Spaho: PD më përjashtoi! Protestat me molotovë pa efekt, partia më e dobët se kurrë
Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho thotë se protestat e dhunshme janë pa objektiv dhe nuk e rrëzojnë kryeministrin Edi Rama. Për të organizimi i partisë është në ditën më të dobët dhe se strukturat janë inekzistente. ”Protestat që ka iniciuar PD janë pa objektiv. Me protesta nuk e kemi rrëzuar Ramën për 13 vjet rresht. Protestat, për mendimin tim, pas zhvillimeve nga shtatori e këtej, po shërbejnë për shkundjen disi të PD dhe për të mbajtur ndjekësit e saj rrotull partisë. Skenari i protestave është i njëjti, edhe përdorimi i molotovëve po merr karakter simbolik. Kur gjendja e vendit arrin kaq keq, do shikosh edhe mjete. Por mënyra se si po veprohet, fillon protesta me disa fjalime, hidhen fishekzjarrët edhe molotovët, më pas shkohet te parlamenti, bëhet një përplasje pastaj shkohet në shtëpi.
Kjo nuk është rruga për të rrëzuar Edi Ramën. Kështu Rama rron 100 vjet. Për mendimin tim, pas 13 vitesh prova me protesta, mospjesëmarrje në zgjedhjet vendore, djegie mandatesh, përpjekje për t’u imponuar me forcë në parlament, kanë rezultuar të pa efektshme. PD duhet t’i kthehet normalitetit, të punojë fort për organizimin e saj për zgjedhjet vendore. Organizimi është në ditën e tij më të dobët. Strukturat janë në gjendje të shkalafitur. PD në momentin e fundit e çojnë vëmendjen te zgjedhjet”, tha në ”Report Tv”.
Spaho e sheh pozitive lëvizjen e Ervin Salianjit brenda PD, por që nuk po sjell asgjë të re. Spaho shprehet se nëse kritikon, të ndërpritet karriera politike. “Unë e kam parë me pozitivitet, çdo lëvizje ndryshe brenda PD, vetëm mirë sjell. Ose të përjashtojnë, ose thonë vetëpërjashtohen. Këto janë lojëra që po bëhen tani. Shoh që kjo lëvizje e ka humbur energjinë, sepse është pa objektiva dhe pa strategji. Po përsërit foltoren në rrethe, nuk shoh asgjë të re. Nuk pres të ndodhë ndonjë gjë. Mungon kritika, nuk lejohet kritika. Po të flasësh dhe të kritikosh, të ndërpritet karriera politike”, u shpreh ish-deputeti.
Një mendim e dha edhe për kalimin e ish-deputetit Dashnor Sula, me mazhorancën. “Është anatemuar edhe ai tradhtar, armik, por harrohet se Dash Sula ka kontribute në PD, është njeri me infulencë në zonën e Peqinit. Ai hyri mbi bazën e premtimeve të një prej parimeve të Rithemelimit, që meritokracia do përcaktojë vendin e çdo individi. Doli i pari në qarkun e tij, por i treguan rrugën. Unë kam vetëm një alternativë, edhe unë nuk është se i dua”, nënvizoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

