”Sot shteti ka rënë”, Tabaku: Skandali më i rëndë, drejtoresha e SHISH pjesë e një grupi që ka punuar me Agasin
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar nga Vlora lidhur me zhvillimet e fundit të aksionit të SPAK, ku janë marrë masa ndaj disa zyrtarëve, mes tyre edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Duke komentuar situatën, Tabaku e cilësoi atë si një prej rasteve më të rënda që, sipas saj, ka prekur institucionet e sigurisë së vendit.
“Unë nuk besoja që do të thosha ky është skandali më i rëndë. Por më e rëndë se ajo që ka ndodhur sot, ku drejtuesja e SHISH-it është e përfshirë me një grup të strukturuar kriminal, sipas akuzave të SPAK-ut, dhe kërkohet pezullimi nga detyra dhe ndalimi i saj, nuk besoj se ka”, deklaroi Tabaku.
Ajo e konsideroi çështjen edhe si problem për sigurinë kombëtare dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. “Është një cenim për sigurinë kombëtare, është një njollë për imazhin e Shqipërisë, është një cenim edhe për faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s”, u shpreh deputetja demokrate.
Tabaku tha se kishte kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke e lidhur situatën me hetimet dhe masat e ndërmarra ndaj zyrtarëve të ndryshëm. “Unë kisha bërë një thirrje sot në mëngjes, sepse rrugës duke ardhur këtu në Vlorë dëgjova, që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, tha ajo. Në vijim, Tabaku pretendoi se zhvillimet e fundit nuk janë të papritura për opozitën, duke deklaruar se Partia Demokratike i ka ngritur më herët akuzat që ajo i lidhi me funksionimin e SHISH-it.
“Që SHISH-i ka qenë në shërbim të grupit të strukturuar kriminal që ka punuar me AKSHI-n dhe Ergys Agasi, nuk është se është lajm i ri. Ka qenë një lajm që ne e kemi thënë në vite, muajt e fundit ka qenë akoma dhe më insistues mënyra se si e kemi denoncuar”, deklaroi Tabaku. Deputetja i bëri thirrje Presidentit dhe institucioneve të tjera që të reagojnë lidhur me situatën. Sipas saj, drejtuesja e SHISH-it nuk duhet të qëndrojë në detyrë.
“Unë i bëj thirrje Presidentit që të mbajë një qëndrim. Unë i bëj thirrje të gjitha instancave që të mbajnë një qëndrim. Dhe në këtë moment ajo nuk duhet të jetë e pezulluar, ajo duhet të largohet nga detyra”, tha Tabaku. Në përfundim të deklaratës së saj, deputetja e PD-së e lidhi situatën me qeverisjen dhe përgjegjësinë institucionale, duke deklaruar: “Sot shteti ka rënë”.

