Spaçi më la të mpirë

Nga Aleksandër Arvizu

“Tek përgatitem të largohem nga Shqipëria, mendoj se si qëndrimi im këtu e ka thelluar të kuptuarit tim të historisë. Deri tani, fokusi im profesional ka qenë Azia, përfshirë efektet e mëdha historike të zgjerimit dhe agresionit komunist – veçantërisht në gadishullin Korean dhe në Azinë juglindore. Errësira që pllakosi Shqipërinë gjatë diktaturës komuniste ishte e ngjashme por e ndryshme – ishte brutale, pa dyshim, por më e përqendruar dhe fokusuar së brendshmi sesa në shumicën e vendeve të tjera. Disa vende në Shqipëri ende e ruajnë shenjën e asaj kohe, dhe asnjë prej tyre aq qartësisht sa Spaçi.
Javën e kaluar, vendosa që doja ta vizitoja. Kështu, edhe pse të lajmëruar në momentin e fundit, kolegët e mi në ambasadë organizuan udhëtimin dhe ndërkohë pyesnin “Pse po shkojmë?” “Sepse është e rëndësishme që të shkojmë,” u thashë. Jo për arsyet që na çojnë shpesh jashtë Tiranës: nisja e një projekti të ri nga USAID, takime me vullnetarët e Korpusit të Paqes, takime me zyrtarë të qeverisjes vendore për të diskutuar reformën territoriale, etj. “Thjesht duhet të shkojmë.” Dhe kështu u nisëm.
Jam i lumtur që erdhi Anne me ne. Udhëtimi nga Tirana për në Spaç zgjat pak më shumë se dy orë. Nuk mund të flas për kolegët e mi, por mua kjo përvojë më la të mpirë, plot keqardhje të trishtë, madje edhe të nemitur. Nuk folëm shumë me njëri-tjetrin kur ishim aty; nuk kishte nevojë për fjalë. Bëmë mirë që shkuam dhe unë nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Këtu janë disa foto nga ajo vizitë që unë doja të ndaja me ju. Një falenderim të veçantë kam për Mirian Bllacin nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij dhe Z. Gjet Gjoni, i cili na udhëhoqi nëpër ato që kishin ngjarë, si dhe na hapi dyert e shtëpisë së tij pas udhëtimit tonë të paharrueshëm.”

SHKARKO APP