Stela Laknori: Në sezonin vjeshtë-dimër mund ta gjejnë lehtësisht veten të gjithë

Flet për “Koha Jonë”, kostumografja Stela Laknori

Intervistoi: Sidorela Lepuri 

Në periudhën e prag festave, përpos detajeve të tjera, padyshim që veshja e gjithësecilit prej nesh përbën një nga detajet më të rëndësishme. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, kostumografja Stela Laknori na tregon se ngjyra që do të mbizotërojë në ditët festive padiskutim që do të jetë e kuqja. Por kjo sigurisht që nuk është e detyrueshme, sipas saj. “Fustanet e mbrëmjeve do të jenë ato që do të mbizotërojnë, por ata mund të jenë edhe në ngjyra të tjera, përveç të kuqes.Varet nga preferenca e secilit. Do të këshilloja që të veshim gjithmonë atë që na pershtatet më shumë dhe që na bën të ndihemi mirë”, – këshillon ajo. Duke shtuar se sezoni vjeshtë-dimër është mjaft interesant për shkak se mund ta gjejnë veten shumë lehtë të gjithë…

 


Mund të na tregoni lidhur me tendencat e modës për sezonin vjeshtë-dimër 2014-2015?

Sezoni vjeshtë-dimër është shumë interesant, sepse mund ta gjejnë veten të gjithë shumë lehtë. Është si të themi çdokush mund të veshë gjithçka, duke filluar me fundet që mund t’i përdorim në të treja gjatësitë: të ngushtë dhe mini, apo poshtë gjurit e të gjerë, apo thjesht dhe pa formë. Fustanet gjithashtu dhe pantallonat mashkullore të gjera do të jenë shumë elegante për pjesë të ndryshme të ditës tonë. Pra, përsa i përket formës së veshjes mund të përdorim veshje të ngushta me linja, apo edhe veshje pa formë shumë stil dhe komode. Materialet që propozohen janë kryesisht të ngrohta, por me kombinime të ndryshme dhe ndërthurje midis llojeve. Specifike do jenë materialet me aplikacione përsipër ose me reliev. Ngjyrat e sezonit do të jenë jeshilja (në disa variante të saj) dhe bordoja ose e kuqja e gjakut, por mbretëresha ose “e zeza” e sezonit do të jetë ngjyra gri. Është shumë neutrale dhe e lehtë për t’u kombinuar. Lëkura gjithashtu është shumë e pranishme dhe e përsëritshme në të gjitha llojet e stileve si një katalizator shumë i mirë midis klasikes dhe sportives ose rock style. Printimet do jenë të pranishme jo vetëm në vija, por edhe gjeometrike. Po ashtu dhe printime insektesh, ose figurash apo pamjesh të ndryshme. Këto të punuara me ngjyra dhe dizenjo shumë moderne. Palltot e gjata deri në fund të këmbëve me rrip në bel do të mbizotërojnë, por dhe ato me formë pas trupit do të jenë të pranishme. Është një sezon plot me mundësi për të zgjedhur dhe jo lehtë mund të gabosh. Çdokush mund ta gjejë veten shumë mirë në këtë sezon.

 

A ka një rikthim në këtë sezon të disa prej tendencave të vitit të shkuar?

Ka gjithmonë një rikthim në kohë, në detaje, në aksesorë, në formë apo në materiale. Sigurisht, të përshtatura për llojin e jetesës që bëjmë sot. Por gjithmonë ka elemente ose referenca të viteve të mëparshme. Nga njerëzit kjo përqafohet shumë shpejt sepse shpeshherë lidhet shumë me ndjesitë ose emocionet e atyre viteve që mund të kesh jetuar. Por padyshim, një ndërthurje e tillë përbën në vetvete shumë stil. Ajo që e dalloi këtë sezon janë fustanet mini të viteve ‘60 me shumë ngjyra dhe prerje gjeometrike shumë interesante.

Jemi në një muaj festiv. Cilat do të jenë disa prej ngjyrave dhe materialeve që mendoni se do të preferohen më shumë?

Ngjyra që do të mbizotërojë padiskutim do të jetë e kuqja. Por kjo sigurisht që nuk është e detyrueshme. Fustanet e mbrëmjeve do të mbizotërojnë, por mund edhe të jenë në ngjyra të tjera. Varet nga preferenca e secilit. Materiali kushtëzohet edhe nga klima, por mund të bëjmë shumë me përdorimin e aksesorëve të cilët veçanërisht në raste festash bëjnë dallimin.

Po ato që ju do të këshillonit?

Do të këshilloja që të veshim gjithmonë atë që na pershtatet më shumë dhe që na bën të ndihemi mirë. Të ndjekim modën por pa harruar që jo çdo gjë që shohim në pasarelë do të na shkonte dhe neve. Duhet të ruajmë personalitet në veshje dhe t’i ndiejmë të rehatshme në trupin tonë. Vetëm kështu do të kemi rezultatin që duam, është kaq i thjeshtë sekreti…edhe për rastet e festave.

Profesioni juaj realisht është kostumografe në filmat artistikë. Është e vështirë të punosh me personazhe të njohur, duke marrë parasysh faktin që ka më shumë sy që vështrojnë drejt tyre?

Kur ata janë profesionistë të vërtetë, puna nuk është aspak e vështirë, përkundrazi kthehet në një kënaqësi dhe bëhet më produktive. Është e vërtetë që kanë përgjegjësi të madhe duke qenë para kamerës dhe shpeshherë tregojnë pak tension, por në punë të gjithë duam që të jemi sa më të mirë dhe ata që punojnë pas kamerave kanë përgjegjësi të madhe dhe kur kjo kuptohet më së miri nga të dy palët çdo gjë shkon për mrekulli. Tensioni është normal në punë. Derisa të mbizotërojë profesionalizmi e respekti, edhe rezultati do duket.

Cilat janë disa prej vështirësive dhe gjërave të bukura të profesionit tuaj?

Për mua, profesioni im është profesioni më i bukur në botë. Kështu që vështirësitë nuk i ndjej, por duke qenë se jemi shpeshherë në lëvizje dhe duhet të jemi kreativë, por edhe në mënyrë intensive të ekzekutojmë, krijohet pak tension. Kjo është diçka e mirë sepse të vë në provë dhe ti shtyhesh që të japësh më të mirën nga vetja. Të krijosh veshjet e personazheve, të zbërthesh karakteret e tyre është shumë inspiruese. Përveçse të krijosh të bukurën në to, duhet që ti të kuptosh mirë psikologjinë e tyre në skenar dhe t’i sjellësh në realitet. Të gjitha vështirësitë që ke kur arrin një rezultat shumë të mirë veniten dhe nuk i ndjen më.

 

Në vendin tonë ka jo pak prurje në fushën e stilimit të veshjeve, pavarësisht se jo të gjithë njihen dhe i mbijetojnë tregut. Sipas jush, cilat janë ato detaje që bëjnë diferencën duke veçuar produktin më të mirë?

Të  ndjekësh modën nuk është e thjeshtë. Pikë së pari është e kushtueshme. Gjithmonë cilësia e veshjes që do, qoftë në materiale por edhe në stil, do të varet nga çmimi që ka. Në Shqipëri janë të gjithë llojet e tregut për ata që duan të shpenzojnë dhe të kenë  firma, por edhe për ata që nuk i kanë këto mundësi.

Si e shihni modën në Shqipëri?

E kemi thënë shumë shpesh që shqiptarët e duan të bukurën dhe të renë. Unë mendoj që shpeshherë duhet të kontrollohemi dhe këtu duhet një filtër më i mirë i të gjitha prurjeve.
Ka profesionistë shumë të mirë që punojnë në këtë drejtim dhe si pasojë kemi disa mundësi zgjedhjeje se si duam të vishemi dhe se si duhet.

Po evoluimin e saj nga viti në vit?

Padiskutim që ka përmirësim. Rrjetet sociale ndikojnë shumë në informim dhe në mënyrën sesi duhet të vishemi. Kjo është shumë e rëndësishme. Gjithashtu, dyqanet kanë filluar të sjellin stilistë ose emra të cilat më parë nuk ekzistonim për ne. Atelietë kanë fituar më shumë eksperiencë dhe dinë shumë mirë t’u shërbejnë klientëve që duan një look më të veçantë. Mendoj që është pozitive.

Dhe së fundmi, a keni ndonjë angazhim apo diçka për të cilën jeni duke punuar aktualisht?

Aktualisht kam filluar të punoj për një shfaqje teatri “Elektra” me regji të Laert Vasilit. Premiera e së cilës do të jetë në 11 janar të vitit të ri  në teatrin e Durrësit. Një vepër shumë e bukur e cila me trajtimin shumë kontemporan dhe të veçantë nga regjisori po bëhet shumë frymëzuese dhe interesante edhe për të gjithë stafin. Është një punë që do shumë impenjim, duhet studiuar dhe nxjerr një konkluzion për konceptin se si do të trajtohet, bërja e skicave, përzgjedhja e materialeve dhe më pas realizimi i kostumeve në punëtori, provat etj. Është një emocion shumë i veçantë teatri, por është një përgjegjësi shumë e madhe gjithashtu. Trupa e aktorëve është shumë e mirë dhe profesioniste kështu që deri tani çdo gjë po shkon shumë mirë. I uroj suksese stafit dhe ju mirëpresim në datën 11 janar 2015.

 

SHKARKO APP