Speci djegës ju ndihmon të dobësoheni
Lajme të mira për ata që e kanë të vështirë t’u rezistojnë ushqimeve të yndyrshme. Një përbërës i zbuluar në specin djegës ndihmon në parandalimin e shtimit në peshë, pasi keni konsumuar një vakt të bollshëm, ka zbuluar një studim i ndërmarrë nga disa studiues indianë.
Sipas studiuesve, kapsaicin, përbërësi kryesor i specave djegës, është një substancë që stimulon djegien e energjisë dhe redukton ndjesinë e urisë.
“Të dhënat laboratorike të grupit tonë treguan se një dietë ditore me bazë kapsaicinën e zhduk sasinë e lartë të yndyrës, duke parandaluar obezitetin”, -shpjegoi Vivek Krishnan, një student i diplomuar nga Universiteti i Wyomingut në SHBA.
Studiuesit zbuluan se një dietë ditore e pasur me yndyrna e shoqëruar nga 2 gramë nga ky përbërës i çmuar i specit djegës parandalon obezitetin dhe shtimin në peshë, duke ndikuar në rritjen e temperaturës së trupit dhe ulja e ndjesisë së urisë.
I njohur për vetitë e tij të shumta në shëndetin e njeriut, tashmë speci djegës, bima me origjinë nga Amerika qendrore dhe jugore tashmë mund të shihet edhe si një aleat shumë i mirë kundër kileve të tepërta dhe obezitetit, të kthyer në një problem serioz mbarëbotëror.
Të dhënat e këtij studimi u paraqitën në takimin e 59-të vjetor të Shoqatës Biofizike në Baltimore, Maryland.