Stili parisien në arredim e shtëpisë (FOTO)
Arredimet sipas stilit francez janë të rafinuara dhe pëlqehen shumë. Ato kanë dekor të pasur, i cili ju kujton pallatet antike të fisnikëve francezë.
Shtëpia e arreduar në stilin parisien merr një pamje romantike dhe shik. Ajo nuk ka kurrë ngjyra shumë të theksuara. Ngjyrat e mureve kanë tonalitete neutrale apo të çelëta si ngjyra rozë, bojë qielli, bezhë apo gri perle. Muret dhe tavanet mund të dekorohen me letra muri elegante. Mobiliet në stilin parisien janë shpesh prej druri dhe kanë ngjyra të çelëta, si nuancat e së bardhës dhe bezhës. Ato mund të kenë zbukurime në ngjyrën e artë dhe atë të fildishtë.
Delikatesa e këtij stili gjendet mbi të gjitha në objektet e arredimit të shtëpisë. Cilat janë objektet e duhura për një shtëpi romantike? Elementët që nuk duhet të mungojnë janë: pikturat, kornizat e arta dhe të punuara, jastëkët, perdet elegante, mbulesat, lulet e freskëta, llambadarët, vazot e të tjera (të vëna zakonisht në çift dhe në mënyrë simetrike).
Salloni duhet të jetë i mobiluar me poltrona, tavolina elegante apo bibliotekë, por edhe me tapete e llambadarë tavani prej kristali. Në dhomën e gjumit, shtrati duhet të jetë me dru të bardhë apo me hekur të punuar. Në banjë parapëlqehet të ketë vaskë. Shtëpia sipas këtij stili mund të arredohet edhe në mënyrë moderne. Ka rëndësi që të synoni te ngjyrat e çelëta apo dhe te kontrastet, si për shembull, ai bardhë e zi.