Spoti, që as hahet, as pihet

 

Nga Alfred Lela

Një firmë kosi ka një spot tregtar refreni i të cilit, edhe pse në dukje banal, ngjit: kosi hahet apo pihet? pyet reklama. Reklama nuk është diçka akademike dhe e thellë; thellësia e saj madje qëndron te ‘cektësia’: tek aftësia që mesazhi apo imazhi të takohen me ‘thellësitë psikologjike rudimentare’ të qenies njerëzore.

Një reklamë tjetër, jo për kosin, por zgjedhjet, të cilat as nuk hahen e as nuk pihen, qarkullon sa në kohën televizive, sa në rrjete sociale e sa në bisedat e njerëzve. U fut madje edhe në debatin parlamentar të së enjtes, kur deputeti i PD, Astrit Patozi kërkoi ndalimin e saj. Bëhet fjalë për një spot elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili bën thirrje për mbrojtje të votës. Spotin ia paraqiti publikut vetë bosi i kësaj partie, njëkohësisht kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Fakti që një kryetar partie, e treta në vend, dhe për më shumë një kryeparlamentar, del t’i prezantojë publikut një spot elektoral, është një risi. Ndoshta analiza e daljes, më shumë se e vetë spotit, do na zbulonte diçka mbi natyrën e raportit LSI-opinion publik.

Do të bëjmë sikur spoti dhe mesazhi i tij nuk na intereson, dhe do të merremi me daljen ose kontekstin e saj.

Cili është ky kontekst?

Së pari, duhet thënë se është i paqartë. Për shkak se fokusi i studimit ose i kureshtjes, LSI, është një objekt lëvizës dhe i vështirë për t’u ekzaminuar. Kjo forcë dhe shefi i saj i kanë shpëtuar një skandali përgjimi të orkestruar nga një ish-ministër dhe ish-eksponent i lartë i partisë. Fjalën ‘shpëtuar’ merreni me rezerva. Numri i deputetëve të LSI në zgjedhjet e 2013, dy vjet pas përgjimit ‘me bllok në dorë’ u katërfishua.

Në qarqe të ndryshme politike e mediatike ka një bast të hedhur ndërkohë mbi atë nëse partia e z. Meta është forcuar apo dobësuar pas ‘aferës Tom Doshi’. Ky është edhe basti i Metës dhe të tijve. Me anë të këtyre zgjedhjeve ata duan të riinterpretojnë ngjarjet që pasuan pas daljeve publike, me akuza të forta, të deputetit Tom Doshi, dhe të sigurojnë, sidomos ndjekësit, se LSI-në çdo skandal e bën edhe më të fortë.

Fajësinë që ‘gëzon’ LSI në perceptimin publik, Meta kërkon ta kthejë në pafajësi, po me anë të votave të publikut.

Prezantimi i spotit nga vetë z. Meta përbën kështu një ‘lëvizje parandaluese’. Ai i shton një spekulim më shumë, edhe pse të trashë, atyre që vetë lsi-stët quajnë ‘spekulime’, pra opinionit të përgjithshëm se ‘metistët’ i blejnë ose i vjedhin votat. Se LSI nuk është një parti politike tipike: ajo nuk ka ideologji, por qëllime; nuk ka elektorat, por klientele; nuk ka anëtarë, por nëpunës, nuk është frymë, por sekt.

Duke nxjerrë spotin, LSI mundohet të blejë të ardhmen. Duke dalë vetë Meta për ta paraqitur, synon të thuhet se e shkuara nuk ekziston.

LSI po punon, me metodat e veta, për rritjen e radhës në këto zgjedhje. Spoti është një përpjekje për të mbrojtur këtë rezultat të së ardhmes. Për të nxjerrë një ‘certifikatë virgjërie’ edhe pa u bërë ‘prova’ e natës së zgjedhjeve.

Çfarë mund t’i bësh në fund të fundit një spoti? Si mund ta sulmosh atë?

Vetëm mund të thuash se, ky spot, as nuk hahet, as nuk pihet.

MAPO

SHKARKO APP