Spiropali: Vendimi i Hagës precedent i rrezikshëm, Shqipëria dhe Kosova të financojnë mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, e ka cilësuar si “precedent të rrezikshëm” vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin me 81 vite burg në total të katër ish-krerëve të UÇK-së.

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Spiropali tha se proceset gjyqësore në Hagë, sipas saj, kanë përmbysur raportin mes viktimës dhe agresorit në rastin e Kosovës.

Ajo kërkoi një angazhim më të madh institucional dhe financiar nga Shqipëria dhe Kosova për mbështetjen e ekipeve mbrojtëse të ish-drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar edhe barrën financiare që, sipas saj, po përballojnë familjet e tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Duket qartazi që ai vendim mizor, i padrejtë dhe një precedent i rrezikshëm për atë që vjen, nuk ka si mos të lidhet edhe me rastin e Ukrainës”, tha Spiropali.

Swiss Digital Mobile Reklama

Deputetja socialiste u ndal edhe te raportet që kanë shërbyer si bazë për krijimin e Dhomave të Specializuara, duke përmendur në mënyrë të veçantë pretendimet e lidhura me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.

Spiropali solli në vëmendje viktimat e luftës në Kosovë dhe kritikoi faktin që, sipas saj, përgjegjësit për krimet ndaj civilëve shqiptarë nuk janë ndëshkuar në të njëjtën masë.

“13 mijë të vrarë në Kosovë. 1500 njerëz të masakruar pa varr, të pagjetur ende. Të padënuar ata që kryen këto masakra”, u shpreh ajo.

Në vijim, Spiropali bëri thirrje për një “përpjekje kombëtare, institucionale e financiare” në mbështetje të mbrojtjes ligjore të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ajo tha se familjet e katër ish-luftëtarëve po përballen me kosto të larta financiare dhe kërkoi që si qeveria shqiptare, ashtu edhe institucionet e Kosovës, të krijojnë mekanizma financiarë për këtë qëllim.

Në fund të fjalës së saj, Spiropali ngriti edhe çështjen e Jakup Krasniqit, ish-zëdhënësit të UÇK-së, i cili është një nga të akuzuarit në proceset e Dhomave të Specializuara.

“Çfarë duhet të ndodhë, duhet që Jakup Krasniqi, që ishte zëdhënësi i UÇK-së, të vdesë në burg?”, deklaroi ajo.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?