Spitali i parë në qytet…

 

Nga Nikolla  Sudar

“Kur e kaluara harrohet… ajo përsëritet!”. Kjo aksiomë absolute u përket të gjithë popujve si dhe të gjitha etapave nëpër të cilat ka kaluar njerëzimi. Traumat e tmerrshme të përjetuara më pare, i përsëriten atij populli, i cili harron të kaluarën e vet historike. Ajo duhet studiuar dhe njohur gjer ne detaje dhe prej saj duhet nxjerrë mësime me vlerë për të tanishmen dhe të ardhmen.

Spitali i parë në qytet…

 Me interesimin e madh të Komitetit të ri ekzekutiv të nënprefekturës e personalisht të kryetarit të saj, Qazim Domi, prioritet mori ngritja e spitalit. Më në fund, në muajt e parë të vitit 1946, u arrit që të hapej ky institucion kaq i domosdoshëm… por me një personel modest. Iniciatori i ngritjes së tij u bë mjeku i mrekullueshëm, shembulli i rrallë i humanizmit në gjithë trevën e Shijakut, Dr. Koço Deda, i cili i dhuroi spitalit të gjitha pajisjet personale mjekësore, infermieri me përvojë dhe i papërtuar Dalip Ishmi dhe e vetmja grua sanitare, ishte Gospava Sudari, sepse asnjë tjetër nga qyteti nuk pranonte të shërbente fytyrëzbuluar. Pikërisht në fillim të aktivitetit të spitalit, për habi të të gjithëve, sipas sloganit komunist se të gjithë jemi të “të barabartë”, drejtues i spitalit u caktua aktivisti i luftës Xhemal Rreshka. “Më kujtohet një rast për të qeshur. – tregon një ish punonjës i spitalit të asaj kohe. – Kisha një të sëmurë në shtëpi, prandaj i drejtohem “drejtorit” për t’i marrë një orë leje nga puna. Sapo futem në zyrë, më bie në sy shishja e rakisë mbi tavolinë. Xhemali u hutua aq shumë, saqë shishen, ashtu me grykë të hapur, e futi me shpejtësi në sirtarin e tavolinës. Ndërkohë që unë po i tregoja arsyen e “shqetësimit”, nga sirtari filloi të rrjedhë rakia në dysheme. Drejtori e vuri re dhe më me zë të lartë e i zemëruar më përgjigjet: “Ik ku të duash, se më shkoi dam kjo farë rakie…”.

Pa kaluar shumë drejtues i spitalit do të bëhej mjeku rigoroz Abdyl Skenduli, i cili do të pasohej përsëri për një kohë të gjatë nga “mirëbërësi i paharruar”, Dr. Koço Deda, i cili u rikthye në Shijak pas disa vitesh transferimi. Të punoje në kushtet e asaj kohe ishte e paimagjinueshme: pajisjet mungonin, ilaçe kishte shumë pak, po ashtu injoranca dhe paragjykimet bënin ligjin, prandaj muajt e parë askush nuk vinte për t’u vizituar. Njerëzit, sidomos femrat, vdisnin në shtëpi dhe nuk pranonin të merrnin ndihmën mjekësore. Brezit tonë i kujtohet ajo periudhë e vëshirë, kur gratë fytyrëzbuluar ishin të pakta dhe urreheshin nga opinioni fanatik i kohës (shpesh gra të mbuluara ne çarçaf, pasi ngrinin perçen, pështynin në fytyrë në rrugë apo ambjente publike, ato që dilnin të zbuluara).   Spitali ndryshoi disa ndërtesa: nga shtëpia e Metali Alitës kaloi tek ajo e Dr. Koços, pastaj tek shtëpia e Abdulla Gashit e më pas poshtë, në lagjen Popullore. Historiku i aktivitetit të spitalit dhe i personelit të tij për dekada me rradhë është nga më heroikët. Në kushte skandaloze, kur mungonte çdo lloj vaksine, me ato pak medikamente që mund të siguronin, duke kaluar nga një fshat në tjetrin, për vite me rradhë u përballuan epidemi të tmerrshme si fruthi, qerosa, lija e dhenve, zgjebja, sëmundjet veneriane, tuberkulozi dhe malaria. Personeli, që nga viti në viti erdhi duke u shtuar, propagandonte me të gjitha format higjienën e domosdoshme, në kushte të një prapambetje të gjithanshme, të një injorance që bënte ligjin, të një varfërie të tejskajshme dhe gjatë tërë kohës, duke vënë jetën në rrezik. Duhej të kalonin dekada që banorët të ndërgjegjësoheshin për nevojën jetike të institucioneve shëndetësore.  Në krye të spitalit, tashmë me fizionomi të vërtetë, do të vinin drejtues të tjerë të devotshëm si Dr. Haki xhafa, Dr. Rabije Tepshi, kardiologu i përmendur Dr. Xhemal Doçi. Ai ka meritën kryesore për kalimin në godinën e re, që iu muar ushtrisë si dhe për pajisjen e saj me aparatura moderne. Po ashtu këtë institucion e ka drejtuar edhe pediatri me përvojë, Dr. Petrit Kasa, i cili ka fituar respektin e të gjithë banorëve të qytetit e të fshatrave.

Erzeni – dashuria jonë e madhe…

Fat i madh për çdo qytet është kur përmes tij kalon një lumë. I tillë është Shijaku, të cilin e ndan në mes lumi Erzen. Karakteristikë e këtij lumi, aq të dashur për ne shijakasit, është se ai ka shtrat shumë të thellë dhe brigjet e veshur me blerim, që e bëjnë shumë piktoresk.

    Historikisht njihen mënyrat e përdorura për lidhjen e dy anëve të qytetit: me trap, lundër, ura të ndërtuara me trarë (të cilat shpesh i rrëmbente lumi), pasarelë, urë metalike dhe e betonuar. Por madhështinë e vet do ta arrinte në vitin 1926, me ndërtimin e urës së mrekullueshme e të papërsëritshme me dy harqe, me kalime për automjetet dhe këmbësorët.

     Erzeni njihet si lumë tekanjoz dhe mjaft i rrëmbyeshëm: disa herë ai e ka ndryshuar shtratin e tij dhe në dimër përmbyste një pjesë të qytetit, atë matanë urës. Megjithatë, ne e duam shumë dhe nostalgjia për të do të na ndjekë deri sa të jemi gjallë. Gjatë verës të rinjtë e fëmijët tërë ditën laheshin në lumë, kryesisht poshtë urës, një vend mjaft i preferuar dhe me rërë të pastër, ndërsa ata më të guximshmit notonin, ose tek Vau i Korçarit në krye të qytetit, ose tek Zgomja e Haxhi Ramazonit, në të dalë të tij (vend i thellë por shumë i rrezikshëm). Çdo vit Erzeni do të përpinte në thellësitë e tij mjaft të rinj e fëmijë.

     Por do të vinin kohë “të reja”, kru do të sundonte absurdi e që do ta dënonte “me vdekje” lumin tonë të dashur. Vite të shkuara, atje ku lumi futej në qytet, u ndërtua therrtorja e ndërmarrjes së grumbullimit dhe të gjitha mbeturinat e shumta, të pista dhe tepër të rrezikshme për jetën e qytetarëve shijakas, do të hidheshin në të. Por kulmi i absurdit do të arrinte, kur pikërisht aty do të ndërtohej fabrika e niseshtesë. Kjo fabrikë (për turpin e atyre që e importuan dhe e instaluan) kishte nje teknologji të vjetër. Kushtet e punës në të ishin skandaloze: në repartet e saj norma e pranisë së gazit sulfuror (shumë i dëmshëm për shëndetin) ishte 10 -11 herë më e lartë se normalja, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e punonjëve (edhe sot mjaft prej tyre vuajnë pasojat e asaj ngarkese vrastare). Fabrika ishte prodhuar në Bullgari dhe, si gjithnjë, u gjet Shqipëria “për ta eksperimentuar”. Tashmë mbeturinat e shumta të fabrikës, në përbërje të të cilave kishte gaz sulfuror, mbeturina të repartit të prodhimit të salcës dhe të therrtores, që lëshonin një dufmë të llahtarshme, do të hidheshin në lumë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve shijakas. Ato tërë kohën parakalonin poshtë urës dhe krijonin një pamje shumë të neveritshme të lumit por, ç’është më e keqja, do të shkaktonin një katastrofë të vërtetë ekologjike gjatë gjithë rrjedhjes së tij. I tërë peshku dhe gjallesat e tjera ngordhën; uji i lumit, që dikur përdorej për t’u pirë dhe për vaditje, tashmë ishte plotësisht i ndotur, me përmbajtje të lartë kimikatesh dhe i papërdorshëm.

     Del pyetja? Si u lejua që këto dy objekte (therrtorja dhe fabrika) të ngriheshin në krye të qytetit dhe jo në dalje të tij, duke bërë që mbeturinat të parakalonin nëpër të? As në mesjetë, kur u ngritën manifaturat e para, nuk lejohej diçka e tillë. Kjo ishte një papërgjegjshmëri e “specialistëve të paaftë që vegjetonin nëpër dikastere”, të emëruar vetëm për militantizmin e tyre si edhe i drejtuesve të bazës, të cilët miratonin pa kundërshtim çdo vendim që vinte nga lart.

    Por do të vinte një kohë që lumi ynë i dashur të shndërrohej edhe në një përrua, sidomos në periudhën e verës. Arsyeja? Në të dalë të Tiranës i kishin bërë një pritë për vaditje, duke shfrytëzuar (jashtë çdo lloj parametri normal) rreth ¾ e sasisë së ujit. Pikërisht ky pakësim drastik i rrjedhjes së ujit, sidomos gjatë verës, shto këtu volumin e madh të mbeturinave që hidheshin në të, e shfytyruan lumin Erzen, dikur “mburrja e Shijakut”. Tashmë era e keqe, që pushtonte qytetin sidomos natën, ishte bërë e padurueshme.

    Tani që po shkruaj këto rradhë m’u kujtua një ngjarje tjetër me të vërtetë skandaloze e fundit të viteve 80, e inicuar nga lart, që ka të bëjë me ujin e lumit. Pas një propagande shurdhuese në shtyp dhe në televizion, një ditë vere, kur të binte të fikët nga vapa, u mblodhën si zakonisht “me firma” të gjithë punonjësit e qytetit dhe të fshatrave përreth në të dalë të qytetit (në Shilore), për të përuruar fillimin e punimeve të një objekti të madh vaditës, “që do të shpëtonte dhe do të dyfishonte rendimentet e fushave të Shijakut e të Maminasit”. Në këtë ngjarje “të shënuar” mori pjesë e tërë udhëheqja e rrethit, si edhe kryeministri i vendit. Adil Çarçani. Ai do të përuronte fillimin e punimeve të kantierit të ngritur midis Shijakut e Maminasit. Ndërkohë makineritë e rënda rrafshuan territorin, kurse afër fshatit Gjepalaj filloi ndërtimi i një sistemi të fuqishëm elektropompash për ta marrë ujin nga lumi Erzen dhe për ta ngjitur lart, në rezervuar. Por e tërë kjo eufori shurdhuese do të përfundonte në një turp të vërtetë: punimet u ndërprenë, si gjithnjë, me “porosi nga lart”. Ç’kishte ndodhur? Pas një përllogaritje më të saktë rezultoi se ngritja dhe funksionimi i rezervuarit ishte plotësisht i paleverdisshëm: shpenzimet për ndërtimin e tij dhe sidomos konsumi i energjisë elektrike nga ana e elektropompave për ngjitjen e ujit ishte shumë i madh. Një pyetje fare të thjeshtë e bënte çdo qytetar (nën zë): “Përse nuk u bë më parë një studim i tillë i saktë, por u lejua të dëmtohej rëndë sipërfaqja e tokës për rezervuarin, u lejuan shpenzime të konsiderueshme për elektropompat, duke u diskredituar edhe vetë qeveria në personin e kryeministrit?

     Por paradokse të tilla, sa qesharakë, aq edhe të dëmshëm për ekonominë, gjatë sundimit komunist do të bëheshin pjesë organike të jetës sonë dhe do të na shoqëronin dekada me rradhë. Për ilustrim:

    Diku në Jug u ndërtua një rezervuar për vaditje.  Gëzimi i njerëzve qe i madh, sepse përfundimisht do të mposhtej thatësira e do të rriteshin rendimentet bujqësore. Por vetëm disa ditë para inaugurimit dikush “nga të mëdhenjtë” u kujtua: “Mirë bëmë që e ndërtuam rezervuarin, po ujin nga do ta marrim?”

    Për të gjitha këto “novacione”, që i kushtonin shtetit qindra milonë lekë, askush nuk vihej para përgjegjësisë për dy  arsye: e para, sepse parimi i “militantizmit” ishte mbi atë profesional; e dyta, sepse sundonte mentaliteti anadollak shumë i dëmshëm sipas të cilit “malli i shtetit është si ujët e detit”.

    Për fat të keq një mentalitet i tillë është i pranishëm në jetën tonë të përditshme edhe pas 24 vjet demokraci.

Fillimi i “qametit”…

 

      Nga mbresat më të këqia, që në jetë të jetëve do të mbeten të pashlyera në kujtesën e çdo shqiptari, me të drejtë konsiderohen pasojat e hapit apokaliptik të bërë nga udhëheqja komuniste e vendit për të shkatërruar fenë dhe institucionet e saj. Të nxitur nga qendra të rinjtë e shkollës së mesme “Naim Frashëri” të Durrësit, në vitin 1967 u sulën drejt kishës së lashtë e të shenjtë të Shënavlashit (Rrashbull,) për ta përdhosur përfundimisht. Kështu do të fillonte ajo periudhë e turpshme dhe fatale, që do ta kthente Shqipërinë në primitivizëm të plotë. Kjo epidemi e tmerrshme “e porositur nga lart”, u përhap në të gjithë vendin.

     Pas një përpunimi paraprak edhe të rinjtë e shkollës së mesme në Shijak u sulën drejt xhamisë së qytetit. Pasi ia morën çelësat myftiut, të rinjtë hapën xhaminë dhe u dyndën brenda. Si tani më kujtohen ato skena të të rinjve që suleshin për t’u ngjitur në minare, apo të tjerë që qeshnin me shkrimet e shenjta. Ndërkohë në një cep të sallës oshëtinte orkestra, ku për dekada me rradhë ishin falur gjyshërit dhe prindërit e tyre. Si rrufe në qiell të hapur u perhap lajmi ogurzi dhe njerëzit u dyndën për të parë “çmendurinë e rradhës” të regjimit, unikale në botë. Të ngulitur i kam fytyrat e tre pleqve nga fshati Xhafzotaj, të cilët qendronin prapa xhamisë dhe me lotë të sy vështronin përmes dritares së hapur “hatanë” që po ndodhte brenda. Cilido shijakas i atyre viteve e ka parasysh skenën e dhimbshme të rrëzimit të minares, që ishte bërë simbol i besimit fetar i një popullsie të urtë punëtore dhe patriote. U deshën kavo të forta çeliku me të cilat u lidh minareja dhe një bulldozer i fuqishëm, që kreu “heoizmin komunist të kohës”, duke e rrëzuar përdhe. Pas një investimi “serioz” ky institucion i nderuar kulti u shndërrua në shtëpi kulture. Lajthitjet përfshinë gjithë vendin: klerikë të panumërt u burgosën e u internuan, shumë kisha, xhami e teqe, monumente të vërteta të lashtësisë dhe të shpirtit të një populli, u shkatërruan, u kthyen në stalla, magazina apo në vatra kulture.

    Tashmë ekstremizmi arriti deri atje saqë një oficer, ikonat me portretet e shënjtorëve të grabitura në manastirin e Ardenicës (të shekujve të mesjetës e që kushtonin me mijëra marka), i varte në një pemë. Pasi vendoste togën në një largësi të caktuar, u thoshte ushtarëve: “Kush e godet ikonën në njërin sy, ka pesë ditë leje, kush e godet në të dy sytë, ka dhjetë ditë leje!”

     U desh të kalonte gati një çerek shekulli që, më në fund, fesë t’i ktheheshin dinjiteti dhe institucionet e saj, megjithatë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se duhet të kalojnë dekada përkushtimi që të shlyhet faji i rëndë mbarëpopullor ndaj fesë.

 

“Vëllezërit” tanë kinezë dhe “miqtë” tanë… “kosovarë”

 

          Në të ashtuquajturin “kamp vëllazëror socialist” prej kohësh kontradiktat po merrnin formën e një përplasjeje “për jetë a vdekje” në të gjitha fushat. Tashmë ishte bërë e njohur goditja dërrmuese që Hrushovi i dha Stalinit, “kultit të individit”  dhe “bëmave” të kryera gjatë sundimit të tij gati tridhjetëvjeçar. Stalini ishte një uzurpator i llahtarshëm; ai ishte arrogant, brutal, egoist, njeri që nuk e njihte tolerancën dhe hakmarrës i përmasave të përbindshme. Jeta i vërtetoi mizoritë e tij mbi kurrizin e miliona viktimave të pafajshme në BS dhe në ish vendet socialiste, shumë nga të cilat i zhduku fizikisht apo i burgosi dhe i internoi. E gjithë bota përparimtare do të dënonte krimet e Stalinit, por në Shqipëri Enver Hoxha i mbeti deri në fund besnik mësuesit të tij, si në mendime ashtu edhe në veprime. Ndërkohë divergjencat midis PK të BS, të partive të vendeve socialiste nga njëra anë dhe PPSH-s nga ana tjetër sollën vitin kobzi 1961, që në histori njihet si vit i ndërprerjeve të të gjitha lidhjeve partiake dhe shtetërore me ta. Tashmë kishte dalë në horizont miku “i lavdishëm i Partisë së Punës dhe i popullit shqiptar”, Kina e kuqe Komuniste, e cila prej vitesh kishte mosmarrëveshje të thella më udhëheqjen sovjetike.

      Ne, studentët e atyre viteve, i kemi të fiksuara ato momente të asaj “kthese sa të thellë aq edhe qesharake, poshtëruese dhe me pasoja të rënda për të ardhmen e vendit”. Në të gjitha kinematë e kryeqytetit filluan të shfaqen vetëm filmat “pompozë kinezë”, plotësisht jashtë realitetit, si “Marshimi madh”, “Lindja është e Kuqe”, “Batalioni grave” etj, ku vriteshin me mijëra armiq ndërsa aty këtu “binte therror ndonjë ushtar i revolucionit”. Ata mbushën kinematë e të gjithë vendit bashkë me dokumentarë serialë kushtuar “Timonierit të pagabueshëm Mao Ce Dun”. Nëpër dyqanet filluan të tregtoheshin mallra kryesisht kineze, madje, u arrit që në vitrinat kryesore të dyqaneve të kryeqytetit të ekspozoheshin veshje tradicionale zyrtare kineze, të cilat propagandoheshin me të madhe që të përdoreshin edhe nga qytetarët tanë. (Me sa mbaj mend, kjo tentativë e turpshme servilizmi esktrem dështoi me turp, sepse askush nuk bleu apo veshi rrobat e qepura sipas modeleve kineze). “Miqësia revolucionare dhe e pathyeshme shqiptaro-kineze” do të thellohej nga viti në vit në të gjitha drejtimet: partiake, politike, ekonomike, ushtarake, kulturore. Kinës i interesonte jashtë mase të kishte një “aeroplanmbajtëse” të saj në mesin e Evropës, siç ishte Shqipëria, prandaj edhe Perëndimi e shihte me shqetësim të madh këtë afrim të paparë.

      Ishte viti 1962 kur në ndërmarrjen karro-qerre të Shijakut erdhi një specialist kinez për të vënë në punë linjën e re të prodhimit të shkumësave për nevojat e shkollave të vendit. Ky njeri i thjeshtë, fjalëpak dhe punëtor përgatiti një grup punonjësish dhe me makineri të thjeshta u hap linja e re brenda një kohe të shkurtër (aty filluan të prodhohen shkumësa me ngjyra dhe pa ngjyra) në sasi të madhe. Specialisti kinez u vendos në pallatin ku banoja unë, në një dhomë më vete. Shpesh herë nëna i përgatiste ndonjë ushqim të guzhinës sonë, të cilën e pëlqente pa masë. Por një ditë ai nuk doli nga dhoma. Pas një ushqimi disi të yndyrshëm mikun kinez na e zuri barku dhe disa ditë nuk doli në punë: ai kishte rastisur vegjetarian nga halli. Prej tij do të mësonim një të vërtetë të madhe: “Kinezi ha çdo gjë që fluturon, përveç avionit, çdo që lëviz mbi dhe, përveç njeriut dhe çdo gjë që noton, përveç vaporit”.    

     I ashtuquajturi “revolucion proletar kinez” do të eksperimetohej edhe në Shqipëri me te gjitha pasojat rrënuese të tij. Një nga kulmet negative të këtij imitimi ishin dacibaot (fletë-rrufetë), të cilat në dukje konsideroheshin “gjetje e kohës” për të kritikuar hapur të metat në punë e në jetë (në atë kohë kishte nga ata që heshturazi talleshin: “Fletë-rrufe, moj fletë-rrufe / Të jap dy plaka më jep një të re!”). Por kryesisht ato shfrytëzoheshin për të goditur “gjoja nga masa” njerëz të ndershëm. Të shumta janë rastet, kur gjoja në emër të luftës kundër shfaqjeve të huaja, u kalua në goditje intelektualësh apo krijuesish nga fusha të ndryshme. Kështu mbi “baza proletare” do të thellohej miqësia me popullin e madh kinez. Mohimi do të kalonte deri në grotesk, saqë kinezët propaganda jonë pa bosht do t’i quante “vëllezërit tanë kinezë”, kurse kosovarët, që herë pas here vizitonin vendin tonë në grupe, do të quheshin “miqtë tanë kosovarë”.

      Në vazhdën e “revolucionarizmit të mëtejshëm të jetës në të gjithë vendin sipas eksperiencës kineze", do të fillonin goditjet në të gjitha fushat e jetës. Viti 1974 do të karakterizohej me atë lajthitjen e rradhës të “luftës kundër shfaqjeve të huaja në art, letërsi e kulturë”. Më kujtohet fare mirë ajo periudhë tronditëse, kur pas një instruktimi paraprak filloi “zbatimi në praktikë”. Si kudo edhe në Shijak disa nga ne, mësuesit, “u angazhuan” në bibliotekën e qytetit për të “spastruar literaturën, kryesisht atë artistike nga depërtimi i ideologjisë degjeneruese perëndimore e revizioniste”. Njëra nga ato vepra ishte romani i famshëm “Iluzionet e humbura” të Balzakut. Ç’mund t’i bëhej kësaj vepre të pavdekshme? Ajo vetëm se mund të përdhosej rëndë, për turpin e të gjithëve. Nga ky libër u hoqën “skenat intime”, që helmonin “moralin e pastër proletar” (u grisën afro një e treta e fletëve). Kështu u veprua edhe me kyevepra të tjera të letërsisë botërore: ato u sakatuan dhe mjaft prej tyre u ndaluan. Filmat “u shkurtuan”, duke u hequr pjesë të tëra “infektuese”; po ashtu u veprua me pjesët teatrale e muzikore. Veprat me ndikime të huaja e të rrezikshme në artet figurative u hoqën nga galeritë. Mjaft krijues të artit e letërsisë u goditën rëndë. Sipas orientimeve të reja primarja ishte që “e shëndosha, revolucionarja” e realizmit famëkeq socialist duhej të dominonte kudo dhe për këtë duhej bërë “luftë pa kompromis kundër ideologjisë borgjezo-revizioniste dhe bartësve të saj” në të gjitha sferat. Me këtë pikësynim u hoqën të gjitha antenat për kanalet e huaja. Një mobilizim i paparë u duk nga të gjitha organizmat partiako-shtetërore e shoqërore, sidomos organizatat bazë dhe ato të Frontit nëpër lagje u shndërruan në shtojca të vërteta të organeve të sigurimit të shtetit. Ato vigjëlonin ditën e natën për të konstatuar se kush “guxonte të vendoste fshehurazi ndonjë antenë, ose që diskutonte programet e huaja televizive”. Për ata që “shkelnin vijën e Partisë” vepronte me tërë forcën neni famëkeq 55 i “Agjitacionit dhe propagandës”. Por goditjen kryesore ndaj dëshirës së zjarrtë “për të mos u izoluar nga bota”, do ta jepnin “zhurmuesit e urryer”. Si metastaza të vërteta ata mbuluan të gjithë territorin e vendit, duke mos lejuar që të kapej asnjë stacion i huaj, përveç atij të Tiranës, plotësisht i ideologjizuar. Ky lloj revolucionarizimi do të varfëronte jashtë mase jetën shpirtërore të masave, gjithnjë me synimin për t’i shndërruar në zbatues të bindur të parimeve komuniste.

 *Historian dhe përkthyes

SHKARKO APP