viteve të Demokracisë, atëherë komunizmi do të dilte antinjerëzor.

                         

Tani jemi thuajse dy vjet pasi u lëshua paradigma “e djeshmja nuk ishte”.

Në gjithë performancën qeverisëse, në të dy pjesët e koalicionit shumë të madh, thuajse totalitar, po përhapet paradigma e dytë: “Sot është dje”. Po të konsideroheshin diejt e frojdistëve mbi provokimet e trurit, ata menjëherë do të konstatonin një paranojë; domethënë një “çarje të trurit” për shkak të shpejtësisë së ndryshimit. Ka ndryshuar qind për qind: Dje u tha se e djeshmja nuk është më; ndërsa sot thuhet se “sot është dje”.

Por objekti nuk është sëmundja alias frojdiane…

 

Çështja është si ndryshoi orientimi i qeverisjes së vendit: Nga Mosekzistenca në Ekzistencë si e djeshme?!

Lëmshi i kategorive filozofike nuk konsiderohet (sepse qeveria thotë se në demokraci nuk qeverisin as filozofët as normalët). Por edhe morali pse u ndryshua kaq shpejt drejtimi nuk ka ndonjë vlerë. Tashmë është shpallur që nga lart se “politika nuk ka moral”.

 

Po realitet, vallë a ka këtu?

Realiteti (në përputhjen mes realitetit të djeshëm e të sotëm), është ky:

Ti jeton në kohën e Enver Hoxhës. Ai nuk ekziston më fizikisht, por edhe ekziston. Këtu bashkohen Mosekzistenca me Ekzistencën, sot si të ishte dje. Qeveria bëri gjithë dekorin që ti ta besosh se nuk je Sot, por po jeton në Dje. Ja ku është jorgani i diktatorit, flakë i kuq dhe flakë i ri. Ta tregoi vetë kryeministri, pastaj ta treguan ekranet. Ka gjysmë shekulli që ai jorgan jeton flakë i ri për të të ardhur ty në sy sot që të të dëshmojë se ti nuk po jeton të sotmen por të djeshmen. Nuk është e rastit që jorgani është tipik si jorganët e martesave të djeshme… përsëri ti jeton me ëndrrën e djeshme…

 

E gjithë performanca qeverisëse po të thotë se “ti jeton të djeshmen. E sotmja është dje”. Kur them “ti” do të thotë gjithsecili që përballet me realitetin.

Dje kanë ndodhur krimet që tashmë ndodhen në dosje dhe që do të hapen. Dje kanë ndodhur defektet në ekonomi dhe tashmë qeveria ankohet se “janë të djeshme” e nuk ka ç’u bën. Dje është “prishur njeriu” dhe tani qeveria është e zënë me ndërtimin e “njeriut të ndershëm”….

Dje kanë ndodhur të gjitha. Ne jetojmë dje.

 

Vallë si e realizuan teatrin e paradigmës “Sot është dje”?

 

Teatri është ky:

Grupi i madh i koduar “një milionë shpulla”, i ndodhur para murit të qeverisjes keq, ndërroi taktikë dhe doli në treg. Doli për të shitur të djeshmen si të sotme.

 

Para blerësve të parë:

 

 

–         Ej ti, e di çfarë është sot?

–         Sot është sot- tha blerësi

–         Ik ore ti, ku merr vesh ti

Blerësit tjetër:

–         Ej ti, çfarë është sot?

–         Sot është dje- tha tjetri si të ishte në një lojë me bingo.

–         Kështu po. Ti meriton të quhesh qytetar i ndershëm… Vetëm me ty dhe llojin tënd mund të flasim…

Qeveria ka dalë në treg për ta shitur të sotmen si të djeshme; sepse të sotmen nuk e përballon dot. E sotmja kërkon punë, punësim, shoqëri të hapur, bashkëpunim, aleanca, diplomaci, mirëqenie, mos-mashtrim, mos-gënjeshtër, prosperitet….

 

Këto nuk i bën dot qeveria. Atëherë do të sjellë të djeshmen si lodër. Hapja e krevatit nëntokësor të diktatorit është vetëm fillimi- tha kryeministri. Me siguri pritet rihapja e varreve dhe përsëritja e hajmalive si te Gjergj Kastrioti në Mesjetë. Mirëpo “nuk jemi otomanët”, do të thotë mjeshtri qeverisës. Por edhe kësaj i gjendet një mënyrë. Puna është se duhet të jetojmë në të djeshmen që të harrojmë të sotmen (!)

 

Para blerësve të dytë:

 

–         Sa e blenë një copë Enver?

–         Nuk e blej fare!

–         Ik ti se je i manipuluar…

–         Po ti tjetri sa e blenë?

–         Shumë shtrenjtë

–         Eja këtu, ti kupton çfarë është jeta. Jeta nuk është kjo që shikojmë, jeta është atje ku ishte. Harroje të sotmen….- i thanë të dytit.

Pastaj pyetën gjithë kategorinë e këtij blerësi:

–         A doni punë?

–         Joooo!- thanë ata

–         A doni shtëpi?

–         -Jooo!- thanë ata.

 

Disa prej tyre kërkuan që tu prishin shtëpitë të tjerëve; dhe qeveria i dëgjoi me vëmendje.

Në fund shpërndau disa dekorata për “qytetarët e ndershëm”, ose siç i quajti “qytetarë që kuptojnë kohën”. Jo kohën e sotme, por të djeshme. Domethënë qeveria dekoroi qytetarët që kuptojnë turizmin me bunkerët dhe kapelat e djeshme të diktaturës.

 

– Ju jeni qytetarë, ju kuptoni turizmin. Hajeni në turizëm. Lëreni çfarë thonë të tjerët, jo “bukë”, “punë”, “familje”, “shtëpi”, etj. Jetojmë në kohën e turizmit të të Djeshmes (!)

 

Para blerësve të tretë:

 

–         Me cilin je ti?

–         Me Enverin nuk jam- tha tjetri i hutuar

–         Nuk pyesim direkt për atë. Pyesim “je me LSI apo me PS?”

–         Njësoj- tha tjetri dhe u trash.

–         Jo njësoj. LSI ka iniciativën për të festuar Luftën, dmth., të Djeshmen.

–         Jam me PS se dua të sotmen…, tha naivi

–         Edhe PS është me Luftën dhe shallin e kuq, por një hap pas LSI,- tha shitësi.

–         Atëherë jam me të parin…

 

Dy anët e koalicionit, ose dy anët e litarit me kodin “një milionë shuplaka” po bëjnë garë cili të fitojë na pazarin për Luftën. Lufta u zhvillua si çlirimtare por solli diktaturën më të egër dhe okupimin alias nazist mbi atdheun dhe popullin. Megjithatë këta e kanë nxjerrë në treg si “fitore”. Kush e shet më mirë të djeshmen si të sotme, ai është fitimtari.

Partia Socialiste, pas LSI, ka lëshuar gjithë komsomolasit që të venë shallin e kuq me qëllim që të fitojnë garën me LSI.

Gara është në rrugë.

 

Para të katërve:

 

Të katërtit janë njerëzit të shokuar sa nga “një milionë shuplaka”, aq edhe nga fjalori “i ri” me të cilin shitet e djeshmja. Një pjesë e njerëzve janë trashur. Nuk po kuptojnë: Nga mëngjesi në mbrëmje shikojnë të Djeshmen, ndërsa udhëheqësit flasin me fjalor të ri mbi “tregun e lirë” dhe “turizmin Bunkart”.

 

-A nuk e pranoni ju Tregun e Lirë?…. A nuk e pranoni Turizmin?!

 

Po i trashin njerëzit. Herë i fusin në pusin me ujë të djeshëm, herë i kërcënojnë me fjalor kapitalist. Të trashur, mendojnë, njerëzit mund të jetojnë në të djeshmen.

SHKARKO APP