Spaho-Boçit: Mos u mërzit, Berisha nuk do njeri, në 2021 Noka më sabotoi fushatën për deputet
Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho, ka reaguar me një mesazh publik drejtuar Luçiano Boçit, i cili humbi në garën e pak ditëve më parë për të qenë sërish nënkryetar i PD, ku i kërkon që të mos mërzitet sepse sipas tij Berisha nuk do njeri. Spaho shprehet se ka qenë ndër të parët që ka kundërshtuar atë që e quan “mulizëm”, duke e përshkruar si një model drejtimi arrogant, arbitrar dhe nepotist. Sipas tij, përplasjet me drejtuesin politik kanë qenë të vazhdueshme, si në Kryesinë e PD-së ashtu edhe në Grupin Parlamentar, ndërsa pretendon se u largua nga drejtimi i qarkut të Korçës pa asnjë argument. “Berisha nuk do njeri, prandaj mos u mërzit që të largoi. Ai do vetëm veten e tij. As Mulin nuk e do, por sot Muli i ofron atë që ti dhe unë nuk mundemi ta bëjmë”, shprehet Spaho në mesazhin e tij.
Postimi i plotë
I dashur Luçiano,
Kam qenë nga të parët në PD që jam ngritur kundër mulizmit, jo si filozofi politike, se kjo më bën të qesh kur mendoj Mulin filozof partiak, por si sjellje arrogante, shpërfillëse ndaj kolegëve, arbitrare në çdo vendim, nepotiste, pa moral politik, shkelëse me këmbë të kolegëve, nëpërmjet pretendimit për të qenë syri dhe veshi i Berishës.
Vazhdimisht e kemi diskutuar këtë çështje, sa një koleg i nderuar pyeti me sarkazëm: “Përse i hymë Rithemelimit, për të zëvendësuar X me Mulin?” Sikurse e di, jam përplasur ashpër me të në Kryesinë e PD-së dhe në Grupin Parlamentar, për bashkimin pa parime me grupin e Lulit. Më pas, kur pa as më të voglin argument, më shkarkoi nga detyra e drejtuesit të qarkut Korçë, vetëm se nuk i pëlqeja dhe i kishte dhënë fjalën dikujt, me të cilin sot është armik, që Spaho do ta shohë me dylbi drejtimin e qarkut Korçë. Të njëjtën gjë tentoi të bënte me Luan Baçin, por pa arritur ta nxirrte në listë të hapur.
Të nesërmen e debatit, kur e takova në zyrën e tij, më argumentoi se menduan të më zëvendësonin me Ivin, sepse Përmeti, qyteti nga vjen Ivi, është afër qarkut të Korçës. A mund ta kundërshtosh këtë “argument” kur ke parasysh filozofin që ta parashtron? Për rreth dy vite, në komunikimet direkte me të, kam kundërshtuar sjelljen e tij prej harbuti, që nuk pyeste për askënd, por vetëm urdhëronte se çfarë duhej bërë, kur merrte vendime duke mos informuar as drejtuesit e qarqeve, pa lëre më t’i konsultonte. Vetëm filli na ndau nga përplasja fizike.
Për sjelljen e tij të papranueshme i kam shkruar Sali Berishës me dhjetëra herë. Më mbajti me gajret se gjërat do të zgjidheshin në mënyrën më të mirë të mundshme. Problemet u zgjidhën duke më larguar mua nga politika, sipas përbetimit të Mulit në kafenetë e Tiranës, megjithëse kisha kontribute të paktën të barabarta me të gjithë të tjerët që mbështetën Rithemelimin dhe mbetën në politikë me garanci nga Berisha.
Për më tepër, PD më sabotoi fushatën personale për zgjedhjet e 11 majit 2025 në listë të hapur. Nuk ka ndodhur kurrë në PD që Muli dhe drejtuesi i qarkut të bëjnë fushatë kundër kolegut të tyre, që ai të mos jetë në Parlament.
Asnjë nga ju nuk foli në atë kohë. Askush nuk foli se si u bë bashkimi dhe si u poshtëruan njerëzit e Rithemelimit, ata që rendën të parët për të mbështetur Berishën dhe premtimin e tij për një parti të vërtetë demokratike. Secili pa rehatinë e tij. Por nuk folët as kur humbëm zgjedhjet në mënyrë të turpshme me 300 mijë vota diferencë. Asnjë analizë nuk u bë, askush nuk mbajti përgjegjësi. Vetëm unë dhashë dorëheqje nga funksionet që kisha, megjithëse përgjegjësia për humbjen fillonte nga Berisha dhe ata që ishin në udhëheqje.
Përse nuk u zbatua statuti për dorëheqjen e kryetarit? Përse nuk folët dhe nuk u ngritët për të mbrojtur demokracinë në parti? Sot po provoni në kurriz atë që kalova unë pa të drejtë. Votimi nuk është i pastër, thua. Nuk ka qenë asnjëherë që nga dhjetori i vitit 2021. Si mund të jetë i pastër kur LDG dhe FRPD kontrollojnë 60% të votave në Këshillin Kombëtar? E kupton, Luçiano? Organizatat partnere përcaktojnë kush duhet ta drejtojë PD-në. Kjo procedurë e turpshme filloi me Rithemelimin dhe “miqtë” e tu ta kanë futur sipas porosisë që u është dhënë. Me dhimbje, vëlla, me dhimbje, siç thoshte Kadareja!
Kështu do të ndodhte, sepse kur ishte e domosdoshme askush nuk ngriti zërin që listat për deputetë nuk po hartoheshin mbi meritën, mbi sakrificat e secilit, rezultatin e primareve dhe punën e bërë me emigrantët, por mbi nepotizëm, tarafe, premtime financiare dhe servilizëm.
Çdo njeri pa interesin e tij personal; mjaftonte të ishte vetë në listë të mbyllur, pastaj le të bëhej kiameti. Sot të ra radha ty të penalizohesh pa të drejtë, megjithëse fitove në Shkodër dhe nuk ta diti njeri. Ngushëllohu që nuk je as i pari, as i fundit në PD-në e Berishës. Sot, pothuajse të gjithë të Rithemelimit ngrohen në diell. Në zgjedhjet e ardhshme do të likuidohen edhe ata pak që kanë mbetur ende në politikë. Nëse vërtet ju dhemb PD-ja, hapeni gojën. Flisni për moçalin që është aty, si zgjidhen dhe promovohen njerëzit, si rrëzohen ata që guxojnë të ngrenë probleme dhe nuk bien dakord me ato që thonë Berisha dhe Muli i tij kur e kanë gabim. Gërvishteni plagën që të dalë e vërteta.
Mos shikoni interesin tuaj personal, me mendimin që mjafton ta keni mirë me Berishën për veten tuaj. Mos pranoni të ofendoheni që ekipi drejtues aktual është më i miri që ka pasur PD-ja që nga krijimi i saj. Të gjithë ekipin e sotëm ta mbledhësh së bashku, nuk bëhen as sa çereku i Pjetër Arbnorit, që bëri 28 vjet burgjeve të komunizmit. Luçiano, Berisha nuk do njeri, prandaj mos u mërzit që të largoi. Ai do vetëm veten e tij. As Mulin nuk e do, por sot Muli i ofron atë që ti dhe unë nuk mundemi ta bëjmë. Ngrijeni zërin, nëse vërtet e doni PD-në.
KOHA JONË SONDAZH

