“Spiegel”: Djemtë e humbur të Shqipërisë që po kthehen

“Der Spiegel” sjell historinë e tre shqiptarëve që në vitin 1991 ikën me anije nga Shqipëria dhe tani janë kthyer aty nga malli dhe dëshira për të ndihmuar vendin e tyre. Rrëfimi fillon në darkë në lokalin «Radio Bar» të Tiranës, ku mblidhen «të bukurit dhe të pasurit» e kryeqytetit. Tri herë ikin dritat, po vizitorët vazhdojnë t’i shijojnë pijet e tyre në dritën e qirit, i bën përshtypje autorit Walter Mayr. Aty duken Muharrem Çobo, përpunuesi i verës më të shtrenjtë në Shqipëri; Agron Shehaj, i cili fiton me qendra telefonie dhe Rendi Panariti, pronar i lokalit «Radio Bar». Lokali gjendet në lagjen e «Bllokut», ku ka jetuar nomenklatura me në krye Enver Hoxhën. Autori kujton që shqipëria për 40 vjet ishte qoshja e errët e Europës, me 700’000 bunkerë prej beton armeje për t’u mbrojtur nga imperializmi perëndimor dhe revizionizmi lindor. Mijëra shqiptarë ranë pre e «regjimit terrorist të stalinistëve të pafe», nënvizon raporti. Bari për të cilin flet artikulli është hapur në 2009-­tën në lokalet e një banese tridhomëshe, i stolisur me radio të denja për muze, mobilje tradicionale dhe një arsenal pijesh për qejf. Panariti rrëfen që para se të vinte ai me barin e tij, klientët njihnin vetëm Wodka­n dhe Read Bull­in. Ai është një çun Tirone, ka punuar nëntë vite në Itali – ndër të tjera – si banakier. Tani ai i elitës së re të vendit i ofron Wodka Sour me «pije pasioni» deri te «Sex on the Beach». Shumë shqiptarë hapat e para të karrierës i kanë hedhur në emigracion, thotë raporti.

Sfondi profesional i bashkëbiseduesve të autorit është ky: Çobo ka mbaruar në Universitetin e Trentos për drejtësi, Shehaj ka studiuar për ekonomi në Firencë, Erxhan Hyseni është ekspert i sigurisë në autoritetin shqiptar të aviacionit civil dhe kish arritur deri në trupat elite të marinës amerikane. Të tre e kanë të përbashkët faktin që në vitin 1991 ikën nga varfëria dhe anarkia e Shqipërisë me anije në Itali. “Rritet numri i emigrantëve që kthehen” Imazhet e emigracionit shqiptar para 24 vitesh i njeh bota. Midis Bozen dhe Palermos është themeluar një Shqipëri e vogël, aty jetojnë një gjysëm milioni shqiptarë. Tre burrat tani janë këthyer në vendlindje. Ata nuk kishin ndonjë arsye për t’u kthyer në Shqipëri, mendon gazetari. Rritja e vazhdueshme e papunësisë në Itali dhe recesioni i gjatë e kishin ndryshuar disponimin. Shuma e remitencave në Shqipëri bie, ndërsa numri i të kthyerve rritet. Në 2013-­tën ai shkonte në 46’000 veta. Për më tepër, thotë artikulli, 19’000 italianë dhe 400 firma kanë kaluar në Shqipëri. Klima për biznes atje është shumë e volitshme: Lajmërimi i një biznesi zgjat një ditë, rroga mesatare është 374 euro, ndërsa 30 për qind e popullatës është ndër 18 vjeç.

Agron Shehaj është gjeneratë e 77-­tës, i zgjuar dhe i shkathët – mysafirët në firmën e tij i pret me shumë dashamirësi. Kur iku nga Shqipëria, ishte vetëm 13 vjeç. Historia e tij ka qenë temë e një filmi dokumentar dhe reportazheve të ndryshme në kanalet televizive italiane. Në 2005­tën, kur u themelua, qendra e tij telefonike kishte 400 punëtorë, tani janë 3000. Për një pensum 100 për qind, rroga që jep ai është 400 euro. Shumica e shqiptarëve e flasin italishten. Italia për të, me gjithë respektin që ka, është vend që u druhet rreziqeve dhe vend i barrierave burokratike. «Në fund kisha mall për Shqipërinë dhe doja të bëhesha ndërmarrës», e citon media Shehajn. Ai thotë: «Si ndërmerrës mund të ofrosh vetëm shërbime, për të cilat i ke njerëzit e duhur». Në Shqipëri do kisha prodhuar edhe aeroplanë – thotë ai – por me kënd? Ai nuk po gjen një drejtor të mirë për biznesin e tij në Shqipëri, prandaj e ka angazhuar një italian që e paguan për një të tretën më shumë. 

SHKARKO APP