Spiropali, takim me homologun kroat: Ramë dakord për mbledhjen e parë ndërqeveritare Shqipëri – Kroaci
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, është takuar me homologun kroat, Gordan Grlić Radman. Të dy ministrat kanë dhënë një deklaratë të përbashkët për shtyp, pas takimit zyrtar ku u diskutuan prioritetet strategjike të marrëdhënieve dypalëshe.
Spiropali u shpreh se bisedimet ishin “thelbësore, dinamike dhe të orientuara drejt së ardhmes”.
Ajo bëri me dije se ndër pikat kryesore të dakordësuara gjatë takimit ishte mbajtja e Mbledhjes së parë Ndërqeveritare (G2G) mes Shqipërisë dhe Kroacisë, mundësisht në vitin 2026, e cila do të shënojë një moment të ri institucional në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Jam e lumtur të ritheksoj se bisedimet tona sot, ishin thelbësore, dinamike dhe të orientuara drejt së ardhmes.
Bashkarisht u dakorduam të intensifikojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat strategjike, përfshirë:
– Përgatitjen e Mbledhjes së parë Ndërqeveritare (G2G), mundësisht në vitin 2026, një moment historik që e ngre bashkëpunimin tonë në një dimension të ri institucional.
– Thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer në fushën e integrimit europian, ku përvoja e Kroacisë mbetet e pazëvendësueshme.
– Bashkëpunim më të ngushtë në sektorin e energjisë, ku Shqipëria dhe Kroacia ndajnë të njëjtat objektiva strategjike: si diversifikim, ndërlidhje dhe siguri afatgjatë.
U dakorduam të përshpejtojmë bashkëpunimin tonë për prioritetet kryesore të konektivitetit, përfshirë Autostradën Adriatiko–Joniane (Korridori Blu) dhe shqyrtimin, e një plani të ardhshëm, të potencialit të Gazsjellësit Adriatiko–Jonian (TAP). Po kështu, ramë dakord për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit detar dhe sigurisë në Adriatik – një prioritet i natyrshëm, për dy fqinj që ndajnë të njëjtin det, të njëjtat sfida dhe të njëjtin horizont europian”, ka thënë Spiropali.
KOHA JONË SONDAZH

